Një nga momentet më të sikletshme të Çmimeve Grammy 2026 u regjistrua gjatë ndarjes së çmimit më prestigjioz të mbrëmjes, “Albumi i Vitit”, kur legjenda e muzikës, Cher, shpalli gabimisht fitues Luther Vandross, artisti i famshëm amerikan që ka ndërruar jetë në vitin 2005.
Incidenti ndodhi të dielën më 1 shkurt, në Los Angeles, gjatë edicionit të 68-të të Grammy-ve. Cher u ngjit në skenë për të prezantuar çmimin, por u duk e hutuar që në fillim, teksa u drejtua gabimisht nga dalja përpara se të kthehej te mikrofoni.
Teksa lexonte emrin nga zarfi, ajo shpalli fituesin si Luther Vandross, duke shkaktuar një moment heshtjeje dhe konfuzioni në sallë. Situata u bë edhe më e sikletshme për faktin se artisti ka vdekur prej dy dekadash.
Pak çaste më vonë, u bë e qartë se bëhej fjalë për një ngatërresë, pasi çmimi “Albumi i Vitit” i takonte në të vërtetë këngës “Luther” nga Kendrick Lamar dhe SZA, fituesit realë të kategorisë. Titulli i këngës, që i referohet emrit të Luther Vandross dhe përfshin elemente nga trashëgimia e tij muzikore, besohet se shkaktoi keqkuptimin.
Cher e kuptoi gabimin pothuajse menjëherë, e korrigjoi situatën në skenë dhe shpalli Kendrick Lamar dhe SZA si fituesit e vërtetë, duke kërkuar falje me sportivitet dhe një buzëqeshje. Publiku reagoi me duartrokitje, ndërsa momenti u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, duke u kthyer në një nga episodet më virale dhe më të përfolura të Grammy 2026.
Lini një Përgjigje