Avokati: SPAK do të kërkojë shoqërim me forcë të Shkëlzenit nëse nuk paraqitet për të dhënë dëshmi për ‘Gërdecin’, rrezikon të dënohet me burgim të përjetshëm

26 Dhjetor 2023, 10:55Politika TEMA
Avokati: SPAK do të kërkojë shoqërim me forcë të

Djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzenit, pritet t’i hapen telashe nëse refuzon sërish të shkojë në Prokurorinë Speciale (SPAK) sa i takon aferës së “Gërdecit”.

Në 14 dhjetor të këtij muaji,  Shkëlzen Berisha nuk është paraqitur në seancën gjyqësore në SPAK në cilësinë e dëshmitarit, i thirrur për çështjen “Gërdeci”. Ai ka mohuar që të ketë pasur një fletëthirrje për të qenë i pranishëm në seancën për “Gërdecin”, duke përdorur të njëjtën skemë si babi i tij, Sali Berisha, i cili gjithashtu ka refuzuar t’i bindet Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës Speciale.

Por nesër pritet të që mbahet sërish seanca në SPAK për tragjedinë e “Gërdecit” dhe nëse Shkëlzen Berisha refuzon të shkojë për të dëshmuar, atëhere ai do të shoqërohet me forcë nga policia me urdhër të Prokurorisë së Posaçme.

Ka qenë avokati i njohur, Idajet Beqiri, i cili gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, zbuloi rrugën që do të ndjekë SPAK për këtë dosje, ndërsa theksoi se djali i Sali Berishës rrezikon të dënohet me burgim të përjetshëm për dëmin miliarda euro që shkaktoi me biznesin e vdekjes në Gërdec

“Si i ati, si i biri njësoj janë. Ai ecën në gjurmën e babait, kanë zgjedhur rrugën e mosbindjes ndaj Kushtetutës dhe jo të një qytetari të ndershëm që kur thirret nga një pushtet siç është gjyqësori, paraqitet dhe atje i shpalos të gjitha. Mund të ketë prova e fakte që e lehtësojnë ose e përjashtojnë nga çdo lloj përgjegjësie. Do u përgjigjet pyetjeve siç vlerëson vetë. Këta nuk janë natyrë e tillë, këta janë natyrë që e konceptuan shtetin si pronë të tyre edhe kur ishin në pushtet dhe tani që janë opozitë. Ka shqiptar që s’e ka marrë vesh se më 14 dhjetor duhet të ishte Shkëlzen Berisha dhe Aldo Bumçi dëshmitar? Vetëm të kesh futur kokën si struci në rërë e nuk shikon gjë, nuk e merr vesh.

S’ka nevojë të mos vijë thirrja, ai duhet që të shkojë vet. Ai nuk e bën një gjë të tillë, është i inkriminuar e di se pas marrjes në pyetje, jam i bindur që edhe prokurori që do pyeste pas përgjigjeve edhe vetë gjykata, menjëherë do krijonte bindjen që ky është një ndër autorët kryesorë në vrasjen e 26 personave në Gërdec dhe të një dëmi të pallogaritshëm që i ka kaluar miliardat e eurove që është shkaktuar në Gërdec.

Përgjegjësia e tij është aq e rëndë sa në maksimum dënimi shkon në burg përjetë. Dëshmitari është i detyruar të paraqitet, nëse jo gjykata e merr me dhunë. Ai do shkojë patjetër, por mesa duket GJKKO, ka parasysh edhe procedurën që kur ka të bëjë më kriminelë të tillë potentë, procedurën kërkon ta bëjë konform ligjit 100% është e detyruar ta çojë thirrjen në adresën e re që i ka dhënë prokurori”, deklaroi avokat Beqiri për gazetën “SOT”.

Zvarritja e proceseve gjyqësore nga Berisha dhe djali i tij

Ndërkohë avokat i njohur, Idajet Beqiri theksoi se pavarësisht se ish-kryeministri Sali Berisha dhe djali i tij, Shkëlzeni po përpiqen të zvarrisin proceset gjyqësore ku janë përfshirë, ata sipas tij, nuk do t’i shpëtojnë dot përballjes me drejtësinë, për shkak se do të japin llogari në lidhje me zullumet ku janë përfshirë.

“Sado të përpiqet Shkëlzen Berisha nuk e zvarrit dot procesin. Nuk zvarrisin dot gjë, sikurse nuk e bën dot edhe Berisha, edhe pse Saliu nuk shkoj në SPAK dhe BKH i vijoi hetimet punoi me dosjen, edhe në rastin konkret është një shtyrje gjyqi, gjykata dëshminë e Bumçit e mori.

Më 27 ka edhe dëshmitarë të tjerë, nuk është vetëm Shkëlzen Berisha. Ata thonë të shtyjmë sa të shtyjmë, por nuk e kanë në dorë ata shtyrjen, procedurat janë të shkruara qartë, fundi i tyre dihet tashmë. Kanë fund skëterrë”, nënvizoi avokat Idajet Beqiri për gazetën “SOT”.

Pretendimet e Shkëlzen Berishës

Ndërkohë kujtojmë se djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzeni ka reaguar lidhur me mos paraqitjen e tij në GJKKO i thirrur për të dhënë dëshminë lidhur me masakrën e 15 marsit 2008 në Gërdec.

Përmes një reagimi në “Facebook”, të publikuar në 14 dhjetor të këtij muaji, djali i ish kryeministrit thotë se nuk ka pasur asnjë ftesë për tu paraqitur si dëshmitar as në adresën e tij fizike dhe as elektronike. Ndërsa thotë se është gati të paraqitet sipas ligjit me të marrë ftesën.

“Në lidhje me disa raportime mediatike për “mos paraqitjen” time si dëshmitar në gjykatë, me duhet të sqaroj se në asnjë adresë timen fizike apo elektronike nuk ka mbërritur asnjë ftesë për t’u paraqitur për të dëshmuar! Pretendimet e SPAK, që janë qartaz në funksion të qëllimeve politike e mediatike te Edi Ramës, bien poshtë, si nga njoftimet e mëparshme që janë ekzekutuar me sukses, ashtu dhe nga fakti që personalisht në dëshminë e dhënë para SPAK kam depozituar adresën e SAKTË si dhe nr e telefonit! Mbetem i hapur për t’u paraqitur konform ligjit me të marrë ftesën”, shkroi Shkëlzen Berisha.

Çfarë ndodhi më 14 dhjetor në GJKKO?

Nga ana tjetër, kujtojmë se në prani edhe të ish-ministrit të pandehur, Fatmir Mediu, Gjykata e Posaçme dëgjoi në 14 dhjetor të këtij muaji dëshminë e ish-ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçi në lidhje me faksin e vitit 2007 me shënimin “për Shkëlzen Berishën” në dokumentin ku jepte mendim pro projektit të Ministrisë së Mbrojtjes për fabrikën e demontimit në Gërdec. Bumçi ka pretenduar se faksi për “Shkëlzen Berishën” është fals. Ish ministri tha se shënimi me shkrim dore nuk është i tij dhe se ai asokohe ka bërë kallëzim për "falsifikim". Bumçi pranoi para gjykatës, njohjen dhe kontaktet me Shkëlzen Berishën.

Ai pranoi se e ka takuar në fund të vitit 2007, ku e ka pritur dy herë në zyrë Shkëlzen Berisha për arsye elektorale dhe se mohoi të kishte diskutuar për çështjen e armëve. Po ashtu, gjykata mori në pyetje edhe dëshmitaren Alma Zili, ish-sekretare e Bumçit, e cila ka deklaruar se nuk ka qenë në punë kur është dërguar faksi me mbishkrimin ‘Për Shkëlzen Berishën’, nga Ministria e Drejtësisë tek ajo e Mbrojtjes. Zili ka thënë se e ka parë këtë faks përmes mediave.

Sakaq, në seancën në GJKKO për Gërdecin ka dëshmuar në 14 dhjetor edhe ish-këshilltari ligjor i ish-ministrit Mediu. Ai ka deklaruar se e ka takuar vetëm njëherë Patrick Henryn, presidenti i kompanisë amerikane SAC (Southern Anmmunition Company), e cila kishte lidhur kishte lidhur një kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes, për çaktivizimin e municionit të kalibrit të rëndë, të predhave të artilerisë në Gërdec. Sipas dëshmisë, takimi ka ndodhur në zyrën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, ku është prezantimi i mundësive demontuese.

Ndërkaq, në seancën e 27 dhjetorit, pra nesër në gjykatë janë thirrur në gjykatë përveç Shkëlzen Berishës, edhe dëshmitaret Anjola Agollit, ish-sekretare e Mediut, Liza Maksuti, Luan Hoxha, Ylli Pinari dhe Sokrat Papadhima. Në procesin për Gërdecin, pritet të pyeten më pas pjesa e dytë e listës, ku përfshihen ish-zyrtarë dhe ushtarakë të pandehur më parë për çështjen, përfshirë edhe ish-shefin e Shtabit Luan Hoxha, i cili ndodhet jashtë Shqipërisë që prej vitit 2012.

Faksi për “Shkëlzen Berishën”

Por thirrja e Shkëlzen Berishës në të njëjtën seancë me Aldo Bumçin, lidhet me faksin që ky i fundit i ka dërguar Ministrit të Mbrojtjes së kohës Fatmir Mediu me shënimin “për Shkëlzen Berishën”, në pjesën e sipërme të dokumentit në krahun e majtë. Përveç këtij dokumenti, djali i ish-kryeministrit pritet të pyetet edhe për takime me ministrat e kohës në qeverinë Berisha dhe një telefonatë me Fatmir Mediun menjëherë pas shpërthimit në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona e mbi 300 mbetën të plagosur.

Faksi i vitit 2007 ku është shënuar emri i Shkëlzen Berishës, ishte dhënie mendimi aprovues nga Ministria e Drejtësisë, për projekt-vendimin e qeverisë të përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes, për demontimin e municioneve në Gërdec. Më 26 janar 2023, Shkëlzen Berisha dhe Aldo Bumçi, janë pyetur edhe gjatë hetimeve paraprake nga prokuroria, ndërsa në gjykatë ata mbyllin listën e parë prej 52 dëshmitarësh.

3 Komente

  1. P
    Prapa deres zyres

    Pu pu pu kur flet ky qejfliu komunist! Pse te denuan ne kohe te Enverit dhe pse te hoqen nga kryetar i gjykates Krujes??? Kush eshte kurioz i pergjigjem!

    Përgjigjjuni
    1. a
      astor

      gelltiti nje luge corbe dhe do vjelle per ter jeten

      Përgjigjjuni
    2. S
      Shko

      Te lumte goja...te zhduket non grata dhe nga Shqiperia...krimineli mbetet kriminel

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje