VIDEO/ Pse disa gjuhë kanë më shumë fjalë për marrëdhëniet mes njerëzve?

13 Prill 2026, 15:30Kulturë TEMA

VIDEO/ Pse disa gjuhë kanë më shumë fjalë për

Çfarë zbulojnë fjalët më të zakonshme në lidhje me mënyrën se si është e ndërtuar një shoqëri dhe çfarë është më e rëndësishme për të?

Këto janë disa nga pyetjet që shtrohen në episodin më të ri të Apostrof Podcast, ku e ftuar është antropologia gjuhësore Carrie Ann Morgan.

Ajo ndalet te një shembull në dukje i thjeshtë: fjalët që përshkruajnë marrëdhëniet familjare. Ndërsa në anglisht përdoret një fjalë e vetme – “aunt” – për të përshkruar disa marrëdhënie të ndryshme, në shqip ekzistojnë dallime të qarta si “teze”, “hallë”, apo edhe lidhje të tjera të zgjeruara familjare. Por çfarë e shpjegon këtë ndryshim? Është thjesht çështje fjalori, apo diçka më e thellë?

Sipas Morgan, gjuha jo vetëm reflekton ndarjet shoqërore që kanë rëndësi për një komunitet, por edhe i projekton ato. Në shoqërinë shqiptare, dallimi mes njerëzve nga ana e nënës dhe të babait mbart një peshë kulturore të caktuar, e cila pasqyrohet edhe në gjuhë. Por kjo nuk do të thotë se folësit e gjuhëve të tjera nuk i kuptojnë këto koncepte.

“Gjuha nuk është baraz me konceptin,” thekson ajo, duke nënvizuar marrëdhënien dinamike mes fjalëve dhe kuptimit.

Diskutimi shkon më tej, drejt një reflektimi më të gjerë mbi mënyrën si është konceptuar gjuha historikisht. Morgan shprehet se ideja që çdo koncept duhet të ketë një fjalë të caktuar buron, nga mendimi iluminist, që e redukton gjuhën në një mjet racional për debat publik. Por a është gjuha thjesht një instrument neutral komunikimi?

Morgan thotë se, në fakt, gjuha shkon përtej të përshkruarit të asaj që ekziston: ajo kontribuon në krijimin e vetë realitetit shoqëror. Çdo akt komunikimi përmban shtresa kuptimore që lidhen me përkatësinë, distancën apo pozicionimin ndaj tjetrit.

Në këtë kuptim, lind pyetja: çfarë humbet kur përpiqemi ta pastrojmë gjuhën nga këto shtresa, në emër të një racionaliteti të pastër? Dhe a mund të reduktohet gjuha në qartësi, pa humbur kompleksitetin që e bën funksionale?

Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast:

Gjuha, identiteti dhe pushteti: Një antropologe amerikane në Shqipëri

1 Komente

  1. g
    gio

    teze dhe halle s'jane shqip.... emte eshte...

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje