Një aktore britanike, e cila ka luajtur në një spin-off të “EastEnders” dhe në një film me Jason Statham, është akuzuar për përpjekje për të kontrabanduar 320 kg metamfetaminë në Australi nga Afrika Perëndimore.
Emaa Hussen, 34 vjeç, u paraqit në një gjykatë në Sydney të enjten, pasi u akuzua për tentativë të importimit të një sasie komerciale metamfetamine në Australi. Dënimi maksimal për këtë vepër është burgim i përjetshëm.
Policia pretendon se Hussen, së bashku me një çift nga Australia e Jugut, u përpoqën të fusnin drogën e fshehur në thasë me qymyr druri, të transportuar me konteinerë nga Gana. Vlera në treg e drogës vlerësohet rreth 296 milionë dollarë australianë (rreth 208 milionë dollarë amerikanë).
Hussen i ishte refuzuar më herët kërkesa për lirim me kusht dhe do të paraqitet sërish në gjykatë në gusht.
Ajo ka luajtur rolin e “Naz” në spin-off-in e EastEnders të quajtur E20, që u transmetua për herë të parë në vitin 2010. Gjithashtu ka luajtur në filmin aksion të Jason Statham-it “Hummingbird” (2013), i njohur në SHBA si “Redemption”.
Policia australiane nisi hetimet në prill, pasi autoritetet kufitare zbuluan anomali në dy konteinerë që kishin mbërritur në portin e Sydney-t nga Gana.
Gjatë kontrollit me skaner X-ray, u gjet një substancë e bardhë kristalore. Testimet e mëvonshme konfirmuan se ishte metamfetaminë.
Policia i hoqi drogën nga ngarkesa përpara se ajo të dërgohej në një magazinë në Girraween, në perëndim të Sydney-t.
Hetuesit pretendojnë se Hussen shkoi në vendngjarje dhe mbikëqyri shkarkimin e konteinerit nga disa burra.
Ata ngarkuan disa nga thasët në një makinë dhe më pas shkuan në një shtëpi në Blacktown, ku policia më vonë e arrestoi Hussen. U sekuestruan edhe pajisje elektronike dhe një bllok shënimesh.
Si pjesë e hetimit, u arrestuan edhe një grua 30 vjeç dhe një burrë 32 vjeç në Adelaide, të cilët dyshohet se përdorën identitete të rreme për të marrë me qira magazinat në Sydney ku u dërgua droga.
Një zyrtar i Policisë Federale Australiane tha se sekuestrimi i kësaj sasie droge ka parandaluar rreth 3.2 milionë doza që të përfundonin në rrugë.
Autoritetet e Kufirit Australian theksuan se grupet kriminale përdorin mënyra të sofistikuara për të fshehur drogën, duke e futur edhe në produkte të zakonshme si qymyri, por oficerët e tyre janë trajnuar për t’i zbuluar këto metoda./ BBC
Lini një Përgjigje