Drafti i Ramës, Stano: Secili kontribut konstruktiv në dialog është i mirëseardhur

9 Qershor 2023, 16:50Politika TEMA

Drafti i Ramës, Stano: Secili kontribut konstruktiv në dialog

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, rreth draftit me propozimin për statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë që e ka dërguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se “secili kontribut është i mirëseardhur”.

“Secili kontribut konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në kuadër të të cilit është duke u diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, është i mirëseardhur”, ka thënë Stano për Radio Evropën e Lirë.

Ai tutje ka sqaruar se i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, e ka informuar përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, për rezultatet.

Kurse, pas përfundimeve të vizitave në Kosovë dhe Serbi, Borell ka nisur t’i informojë vendet anëtare të BE-së për hapat e radhës që duhet të ndërmerren.

“Përfaqësuesi i lartë është në kontakt të vazhdueshëm me liderët në rajon dhe me shtetet anëtare të BE-së. Siç kemi thënë disa herë në të kaluarën, diskutimet dhe draftimi i statutit të Asociacionit/Bashkësisë mund të zhvillohet vetëm në kornizën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, theksoi Stano.

Ai tutje konfirmoi se plani që ishte më 5 dhe 6 qershor të zhvillohej sesioni i parë i draftimit të Asociacionit në nivel të ekspertëve dhe të dyja palëve u ishin dërguar ftesat qysh më parë.

Mirëpo, për shkak të përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës, i dërguari i posaçëm i BE-së, Lajçak, u desh të shkojë në Kosovë dhe në Serbi dhe ky takim nuk u zhvillua.

“I dërguari i posaçëm i BE-së është i gatshëm të organizojë takimin e draftimit shumë shpejt dhe është në kontakt me të dyja palët”, deklaroi Stano.

Më 8 qershor, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka propozuar një draft për Asociacionin në Kosovë.

“Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe kancelarit Scholz, që janë dy kumbarët e propozimit franko-gjerman një draft të asociacionit, për të cilën kam vënë në dijeni edhe Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, si dhe palën amerikane”, pohoi fillimisht Rama gjatë një konference për shtyp.

Sipas tij, bëhet fjalë për një draft të punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikan dhe evropian prej kohësh, “gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë”.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe vlerësohet të jetë një mekanizëm i madh për serbët – pas votës së kualifikuar, që për çështjet që prekin interesat e tyre, është një lloj vetoje – porse, atë po e kërkon një “palë e tretë” nën kontrollin e tij, me idenë e interferimit në një sistem të brendshëm.

Ndërkaq, autoritetet kosovare kanë frikë jo për atë që sot paraqet legalisht ky instrument, mirëpo për faktin se çfarë ai mund të paraqesë në të ardhmen, gjatë implementimit praktik, me theks të veçantë krijimin e një modeli të ri të Republikës Serbe – entiteti serb në Bosnjë dhe Hercegovinë.

 

Lini një Përgjigje