Emma Heming Willis ka folur hapur për gjendjen shëndetësore të bashkëshortit të saj, aktorit të njohur Bruce Willis, duke sqaruar një nga keqkuptimet më të përhapura rreth demencës frontotemporale (FTD), sëmundjes me të cilën ai është diagnostikuar prej disa vitesh.
Gjatë një interviste në podkastin “The Bossticks”, Emma theksoi se shumë njerëz gabimisht e lidhin çdo formë demence me humbjen e kujtesës.
“Demenca frontotemporale ka tre variante të ndryshme. Forma që ka Bruce prek kryesisht të folurin, ndërsa format e tjera mund të shkaktojnë ndryshime në sjellje ose probleme me lëvizjen”, shpjegoi ajo.
Sipas Emmës, Bruce Willis nuk vuan nga Alzheimeri dhe vazhdon t’i njohë njerëzit më të afërt.
“Kur njerëzit më pyesin nëse Bruce më kujton ende, përgjigjja është po. Ai i njeh njerëzit që do”, tha ajo, duke hedhur poshtë spekulimet se aktori ka humbur plotësisht kujtesën.
Ajo nënvizoi rëndësinë e dallimit mes demencës frontotemporale dhe Alzheimerit, duke theksuar se bëhet fjalë për sëmundje të ndryshme, me simptoma dhe ecuri të ndryshme.
Emma zbuloi gjithashtu se Bruce vazhdon t’i njohë të pesë vajzat e tij dhe anëtarët e tjerë të familjes, pavarësisht sfidave që sjell sëmundja.
Familja e aktorit foli publikisht për herë të parë për problemet e tij shëndetësore në vitin 2022, kur njoftoi tërheqjen e tij nga aktrimi pas diagnozës me afazi, një çrregullim që ndikon në aftësinë për të komunikuar.
Një vit më vonë, familja konfirmoi se gjendja e tij ishte diagnostikuar si demencë frontotemporale. Në deklaratën e asaj kohe, Emma Heming Willis, ish-bashkëshortja e aktorit, Demi Moore, si dhe pesë vajzat e tij, e përshkruan diagnozën si një moment të dhimbshëm, por edhe si një lehtësim, pasi më në fund kishin një përgjigje të qartë për gjendjen e tij.
Ata theksuan se demenca frontotemporale është forma më e zakonshme e demencës tek personat nën moshën 60-vjeçare dhe se ende nuk ekziston një kurë përfundimtare.
Sot, Bruce Willis jeton larg vëmendjes së Hollywood-it, ndërsa familja e tij vazhdon të sensibilizojë opinionin publik për këtë sëmundje dhe të mbështesë kërkimet shkencore që synojnë zhvillimin e trajtimeve më efektive në të ardhmen.
Lini një Përgjigje