Në Open Art Gallery, në kryeqytetin e Kosovës, është hapur ekspozita personale e artistit shqiptar Alkan Nallbani, me titullin domethënës “Yellow Spots in the Black Box”. Ekspozita vjen si një ngjarje e rëndësishme kulturore për Prishtinën dhe do të qëndrojë e hapur për publikun nga dhjetori 2025 deri në shkurt 2026.
“Yellow Spots in the Black Box” ndërtohet mbi një tension poetik mes dritës dhe errësirës, mes njollave të verdha që shfaqen dhe një hapësire të mbyllur, të errët e të pakapshme. Në këtë univers vizual, Nallbani përdor stigmat piktorike si shenja të jetës, kujtesës, energjisë dhe zbulimit, duke i kthyer ato në elemente që flasin për përvojën njerëzore dhe për dimensionet e saj të padukshme.
Kutia e zezë shfaqet si një objekt metaforik qendror në këtë cikël veprash, një lloj pinhol-i i brendshëm që hap dritare drejt realiteteve të fshehura të njeriut. Përmes kësaj qasjeje, ekspozita fton shikuesin të përballet me universet që ekzistojnë përtej shikimit të menjëhershëm, duke e sfiduar perceptimin e zakonshëm dhe duke e zhvendosur vëmendjen drejt brendësisë dhe reflektimit.
I lindur në Shqipëri në vitin 1971, Alkan Nallbani është formuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, për të vijuar më pas studimet në Firence dhe në Uashington. Ai ka marrë pjesë në ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare si Bienalja e Pragës dhe Bienalja Harnett, si dhe është vlerësuar me çmime ndërkombëtare, duke ndërtuar një profil të qëndrueshëm në skenën bashkëkohore të artit.
Me një aktivitet të gjerë ekspozues në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara, Nallbani konsiderohet një nga artistët më përfaqësues të brezit të tij. Sot ai jeton dhe punon mes Princetonit në SHBA, Firences dhe Shqipërisë, duke sjellë në veprën e tij një përvojë të shumëfishtë kulturore dhe artistike, që reflektohet qartë edhe në “Yellow Spots in the Black Box”.
Lini një Përgjigje