Projektet në fushën e kulturës kanë zakonisht nevojë për mbështetje financiare, aq më tepër kur çohen përpara nga studiues dhe autorë që nuk punojnë për institucione që e kanë për mision të prodhojnë punë të tilla. Si rregull, entiteti donator që ofron mbështetjen shpall një “thirrje” për projekte, dhe ti – pala e interesuar – aplikon duke shpjeguar se çfarë ke ndërmend të bësh dhe si, edhe duke detajuar se si do t’i shpenzosh fondet që do të marrësh, nëse do t’i marrësh.
Kur bëhet fjalë për nisma me natyrë mirëfilli krijuese ose artistike, përshkrimi paraprak i çfarë ke ndërmend të bësh është pak si i pamundur – sepse as ti vetë nuk e di se çfarë do të bësh, sa kohë që ende nuk e ke filluar punën. Përpjekja mirëfilli krijuese nuk mund të planifikohet, siç mund të planifikohet një vizitë në muzetë e Berlinit: kaq për biletat e avionit, kaq për biletat e hyrjes në muze, kaq për hotelet, kaq për transportin publik, etj. E kam përjetuar këtë sfidë tani vonë, kur po kërkoja mbështetje për projektin “E shkuara është vendi im” – e kisha një ide të përgjithshme, që të shkruaja për rrugën time Kont Urani si një copëz Tirane që përmbante, në vetvete, gjithçka të qytetit më të madh, në hapësirë dhe në kohë. Por kjo ide, në vetvete, nuk do të mjaftonte për ta përligjur kërkesën time.
Jam mësuar të punoj – të shkruaj – në mënyrë të tillë, që idetë t’i zhvilloj në krijim e sipër; aq sa më ndodh jo rrallë që të ulem të shkruaj për diçka dhe të më dalë diçka tjetër, sepse shndërrimi i mendimit në ligjërim të organizuar ka agjencinë e vet dhe, në një farë mënyre, të tërheq për mënge andej nga dëshiron. Për projektin në fjalë kisha në mendje disa imazhe dhe ide, që lidheshin me Radio Tiranën, si monument orientues për rrugën; dhe njëherazi xhirimin e filmit “Radiostacioni”, si mbivendosje semike mbi eksperiencën e rrugës. Këto përshtypje dhe kujtime më pasuroheshin me mbresa jo dhe aq të qarta, nga mënyra si hija e Luftës II Botërore ende nuk ishte larguar nga Tirana, dhe aq më pak nga mëhalla ime e Rrugës Kont Urani dhe Rrugës së Kavajës; siç nuk ishte larguar nga letërsia dhe arti dhe tekstet shkollore të viteve 1960-1970. Gjithsesi, e gjithë kjo kinema psikike duhej renditur me kujdes.
Natyrisht, arrita ta përshkruaj projektin në aplikim dhe grantin ma dhanë; dhe ashtu pata mundësinë që t’i shndërroj përshtypjet, kujtimet dhe përsiatjet në një tekst eseistik pak a shumë koherent, të pasuruar edhe me shumë fotografi. Vetë të shkruarit dhe përgatitja e tekstit për botim janë një lloj pune e mirëfilltë (labor), që kërkon jo vetëm talent dhe zotësi, por edhe aftësi përqendrimi dhe virtytin e këmbënguljes tek e njëjta temë – dhe granti këtu ndihmoi, sepse më lejoi të fokusohem te një temë e vetme dhe të eksploroj në gjerësi dhe në thellësi potencialin e saj; çfarë e bëra duke shkruar, por edhe në biseda me kolegë dhe miq, duke nxjerrë fotografi të lagjes, duke kërkuar në arkiv e kështu me radhë; por nga të gjitha këto aktivitete, ai më delikati ishte të menduarit (vrarja e mendjes).
Sot është vështirë të gjesh njeri që të thotë: po mendoj për këtë projekt – ose, edhe kur të thotë kështu, e ka fjalën se po e mendoj si ta siguroj grantin ose si të shmang këtë apo atë pengesë që më ka dalë ose si të gjej kohën dhe të ulem të punoj me të; edhe pse, të paktën për mua, të menduarit është pjesë esenciale e punës intelektuale, përfshi edhe punën krijuese; dhe të menduarit kërkon jo vetëm kohë, por edhe qetësi shpirtërore dhe predisponim. Për fat të keq, të menduarit nuk kuantifikohet dot – sepse nuk mund të shkruash në aplikim se për këtë projekt do të mendoj 85 orë (por mund të shkruash se do të dorëzosh një ese prej 15,000 fjalësh).
Ka këtu një farë tabuje a pengese, për t’i thënë tjetrit se je menduar. Edhe pse nuk ka arritje intelektuale dhe artistike që të mos i detyrohet punës mirëfilli mendore, kolegët parapëlqejnë ta matin dhe ta komunikojnë të menduarit me mjete të tërthorta, duke të thënë: mbrëmë kam shkruar gjashtë faqe, dhe jo mbrëmë kam menduar dy orë. Shmangia doemos lidhet edhe me atë që të menduarit vetëkuptohet se paraprin ose shoqëron çdo aktivitet të kësaj natyre. Por mua më qëllon shpesh të mendoj veçan për çfarë dua të analizoj, të trajtoj, të thelloj; e bëj këtë kur dal për një shëtitje, ose edhe kur jam thjesht në rrugë – ka diçka tek ecja, që e vë edhe mendjen në ecje. Njëlloj shpesh më ndodh të mendoj kur nuk më zë gjumi, ose kur më del gjumi natën – ose edhe thjesht kur është duke më zënë gjumi; aq sa zgjohem dhe mbaj ndonjë shënim, që të mos e harroj “idenë”. E kuptoj se gjithsekush ka strategjitë e veta për të lehtësuar a ndërmjetësuar idetë e reja, imazhet, figurat, asociacionet e të tjera fryte të aktivitetit mendor; por kusht për të gjitha këto është edhe aftësia për ta mbajtur mendjen të lirë nga shqetësimet e ditës; zotësia për t’u humbur pas një ideje ose më mirë, për ta shkëputur kontaktin me veten.
Kam vënë re lidhjen mes shkrimit me dorë dhe produktivitetit mendor – të çdo lloji. Dora që formon shkronjat, pastaj fjalët në letër, duke i vizatuar shkronjat sikur aktivizon disa cirkuite produktive të mendimit në tru, që ndezin dritën dhe lënë të duken gjëra deri atëherë në errësirë. Ndonjëherë më duket edhe sikur të shkruarit me dorë është një lloj auto-hipnoze, që ndihmon për atë shkëputjen ose të paktën dobësimin e vetëdijes; ose dëbimin e vetes si spektator a mbikëqyrës të çfarë është duke ndodhur. Kjo shpjegon edhe atë që u ndodh – besoj – shumë krijuesve të cilët kur shohin më pas se çfarë kanë shkruar, nuk e kujtojnë dot, as e kuptojnë se çfarë i çoi atje, si ndodhi që e menduan.
Pa aktivitetin e të menduarit, nuk mund të krijosh gjë për të qenë, pavarësisht nëse po bën diçka artistike, apo diçka që lidhet me eksplorimin e ideve; por vështirë se mund ta bindësh entitetin grant-lëshues që të mbështetë financiarisht të menduarit si të tillë. Një foto për projektin mund të kërkojë kohë sa të duash – zgjedhja e subjektit, etj.; por ti nuk mund të shtosh, për ta përligjur, edhe kohën që ke kaluar thjesht duke e soditur, për ta kuptuar imazhin në një mënyrë që deri atëherë nuk e ka kuptuar kush. Nëse ty, autorit të esesë, të kërkohet që të gjesh dhe të vendosësh lidhje mes gjërave të ndryshme (çfarë edhe e kanë sjellë si përkufizim të talentit), ky qëmtim për lidhje dhe arsyetimi i tyre, ose bërja e tyre të besueshme më parë për ty dhe pastaj për lexuesin, kërkon që të mendosh gjatë. Sidomos kur duhet që intuitën tënde ta mbështetësh në mos me argumente, të paktën me jehona argumentesh. Ti sheh një manekin të hedhur në plehra, dhe kjo të kujton “the red-light district” në Amsterdam; të pëlqen ideja, dhe ulesh t’ia përcjellësh lexuesit. Por nuk e bën dot, para se t’ia shpjegosh më parë idenë vetes, sepse jo gjithçka që sjell intuita meriton t’u jepet edhe të tjerëve.
Grantet janë të domosdoshme për krijuesit – e artit dhe të ideve; por shumë nga institucionet që i japin, dhe njëkohësisht shumë nga aplikantët, harrojnë të përfshijnë në preventiva shpenzimet për të menduarit, një aktivitet që u paraprin të tjerave, ose të paktën që duhej t’u paraprinte. E them këtë edhe ngaqë kam parasysh të gjitha ato aktivitete të mbështetura bollshëm financiarisht, ndonjëherë nga aq shumë donatorë sa nuk del faqja e posterit për t’i përmendur të gjithë, dhe që sundohen nga fishekzjarrët, eventizmi dhe performativiteti; aktivitete që organizohen dhe ndodhin në mënyrë të pavarur nga të menduarit krijues; aktivitete sugar-free, që kanë për funksion kryesor të shërbejnë si laksativë të jetës kulturore. Laksativët kanë rolin e tyre, veçanërisht në vënien në lëvizje të zorrës, dhe sot kanë vëmendjen e të gjithë atyre që duan të humbin në peshë; por le të mos harrojmë që e njëjta zorrë duhet të ndihmojë edhe për thithjen e lëndëve ushqyese.
© 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është krijuar me Flux. Botohet me leje te "TemA".
Mbasi i "eliminoi" te gjith perralletaret, tash ky vazhdon te perrallise krejt lirshem, gjoja "pa konkurrence".
fjalim i rralle i nje Anusi
gje e madhe "te mendosh" bucko, me kete leksionin tend,me ne fund, e mesuam