“Referuar teoricienëve politikë, nëse nuk lufton për të ardhur në pushtet, nëse qëndron rehat në opozitë dhe e shndërron humbjen në rutinë, atëherë nuk je në krizë politike, por në mizerie personale”. Kështu argumenton analisti Fitim Zekthi. Në një intrevistë për Tema, ai thotë se kjo nuk është krizë e opozitës si strukturë, por krizë e politikës si koncept. Është kriza e politikës shqiptare tek politikja, tek mungesa e vullnetit për të bërë politikë reale.
Zekthi mendon se opozita shqiptare nuk organizon dot revoltë popullore jo sepse qytetarët janë indiferentë, por sepse nuk i afrohen më dhe nuk e konsiderojnë alternativë. Për vite me radhë, Partia Demokratike dhe politika në tërësi kanë zgjedhur rrugën më të lehtë: t’ia faturojnë elektoratit apatinë, mungesën e besimit dhe boshllëkun e shesheve. Por njerëzit nuk dalin në protesta sepse nuk besojnë. Dhe mosbesimi nuk lind nga mungesa e thirrjeve, por nga mungesa e përmbajtjes.
Ai beson se protesta, dikur një institucion social dhe një instrument qytetar, sot është shkatërruar dhe jo nga populli, por nga politika. “Protesta ishte pronë e studentëve, punëtorëve, fermerëve dhe qytetarëve të pambrojtur. Politika e mori dhe e delegjitimoi si institucion social dhe e konsumoi deri në boshatisje”. Analisti beson se protesta e 10 shkurtit dhe ajo që pritet të vijë më pas e nxjerr këtë qartë: uzurpimi i sheshit si strategji nuk prodhon mobilizim, por zhgënjim. Opozita nuk ka potencial të afrojë elektoratin sepse nuk ofron as vizion, as sakrificë, as rrezik. Ndaj “rehatia” e vendit të dytë, sipas Zekthit, është kthyer në strategji, ndërsa vazhdimësia e kësaj rehatie po e mban politikën në mizerie.
Shqipëria vuan nga një sistem dypartiak i ngrirë, thotë Zekthi, duke e cilësuar si të panatyrshëm për demokracinë europiane. Sipas tij, asnjë vend në Europë nuk ka një sistem si i yni, ku për 35 vite në krye të dy partive kryesore qëndrojnë të njëjtët njerëz. Në vende me histori dhe tranzicione të ngjashme si Rumania apo Bullgaria janë ndërruar dhjetëra liderë. Këtu jo. Këtu rotacioni është vetëm i roleve, jo i mendësive.
Zekthi thotë gjithashtu se, në këtë realitet, Edi Rama mund të jetë i humbur përballë SPAK-ut, por mbetet i fituar përballë opozitës. Jo për shkak të forcës së tij, por për shkak të dobësisë përballë tij. Halli i parë i shqiptarëve sot është një qeveri e korruptuar, thotë Zekthi, por më pas vjen edhe opozita që nuk përfaqëson alternativë.
Vonesa e Gjykatës Kushtetuese për çështjen Balluku është një tjetër simptomë e kalbëzimit institucional. Një situatë që nuk ndodh në asnjë vend normal të botës, por që në Shqipëri pranohet si rutinë.
Ndërkohë, brenda PD-së, lëvizja Salianji shihet si një përpjekje për të trazuar ujërat, por mbetet e paqartë nëse do të prodhojë ndryshim real apo thjesht riformatim brenda të njëjtit qark vicioz. Kjo për shkak të mënyrës se si është drejtuar ajo parti në vazhdimësi. Zekthi analizon edhe refuzimin e Shehajt të partisë Mundësia dhe Qorit të Lëvizjes Bashkë ndaj nismës për bashkëpunimin e opozitës, duke treguar se fragmentarizimi është më i fortë se dëshira për bashkim.