Dhjetori që shkriu akullnajën komuniste

9 Dhjetor 2025, 15:44Dossier Nga Mero Baze

Dhjetori që shkriu akullnajën komuniste

Botuar më 10 dhjetor 1991, në gazetën Alternativa SD

 

Me poshte nje reportazh i botuar ne vitin e pare te protestave studentore. Nga Mero Baze

NJË VIT MË PARË

DHJETORI QË SHKRIU AKULLNAJËN KOMUNISTE

Sidoqoftë akullnajat nuk shkrijnë aq lehtë. Në një ditë jo e jo, sado i fortë të jetë dielli. As me një vit. Ato shkrijnë duke u dobësuar nga poshtë. Pak nga pak, si pa u ndjerë, pavarësisht nga ftohtësia në sipërfaqe. Pastaj rrëshqitja ndodh menjëherë duke vënë përpara gjithçka e duke lënë gjurmë që nuk fshihen gjithë jetën. Kjo mund të ndodhë në çdo stinë, në çdo muaj, në çdo ditë. Mjaft që akullnaja të ketë arritur pikën e ekuilibrit kritik me trupin ku mbështetet. Akullnaja jonë gjysmë shekullore rrëshqiti në dhjetor në ditët e para të tij. Kish filluar të lëngëzohet poshtë vetes qysh një dhjetor më pare. Gjaku i ngrohtë i diktatorit rumun duket se shkriu i pari sipërfaqen mbështetëse të saj. Erërat e ngrohta të Lindjes për një vit të tërë dobësuan gjithçka. Megjithë këmbënguljen e numrit një të partisë dhe shtetit, që ne nuk kishim punë me erërat e Lindjes, ato përsëri frynë mbi akullnajën tonë. Atëherë perëndia e akullit dhe borës së përjetshme shqiptare, Partia e Punës, filloi të imitojë erërat e lindjes për të mos i lejuar ato të kishin pushtet të plotë, për t’u zënë vendin me erërat “origjinale” shqiptare.

Por ja që cikloni i parë i korrikut mori pas 5 mijë shqiptarë. Presidenti thirri intelektualët për t’u konsultuar me ta dhe arriti në konkluzionin që “Ne s’jemi Lindje”, “Pluralizmi rrezikon pavarësinë”( kupto: karrigen) e vendit etj, përfundime me vlerë që e bënë presidentin ideator të demokracisë në Shqipëri. Por sidoqoftë akullnaja po dobësohej dhe akujt po shkrinin. Akullnaja po jetonte ditët e fundit të gjysmë shekullit të saj. Kështu një paradite dhjetori kryeministri Çarçani largohet i dëshpëruar nga Qyteti Student dhe … në mbrëmje… rrëshqitja filloi.

KATËR DITË E RRËSHQITJES SË MADHE

Padyshim që nuk ishte punë dritash e pjatash. Po të ishte vërtet kështu ata të bllokut do të ishin gati qysh atë natë që t’iu jepnin studentëve gjithë bollëkun e bllokut vetëm të mos ndjeheshim më. Por ata nuk mund të heshtnin. Ishte një mungesë tjetër e madhe, e pakompensueshme, e ëndërruar për gjysmë shekulli, e premtuar qysh në djep për shqiptarin: ishte mungesa e lirisë ajo që bëri një grup studentësh nga fakulteti i gjeologjisë dhe mekanikës, me një pishtar në dorë, të formonin gjuhën e parë të rrëshqitjes së madhe. E ndërsa nga godina në godinë vargu i studentëve që bashkoheshin me turmën rritej, para një godine u desh të qëndrohej më gjatë. Andej ende s’po dilte njeri, përveç një djali të shkurtër të veshur me xhiboks meshini të zezë dhe pantallona xhinse; “këtu flenë gjithë fëmijët e sekretarëve të parë dhe të kryetarëve të komiteteve”, tha dikush, “prandaj të mos presim kot.”

Dikush filloi të shante por të tjerët e penguan, s’i dihej se ç’ndodhte? S’qe aq e lehtë të shaje udhëheqësit. “Po na duhej ndonjë nga këta të juridikut se këta i dinë ligjet” tha njëri pak i pezmatuar “po dhe këta të filozofisë se u jepet për …”, turma e mbyti me oshëtimën e saj. Duhej të vazhdohej më tej. Në Fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike përgjithësisht shkonin fëmijët e bllokmenëve të vegjël e të mëdhenj, pra, po përgatitej nomenklatura e ardhshme, ata fillimisht morën vetëm një njeri, atë djalin e shkurtër që nuk e njihte askush por që siç u përshpërit nuk e kishte babain të madh. Ndërkaq atij që ngulte këmbë se na duhej një nga juridiku për ligjet, dikush po i mbushte mendjen se tani do të bëheshin ligje të reja dhe nuk do të kishim nevojë për ligjet e tyre. Tjetri shikonte i çuditur dhe i trembur njëkohësisht. Pastaj nuk foli dhe u bashkua me turmën. Andej nga fillimi dikush propozoi që “atë djalin që doli nga godina e fëmijëve të atyre me pozitë ta bëni kryetar”. Të tjerët e pranuan. Pak ditë më vonë atë do ta njihnin të gjithë, dikush si trim, dikush si agjent të Amerikës, dikush si të ndershëm, dikush si rrugaç që kishte ndarë tri gra, dikush si njeri dinjitoz, e dikush si njeri që ka shkuar në burg dy herë, dikush si të vënë nga Ramiz Alia për të realizuar skenarin e tij, e dikush si njeriun që i vuri gjoksin barrikadës së bajonetave të rrugës “Labinoti”, duke bërë kështu gjestin vendimtar që ndikoi aq shumë në rrjedhën e ngjarjeve të mëvonshme. Ishte Azem Hajdari, njeriu që bashkë me 10 mijë studentët e tjerë filloi rrëshqitjen e madhe të diktaturës.

Pra s’kishte pikë dyshimi që nuk ishte punë lugësh e pjatash të palara, as mungesë dritash siç përpiqej ta paraqiste në mbrëmjen e 9 dhjetorit televizioni ynë dhe më 10 dhjetor gazeta “Zëri i Popullit,” organ i asaj partie që pak kohë më vonë do ta reklamonte demokracinë si pronë të saj dhe si arritje të saj. Shokut tim gazetar i rëndonte si një mal i tërë në xhep, një fjalim i Xhelil Gjonit, atëherë sekretar i parë i Tiranës, i mbajtur një ditë më vonë më 9 dhjetor pas përleshjes së studentëve tek rruga “Labinoti” me policinë, ku ai i cilësonte studentët si të shtyrë nga armiqtë e jashtëm. Gjaku i atyre që spërkati rrugën nga presa e lopatave xheniere, është ende pa u tharë ndërsa Xhelil Gjoni dhe Ramiz Alia i kanë larë duart, dhe ministrin që qëlloi mbi ta, e kanë futur në burg.

Tani ata janë të qetë se ata janë “socialistë” e dihet që socialistët nuk janë diktatorë. Dhe mua dhjetori i sivjetëm për këtë shkak më duket më i egër se ai i vitit të kaluar, më i trishtuar se ai. Ndaj kur eci në rrugën “Labinoti”, sidomos para ndërtesës “Lenin-Stalin”, ku studentët dhjetorin e kaluar u bllokuan dhe u qëlluan nga diktatura, ndjej dhimbje për shumë arsye. Nuk është fjala vetëm për emrin e muzeut që është hequr, për suvanë e re të tij, për çatinë e re, për tabelën e re që ka (tani është ambasada e një vendi perëndimor), por për diçka që ka ngelur ende e parealizuar, ende e paplotë, për demokracinë e cila fillimisht lindi nga përgjakja e studentëve me diktaturën, para asaj godine që tani ka ndërruar gjithçka; që nuk na kujton më lindjen por perëndimin, që nuk na kujton më diktaturën komuniste por demokracinë perëndimore, pavarësisht nga gjithë këto, muret e saj janë po ato, po ato janë tullat e llaçi që e mbajnë në këmbë. Qoftë dhe për këtë shkak kaq të thjeshtë, unë sepse trishtohem, sepse më kujtohet gjithmonë Xhelil Gjoni, Fatos Nano, Ramiz Alia që ndërruan gjithçka vetëm për të qëndruar në pushtet, për të na sjellë dimra të tjerë të egër në këtë vend të lirë për 50 vjet.

COPRA AKUJSH QË PËRPIQEN TË PËRPIJINË GJITHÇKA

Më 9 dhjetor, në një shtëpi pritjeje në Lezhë, sipas dokumenteve që dolën më vonë, Foto Çami kishte ngrënë darkën e tij të fundit si “udhëheqës” dhe kishte paguar për dy veta, 2 lekë të reja. Gjithsesi nuk më hiqet nga mendja ky fakt kur mendoj se më 9 dhjetor, ndërsa numri dy i partisë që pretendon se solli demokracinë, “gjakoste buzët” me bërxolla në shtëpinë e pritjes, studentët po gdhiheshin të përgjakur duke kërkuar demokraci. Nomenklatura jonë përpiqej të shijonte ditët e fundit të pushtetit të pakufizuar.

Pastaj me qetësi mori kthesën. Por populli që ende nuk zhbironte dot përtej lojës së ndyrë të tyre, ndjehej në udhëkryq. Dhe më kujtohet se ndërsa studentët ishin të rrethuar përpara muzeut “Lenin-Stalin” e këndonin këngën: “Se mjaft në robëri/ o e mjera Shqipëri…” dhe hidhnin parrulla Liri, Demokraci, një djalë i vogël, fare i vogël, katër vjeçar që i sodiste me babain, që e mbante fort për dore, papritur filloi të brohoriste: Parti Enver jemi… Boll e ndërpreu babai. Çfarë bën! Ata nuk po bërtasin ashtu! Dëgjoji mirë! Fëmija e pa në sy i çuditur. Po ku di unë o babi, ne kështu na ka mësuar të bërtasim në festa edukatorja! Pusho të thashë i thoshte babai pak i trembur e pak i hutuar. Sot nuk dihet se ç’është, festë a zi. Një dreq e di se si do të dalë kjo punë. Fëmija pas kësaj heshti dhe bashkë me babin për dore i kaluan anash turmës së studentëve. Anash do t’i kalonin pak orë më vonë kësaj turme dhe dhjetra qytetarë nga Tirana që shkonin me qetësi për të parë ndeshjen e futbollit në stadium. Izolimi ishte i përkryer. Përvoja pesëdhjetë vjeçare e partisë shtet në atë ditë, po përdorte gjithë arsenalin e vet për të mbijetuar.

Dy minuta më vonë kur dhe dy shokët e mi gjendeshim të mbështetur tek muri i ish ambasadës Italiane dhe një zot e di si shpëtuam pa u rrahur, pra, dy minuta më vonë, gjithë fusha midis ambasadës italiane dhe muzeut “Lenin-Stalin” pra hapësira midis Lindjes e Perëndimit (Ne s’ishim as Lindje e as Perëndim, thoshte Ramiz Alia) ishte mbushur plot me studentë të gjakosur që ose vraponin ose kishin mbetur pa ndjenja në tokë. Midis kësaj katrahure një student kthehet të marrë shoqen e tij të ngelur pa ndjenja në kanalin midis fushës dhe rrugës. Kaq duhej që bishat t’i rivërsuleshin studentit, t’ia fyenin me fjalë nga më banalet shoqen e tij. Ndërkaq del një pedagog nga godina përballë (Një shtëpi dykatëshe e rrethuar) dhe ja heq nga duart studentin policit. Të gjithë e admiruan atë çast atë njeri, kur shoku im pedagog që e kisha në krah, më tha se është sekretar partie. Polici ju kthye përsëri shpëtimtarit duke i vënë tani këtij të fundit radion tek veshi “E dëgjon,” i tha, “po jep urdhër anëtari i byrosë politike.” Tjetri kafshoi buzën dhe i tha se ai nuk ishte anëtar i byrosë politike por Ministër i Punëve të Brendshme. Por polici nuk e kuptonte. Ai vazhdonte të rrihte studentin duke i thënë me zemërim, “Po, do demokraci ti, s’të pëlqen Partia e Punës.” Tjetri vazhdonte t’i thoshte përsëri policit se nuk duhet ta ngatërronte anëtarin e Byrosë Politike me Ministrin e Brendshëm. Polici, megjithëse s’e kuptonte thelbin e asaj që po i kërkonte njeriu me kollare, përsëri ju bind dhe e lëshoi studentin. U shfaq kështu njeriu i parë që filloi të ndante shtetin nga partia, njeriu që filloi t’i hiqte partisë në fuqi përgjegjësinë historike për çka kishte ndodhur, e çka po ndodhte. U shfaq njeriu i parë që filloi të provonte alibinë e Partisë së Punës. Nga ky shkak unë me dy shokët e mi filluam të ndjejmë më shumë frikë nga ky njeri se nga polici që kishim pranë e që mund të na godiste nga çasti në çast. Ai njeri sot është rinovuar e është bërë socialist dhe ndoshta e tregon me mburrje se më 9 dhjetor ka shpëtuar një student. Kjo i duhet sot për të thënë se kemi qenë si parti për demokraci paçka se na prishi punë ai ministër. Atë e futëm brenda. Ndërsa po ai polic, që rrihte atë student duke i mbajtur radion tek veshi, e shoh përherë në Qytetin Studenti, përsëri shef, në ndonjë miting a ngjarje tjetër, por tani shkopin nuk e përdor më, bile as kur rrugaçët qëllojnë studentët, as kur i vjedhin e vrasin ata, as kur i rrëmbejnë shoqet e tyre me vetura pa targa… asgjëkundi, se tani ai është me demokracinë, se studentët vetë e kërkuan këtë kohë. Ai tani rri e bën sehir, siç rrinë dhjetra shokë të tij në gjithë Shqipërinë, kur digjen shkolla, kur vriten njerëz, kur vidhet, plaçkitet, pra kur shkelet ligji. “Le të gëzojnë po deshën ata që deshën demokraci.” Po kështu dhe ai sekretari i partisë i rinovuar.

Tani plot pas një viti, Foto Çami nuk mund të hajë vërtet darkë me dy lek të reja, por ama jeton në një shtëpi komode e pa mungesa. Po ashtu Xhelil Gjoni mban 6 dhoma e askush s’ia heq se tani është demokraci e ai të hedh në gjyq bile dhe fiton. Kurse ata të vuajturit e përjetshëm, të burgosurit politikë rrinë pa shtëpi, pa punë, pa shkolla, studentët të zhgënjyer e të syrgjynosur, vendi përsëri pa qeveri.
Erdhi përsëri dhjetori i parë pa akullnajën komuniste, por me coprat e akullit që të rrezikojnë për të goditur çdo çast e çdo orë, që përpiqen të ringrinë përsëri gjithçka. Se akullnajat nuk shkrijnë kaq lehtë as në një ditë as në një muaj, as një vit. U dashka shumë kohë për zhdukur akujt e saj aq më tepër këtu, ku në shumë zemra po fryn murlani i zhgënjimit.

 

3 Komente

  1. A
    Andreas

    Te gjithe spiunet u bene gazetare...

    Përgjigjjuni
    1. H
      Humnera

      U shkri akullnaja dhe doli humnera!

      Përgjigjjuni
      1. d
        dikur

        Mero .. kam frikë se do të duhet të shkruash " Më falni për ato që kam shkruar at'here . Ka qënë një Zhgënjim i tmerrshëm, tallje me shpresën e madhe të një tufe budallenjsh viktima të padijes . Eufori kalamajsh" Qejf për të shembur dhe dëmtuar. Nuk e kanë keq Amerikanët kur nxjerrin në shitje të lirë armët dhe municionet . Jo për gjë po do të ishin shkrehur më pak plumba në 97 - ën nëse do I kishin blerë me lekë . Dua të them se me të njëjtën koncept iu vërsulëm ligjit dhe rendit shkatërro për qejf. Pa asnjë ide se ku do shkohet. Tashti që e mendoj tmerohem .

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje