Ka momente kur një film shërben si justikim për të biseduar për gjithçka tjetër: nga mënyra si jetojmë, tek gjërat që jemi të gatshëm të justifikojmë dhe lodhja morale që përshkon jetët tona të përditshme. “Pikë Uji,” filmi më i fundit i Robert Budinës është një prej tyre. Ai nis si rrëfimi i një tragjedie private – përpjekjet e një nëne për të shpëtuar të birin – por shpjet kthehet në portretizimin e një shoqërie të dominuar nga dukja dhe ku korrupsioni ësht kthyer në mënyrë mbijetese.
Përgjatë bisedës në Apostrof Podcast, Budina flet jo vetëm si regjisor dhe krijues por si dikush që kërkon të kuptojë kohën në të cilën jetojmë. Ai flet për tranzicionin e Shqipërisë nga diktatura në demokraci, por që për shumëkënd u percepetua si mundësi hakmarrjeje ndaj shtetit, që dikur kontrollonte jetët e të gjithëve, por edhe për iluzionin e neutralitetit kur jeton brenda një sistemi të korruptuar.
Duket se në këtë shoqëri që kemi ndërtuar askush nuk mbetet i paprekur, të gjithë jemi të detyruar të bëjmë kompromise të vogla për të mbijetuar. Në anën tjetër, arti, ndonëse nuk mund ta transformojë realisht shoqërinë, ka ende aftësinë të denoncojë dhe përçmojë gënjeshtrat tona të përbashkëta dhe kjo nuk është pak: të flasësh qartë në një botë që është mësuar të largojë shikimin nga gjërat që nuk i pëlqejnë, në vend që të përpiqet t’i zgjidhë problemet e saj.