Në episodin e 57-të të “Apostrof Podcast”, i ftuar është kompozitori, pianisti dhe poli-instrumentisti Robert Bisha, një prej zërave më origjinalë të skenës muzikore bashkëkohore shqiptare.
Bisha, i njohur për ndërthurjen e folklorit shqiptar me gjuhën moderne elektroakustike dhe improvizimin, ka zhvilluar projekte të shumta në skena kombëtare e ndërkombëtare — nga homazhi ndaj kulturës arbëreshe “Nostalghia Arbëreshe”, tek koncerti eksperimental “On the Road” në TKOB, e deri te kompozimet për kinemanë, për të cilat është vlerësuar edhe me çmime prestigjioze si “Davide di Donatello” në Itali.
Në qendër të bisedës në podcast ishte dokuflimi i tij më i fundit, “Nuse”, i shfaqur premierë në Qendrën e Artit “Agimi” në Tiranë. Filmi ofron një vështrim të thellë mbi këndimin e grave të Zadrimës si formë kujtese, rezistence kulturore dhe përvoje kolektive. Pa u fokusuar në një ritual specifik, “Nuse” rindërton arketipin e ritit të nusërisë përmes zërit, trupit dhe punës — sidomos asaj në tezgjah — duke krijuar një dialog mes traditës dhe tingullit bashkëkohor përmes kompozimeve elektroakustike të vetë Bishës.
Dokufilmi ka një dimension etnomuzikologjik, por edhe politik: ai flet për shpronësimin e kujtesës, tranzicionin dhe mënyrën se si sistemet e ndryshme kanë përvetësuar apo heshtur kulturën popullore. Pas shfaqjes së filmit, projekti vijon si performancë live me gratë e Zadrimës, ku zëri, tezgjahu dhe elektronika krijojnë një vazhdimësi skenike të rrëfimit.
Në podcast, Bisha u ndal edhe te roli i këngës në jetën e përditshme dhe në procesin e punës, veçanërisht në tezgjah — një aspekt qendror i filmit. Ai theksoi se kënga shpesh nuk lind nga një arsye e qartë, por nga një nevojë më e thellë, trupore dhe kolektive.
Në një fragment kyç të bisedës, ai shpjegon pse të kënduarit ishte kaq thelbësor në punën e përditshme dhe si lëvizja e trupit krijonte ritëm, puls dhe poliritëm natyror — një formë pranisë me veten dhe me komunitetin.
Episodi i plotë i Apostrof Podcast publikohet të dielën, ora 17:00 në kanalin e TemA në Youtube.