Grupi i dialogut miraton planin e punës për Reformën Zgjedhore, ja afati i dorëzimit të projektligjit në Kuvend

15 Prill 2024, 14:00Politika TEMA
Grupi i dialogut miraton planin e punës për Reformën Zgjedhore,

Grupi i Dialogut, i përbërë nga mazhoranca dhe Rithemelimi në Kuvendin e Shqipërisë ka miratuar planin e punës për Reformën Zgjedhore.

Në planin e punës, janë përfshirë disa aspekte, si çështjet për sistemin zgjedhor, koalicionet parazgjedhore, përkthimi i drejtë i votës në mandate përfaqësimi, përfshirja apo jo e referendumeve si pjesë e Kodit Zgjedhor, si dhe forcimi dhe garantimi i lirisë se votimit dhe ruajtjes së parimit të votës së fshehtë.

Po ashtu bëhet me dije se Grupi i Dialogut mund të vendosë me konsenus për diskutim edhe çështje të tjera që lidhen me zgjedhjet.

Hartimi i dispozitave sipas këtij Kalendari mund të kërkojë ndërhyrje legjislative në ligje të tjera. Ndërkohë Grupi i Dialogut ka caktuar edhe afatin përfundimtar të përfundimit të këtyre projektligjeve, i cili do të jetë jo më vonë se 1 korriku.

Plani i punës:

Tema dhe Çështje

Dispozita të përgjithshme: objekti, përkufizime dhe parime për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore.

Zgjedhësit dhe përgatitja e listës së zgjedhësve:

– përmbajtja, hartimi dhe miratimi i listës së zgjedhësve;

– procesi i përgatitjes së listës së zgjedhësve.

Regjistrimi i subjekteve zgjedhore, rregjistrimi i kandidatëve, zona zgjedhore dhe numri i mandateve për çdo zonë. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nr. 31, datë 04.10.2021 dhe nr. 28, datë 30.06.2021.

Votimi i shtetasve, administrimi dhe numërimi i votave të shtetasve shqiptarë me banim jashtë Republikës së Shqipërisë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 38, datë 9.12.2022.

Kufizimet dhe/ose ndalimet e parashikuara për përdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje.

Institucionet për përgatitjen dhe administrimin e zgjedhjeve:

–   Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve;

–   Komisionet e nivelit të parë të Administrimit të Zgjedhjeve;

–   Komisionet e nivelit të dytë të Administrimit të Votimit.

Infrastruktura e zgjedhjeve:

– Organizimi i infrastrukturës së zgjedhjeve;

– Përgatitja e dokumentacionit zgjedhor dhe dërgimi i materialeve zgjedhore;

– Votimi;

–  Kushtet për administrimin e votimit dhe rezultati zgjedhor;

– Teknologjia në zgjedhje, pilotimi, garancite e votimit dhe te procesit te numerimit;

– Transparenca e veprimtarisë së KQZ-së dhe organeve te tjera.

Fushata zgjedhore, monitorimi i fushatës zgjedhore dhe fushata zgjedhore në media audiovizive dhe në mediat sociale, si dhe ndalimet perkatëse.

Financimi i zgjedhjeve dhe i fushatës zgjedhore:

– financimi i zgjedhjeve;

– financimi i subjekteve zgjedhore;

– financimi i kundërligjshëm i zgjedhjeve dhe financimi i fushatave zgjedhore nga burime te huaja.

Ankimi administrativ, hetimi administrativ, sanksionet dhe ankimi gjyqësor.

Çështje të tjera për zgjedhjet perfshire sistemin zgjedhor, koalicionet parazgjedhore, përkthimi i drejtë i votës në mandate përfaqësimi, përfshirja apo jo e referendumeve si pjesë e Kodit Zgjedhor, si dhe forcimi dhe garantimi i lirise se votimit dhe ruajtjes së parimit të votës së fshehtë.

Grupi i Dialogut mund te vendosë me konsenus për diskutim edhe çështje të tjera që lidhen me zgjedhjet.

Hartimi i dispozitave sipas këtij Kalendari mund të kërkojë ndërhyrje legjislative në ligje të tjera si Kodi Penal, ligje te tjera, etj.

Miratimi në tërësi i projektligjit dhe eventualisht i projektligjeve te tjera të lidhura me të.

Lini një Përgjigje