“Ka humbur besueshmërinë” - Bislim Ahmetaj zbardh detaje nga përplasja me Nokën në mbledhjen e kryesisë të PD-së

16 Dhjetor 2025, 14:40Politika TEMA
“Ka humbur besueshmërinë” - Bislim Ahmetaj zbardh detaje

Bislim Ahmetaj, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike, ka zbuluar detaje nga debatet e forta të zhvilluara brenda drejtimit të PD-së, duke theksuar se përplasja me sekretarin e përgjithshëm Flamur Noka lidhet me nevojën për ndryshim dhe rifitim të besimit brenda partisë.

Ahmetaj u shpreh se në mbledhjet e fundit të kryesisë ka qenë i drejtpërdrejtë, duke kërkuar shkarkimin e disa drejtuesve politikë në qarqe dhe zëvendësimin e tyre me figura që gëzojnë besueshmëri te demokratët. Sipas tij, Flamur Noka “ka humbur besueshmërinë” dhe perceptimi për rolin e sekretarit të përgjithshëm nuk është pozitiv te një pjesë e madhe e anëtarësisë.

“Sekretari i përgjithshëm është një peshë shumë e rëndë dhe kërkon një figurë të hapur, koherente dhe gjithëpërfshirëse”, theksoi Ahmetaj në emisionin Puls me Bruna Çifligun në A2 CNN.

Një tjetër pikë e fortë e debatit në kryesi ishte edhe çështja e Avokatit të Popullit. “Këta e konsiderojnë aksesor, është institucion shumë i rëndësishme që nga emri dhe që nga puna. Pse s’e ka bërë punën kurrë është histori tjetër, se këtu s’bën punë askush, por po ta bëjë punën, Avokati i Popullit është një referencë e jashtëzakonshme për ndërkombëtarët, është një referencë e jashtëzakonshme për qytetarët”, tha Ahmetaj.

Lini një Përgjigje