Dita kur Ajnshtajni u bë shkencëtari më i famshëm në botë

30 Maj 2022, 11:03Lifestyle TEMA

Dita kur Ajnshtajni u bë shkencëtari më i famshëm në

Albert Ajnshtajn nuk ishte aq i famshëm deri më 29 maj 1919, dita kur hëna dhe dielli u vendosën në linjën që formonte eklipsin diellor. Gjatë ekspeditës së drejtuar nga Edingtoni, u konfirmua parashikimi i relativitetit të përgjithshëm për përkuljen e dritës yjore nga dielli, duke e bërë Ajnshtajnin menjëherë një personazh të famshëm.

Në vitin 1919, ligji i gravitetit universal i Njutonit ishte ende dominant në diskursin shkencor, pasi jepte shpjegime jashtëzakonisht të sakta të vëzhgimeve fizike. Por Ajnshtajni kishte një problem të madh me teorinë e Njutonit: Ajo nuk ishte në përputhje me teorinë e tij speciale të relativitetit, e cila parashikonte se hapësira dhe koha ishin relative, duke formuar një sekuencë të vazhdueshme katërdimensionale të quajtur “kohë-hapësirë’.

Një parashikim i relativitetit të përgjithshëm ishte se drita nuk duhet të udhëtojë në një vijë krejtësisht të drejtë. Ndërsa udhëton nëpër kohë-hapësirë dhe i afrohet shtrembërimit të shkaktuar nga fusha gravitacionale e një objekti, drita duhet të përkulet, por jo shumë. Për shembull, një rreze drite që prek skajin e diellit, do të përkulte një 1,75 sekonda harkore, këndin e krijuar nga një trekëndësh kënddrejtë 1 inç i lartë dhe 1,9 milje i gjatë. Fizika e Njutonit parashikoi gjithashtu se drita do të përkulej për shkak të gravitetit, por vetëm gjysmën e asaj çfarë parashikonte teoria e Ajnshtajnit.

Një diferencë kaq e vogël dukej e pamundur të matej me eksperimente tokësore. Në fakt, të dy teoritë, edhe pse në thelb të kundërta, bënë parashikime shumë të ngjashme për pothuajse të gjitha testet e gravitetit dhe dritës.  Si rezultat, ishte e kotë të përpiqeshim të kuptonim se cili prej tyre ofronte një përshkrim më të saktë të ligjeve themelore të universit.

Frank Watson Dyson, konceptoi në vitin 1917 eksperimentin e përsosur për të zgjidhur këtë çështje. Një eklips total diellor më 29 maj 1919, do të ndodhte pikërisht kur dielli po kalonte grupin e ndriçuar të yjeve Hyades. Dyson e kuptoi se drita nga yjet do të duhej të kalonte përmes fushës gravitacionale të diellit në rrugën e saj për në Tokë, por do të ishte e dukshme për shkak të errësirës së eklipsit. Kjo do të lejonte matje të sakta të zhvendosjeve gravitacionale të yjeve në qiell.

Eddington, i cili udhëhoqi eksperimentin, mati fillimisht pozicionet "e vërteta" të yjeve gjatë janarit dhe shkurtit 1919. Më pas në maj ai shkoi në ishullin e largët të Príncipe (në Gjirin e Guinesë në brigjet perëndimore të Afrikës) për të matur pozicionet e yjeve gjatë eklipsit, siç shihet përmes thjerrëzës gravitacionale të diellit.

Eddington dërgoi gjithashtu një grup astronomësh për të marrë matje nga Sobral, Brazil, në rast se eklipsi bllokohej nga retë mbi Príncipe. Të dyja vendet  kishin qiell të pastër dhe astronomët bënë disa fotografi gjatë gjashtë minutave të eklipsit total. Kur Eddington u kthye në Angli, të dhënat e tij nga Príncipe konfirmuan parashikimet e Ajnshtajnit. Eddington shpalli gjetjet e tij më 6 nëntor 1919. Të nesërmen në mëngjes, Ajnshtajni, deri atëherë një i panjohur në fizikën teorike, ishte në faqen e parë të gazetave kryesore në mbarë botën. Përkulja e dritës rreth objekteve masive tani njihet si “gravitational lensing”  është bërë një mjet i rëndësishëm në astrofizikë. Fizikanët tani përdorin lente gravitacionale për të provuar të kuptojnë materien e errët dhe zgjerimin e universit./ Unioni Ndërkombëtar Astronomik, Wikipedia, NASA.

Lini një Përgjigje