Në datat 29 dhe 30 Prill në orën 20:00, në Teatrin Kombëtar Eksperimental do të vijë komedia “Indian Party”.
“lndian party” është një komedi e gjallë. Një komedi situate dedikuar femrës dhe energjive të saj shpërthyese të pashterueshme.
Në fokus të saj janë katër shoqe fëmijërie të cilat tashmë janë të plotësuara profesionalisht, të bukura, sharmante, në moshën ku pjekuria është shoqe e pandarë e jetës dhe ku bukuria është në kulmin e saj.
Më në fund dita e shumëpritur erdhi, tani rasti i solli të takohen në një suitë hoteli për të festuar fundin e beqarisë së njërës prej shoqeve (e cila nuk do të dali kurrë në skenë), dhe pikërisht këtu fillon aksioni, sepse kur femrat bëhen bashkë pritet të ndodh gjithçka.
Ato fillojnë pak nga pak që në këtë takim të zbulojnë sekrete të mbartura prej vitesh, konfidenca të pathëna si dhe disa rivalitete mes personazheve të fshehura ndër vite. Në këtë natë të gjatë do të flitet për shumë tema të ndryshme, për marrëdhënie të dështuara, për meshkujt, për lidhjet, për familjen, për fëmijë, sikurse dhe për orientimet seksuale të tyre.
Një vend të rëndësishëm në këtë komedi zënë gjithashtu temat sociale të ndryshme që sot shqetësojnë shoqërinë tonë. Mënyrat e ushqimit, bullizimi, raporti prindër-fëmijë dhe anasjelltas, aborti, divorci, homoseksualiteti etj.
Debati është mjaft interesant pasi personazhet i bazojnë argumentet e tyre nga eksperiencat jetësore. Një komedi plot surpriza dhe të papritura, ku gruaja kontemporane është më në fund protagonistja e vërtetë. A.K./TemA
Lini një Përgjigje