
Shqipëria dhe Polonia kanë shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit mes të dy vendeve, veçanërisht në fushën e turizmit.
Si një vend dashamirës që e ka mbështetur Shqipërinë në proceset më të rëndësishme si anëtarësimi në NATO dhe në rrugëtimit e integrimit në Bashkimin Evropian, nisja e fluturimeve të rregullta direkte Tiranë-Varshavë vlerësohet dhe konsiderohet tepër e rëndësishme për rritjen e numrit të turistëve.
Pikërisht falë marrëdhënieve që konsiderohen të shkëlqyera dhe pas një bashkëpunimi të ambasadës së Polonisë në Shqipëri, me autoritetet shqiptare dhe kompaninë më të madhe polake të fluturimeve ajrore, LOT Polish Airlines, tashmë të gjithë mund të fluturojnë direkt nga Tirana në Varshavë dhe anasjelltas në vetëm maksimumi dy orë për tre herë në javë.
Vendosja e këtij guri kilometrik në marrëdhëniet mes dy vendeve, do të ndikojë jo vetëm në afrimin më shumë të dy vendeve, por edhe popujve e bizneseve.
Pas periudhës së vështirë për shkak të COVID-19 më të cilën u përball e gjithë bota, vetëm vitin e shkuar mijëra turistë polakë vizituan Shqipërinë të tërhequr nga natyra e bukur, pasuritë kulturore e historike dhe bregdetin e mrekullueshëm shqiptar me ujërat e kristalta.
Përveç detit dhe maleve të thepisura si të Alpeve Shqiptare, kryeqyteti polak të befason me mikpritjen që të ofron që nga natyra shumë e pasur, muzetë e parqet e pafundme, ndërtesat historike, diversitetin arkitekturor dhe kishat e vjetra.
Për këdo që zgjedh të vizitojë kryeqytetin polak, me një histori tragjike veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe që arriti të rindërtohej nga e para mbi gërmadhat e sulmit nazist nga puna e jashtëzakonshme e arkitektëve, ndërtuesve e restauratorëve, do mbetet i befasuar nga atraksionet e shumta turistike.
E tillë ishte vizita ime e parë në Varshavë e shoqëruar nga kolegë gazetarë.
Pas një fluturimi të qetë edhe komod prej dy orësh, teksa lëmë pas aeroportin “Shopen”, na shfaqet një peizazh mahnitës dhe çlodhës, një rrugë e rrethuar nga pemë të gjelbëruara dhe parqe të vegjël.
Udhërrëfyesi ynë në këtë tur, Piotr Karpiński, i cili e ka vizituar Shqipërinë, do na shoqërojë menjëherë në një prej atraksioneve kryesore turistike të kryeqytetit polak, pas akomodimit në “Polonia Palace”.
Pallati Mbretëror, i ndërtuar fillimisht nga Mbreti Sigismund III në fund të shekullit të 16-të, një ndërtesë e kuqërremtë ku mbizotëron stili arkitekturor barok, në një prej rrugëve më të njohura, siç dhe njihet Rruga Mbretërore është befasia jonë e parë me këtë qytet. Si mijëra ndërtesa të tjera, edhe kjo ndërtesë pati fatin tragjik nga nazistët në 1944 të cilët e shkatërruan me eksploziv dhe që më pas u rindërtuar pothuajse siç ishte.
Në sheshin kryesore me një histori që daton në shekullin e 13-të dhe që konsiderohet edhe si zemra e qytetit, përballesh me dy botë ku ruhen me fanatizëm gjurmë nga e kaluara e saj dhe kohët moderne dhe që në 1980 u përfshi në listën e trashëgimisë botërore të UNESC-os. I ndërtuar në 1408, në të njëjtën kohë kur u themelua Qyteti i ri i Varshavës, gjatë Luftës së Dytë Botërore do të përballej me fatin tragjik duke u shkatërruar tërësisht. Por sot “Sheshi i Tregut” është pikënisja e turistëve që zgjedhin të vizitojnë Varshavën.
Nuk mund të ikësh pa shkrepur një foto edhe pranë skulpturës së Sirenës së Varshavës, simbolin e saj, me një legjendë të bukur që fshihet mbrapa dhe që do mund ta mësosh nga vetë polakët.
Minutat kthehen në sekonda teksa ecën në zemrën e Varshavës, një udhëtim në historinë polake e treguar me shumë pasion nga udhërrëfyesi ynë.
Ndërtesa me tulla të kuqe dhe unike në llojin e tyre ku secila prej tyre mbart një histori, ikonat e ndryshme, kisha më e vjetër katolike e Shën Gjonit ajo e Shën Mërisë, e Shën Anës, monumenti për heronjtë e Kryengritjes së Varshavës në 1944 si dhe monumenti i i Sigismund III, i ngritur në mes të shekullit të 17-të, i cili ndodhet në pjesën qendrore të sheshit, janë vetëm pak nga fillimi i një udhëtimi magjik në Varshavë.
Në rrugët “Noëy Śëiat” dhe “Krakoëskie Przedmieście” ndodhen edhe Pallati Presidencial si dhe kampusi i Universitetit të Varshavës që nuk mund të ikësh pa i vizituar.
Nga Pallati i Kulturës dhe i Shkencës prej 114 metrash, do mund të shohësh të katër anët e kryeqytetit polak me ndërtesat e vjetra dhe të reja.
Është e pamundur që në pak orë të mund të shikosh ato çfarë Varshava të ofron, por e pashmangshme të mos vizitosh Muzeun dhe Kopshtin Mbretëror Lazienki. Një shëtitje çlodhëse mes gjelbërimit të parkut me një sipërfaqe prej 74 hektarësh, statujave si ajo e kompozitorit Frederic Chopen, zemra e të cilit është varrosur në një kolonë brenda Kishës së Kryqit të Shenjtë, më tutje muzeu Lazienki që të befason me dekorin e tij dhe pallatin Belvedere, janë një tjetër kartëvizitë për polakët.
Pas një shëtitje përgjatë lumit Vistula i cili kalon mes kryeqytetit polak me një gjatësi prej 1047 km, një tjetër ndalesë është edhe Biblioteka unike e Universitetit të Varshavës me kopshte mbi çati dhe me muret e saj me formula matematikore apo citate në alfabete të ndryshme.
Polakët kanë edhe muzeun e Vodkës për të cilët kjo pije është tradicionale e tyre dhe janë të shumë turistët që e vizitojnë si pjesë e itinerarit në Varshavë.
Të panumërta janë edhe muze të ndryshëm që mund të vizitosh në Varshavë, të përfshira në guidat turistike si ajo e Mikollaj Koperniku-t, Shopeni-t apo Papa Gjon Pali II, por më i veçanti është muzeu “Polin” i vlerësuar si një nga më të bukurit në Europë. Me një arkitekturë të veçantë, muzeu i historisë së hebrenjve polakë, e ndarë në 8 galeri është një rrugëtim në kohë mes kulturës dhe historisë, që nga vendbanimet e para e deri në ditët e sotme.
Por nuk është e gjithë kjo Varshava.
Të tjera destinacione të presin për të zbuluar në kryeqytetin polak pas një udhëtim ajror vetëm dy orë nga Tirana me LOT Polish Airlines, falë së cilës edhe turistët polakë tashmë do kenë mundësi të vizitojnë më shpejt Shqipërinë e cila ka shumë për të ju ofruar.
Lini një Përgjigje