Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i bëri homazh yllit të kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepës, duke postuar një kolazh me rolet e saj më të spikatura në karrierën e një jete.
“Sa i trishtë lajmi për ndarjen nga jeta të Margarita Xhepës, ikonës së kinematografisë e teatrit shqiptar! Artistja e cila i dha jetë e përjetësoi aq shumë personazhe që janë skalitur thellë në kujtesën e miliona shqiptarëve. Kush ka pasur fatin ta njohë nga afër Margaritën, e di edhe më mirë se çdo personazhi i ka dhënë aq shumë nga vetja, duke përcjellë në rolet e saj urtësinë, qetësinë e dhembshurinë, klasin e finesën. U prehsh në paqe Margaritë!”, shkroi ministri Gonxhja në profilin e tij zyrtar në Facebook.
Aktorja e shquar e skenës dhe ekranit u nda nga jeta në orët e para të ditës së sotme, pas problemeve me mushkëritë. Vetëm një ditë më parë, Margarita Xhepa mbushi 91 vjeç.
Veç çmimeve dhe titujve në karrierën e saj artistike, aktorja Margarita Xhepa është “Nder i Kombit” dhe e nderuar me dekoratën “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit njoftoi se, pas komunikimeve me familjen e së ndjerës, aktores së madhe Margarita Xhepa, u vendos që homazhet të mbahen nesër më datë 4 prill, në orën 10:00-13:00, në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Ngushëllime ka shprehur edhe ministrja Mirela Kumbaro, e cila e ka cilësuar Xhepën si, një yll i pashuar i skenës Shqiptare.
“Madhështore në skenë, thellësisht njerëzore nga pranë, me buzëqeshjen që i rrezatonte bukurinë e shpirtit. Me mirënjohje të pafundme dhe respekt të thellë i japim lamtumirën fizike një ikone që s’njohu kurrë moshë dhe ashtu e dhembshur, e fisme dhe e bukur si një margaritë, iu bashkua përgjithmonë luleve të tjera të Parajsës”, shkroi Mirela Kumbaro.
Lini një Përgjigje