Lapaj kërkon mandatin që premtoi se nuk do ta merrte. “Shqipëria Bëhet”, por me skema të vjetra

17 Korrik 2025, 16:55Politika TEMA
Lapaj kërkon mandatin që premtoi se nuk do ta merrte.

Në një tjetër episod të serialit politik “Si të hysh në Kuvend pa e thënë hapur”, koalicioni “Shqipëria Bëhet” i është drejtuar zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me një kërkesë për t’i dhënë mandatin e vetëm të fituar më 11 maj, Adriatik Lapajt.

Ironia është e freskët: gjatë fushatës, Lapaj pati premtuar publikisht se nuk do të pranonte mandatin nëse koalicioni do të siguronte vetëm një vend në Kuvend. Por siç duket, premtimet kanë afat skadence – ndryshe nga mandatet, që mbeten po aq tërheqëse sa herën e parë.

Në letrën dërguar KQZ-së, “Shqipëria Bëhet” argumenton se kandidatët e tjerë në listën e mbyllur kishin dorëzuar dorëheqje nga kandidimi që përpara shpalljes së rezultatit – kur “mandati ende nuk ekzistonte”. Me fjalë të tjera, kanë hequr dorë nga diçka që teknikisht nuk e kishin. Një lëvizje që pa frikë mund të kandidojë për çmimin e logjikës më krijuese të vitit.

Kjo lëvizje vjen pasi skema e famshme e “kandidatëve teknikë” – pra emra të futur në listë thjesht për të mbushur radhët dhe për t’u tërhequr pas zgjedhjeve – u rrëzua si një shtëpi prej letrash. Daja i Endri Shabanit, një nga aleatët më të afërt të Lapajt, hoqi dorë nga dorëheqja dhe kërkoi të marrë mandatin. Pas tij, edhe një tjetër kandidate zgjodhi të mos largohej, duke i prishur skemat e përgatitura me kujdes.

Në kërkesën e tij, Lapaj argumenton se është “fituesi real” pasi, sipas tij, kishte një marrëveshje paraprake ku të gjithë në listë kishin rënë dakord të tërhiqeshin pas zgjedhjeve. Një marrëveshje gojore mes miqsh, që mesa duket supozohej të kishte peshë më të madhe se ligji zgjedhor.

Por ndërsa përkthimi juridik i kësaj kërkese mbetet sfidë për KQZ-në, mesazhi politik është i qartë: edhe ndryshimi kërkon pak trukime. Sidomos kur ndryshimi përplaset me realitetin e emrave që nuk duan të jenë vetëm fasadë.

Dhe kështu, ajo që nisi si një lëvizje për të ndryshuar politikën, po përfundon me receta të njohura. Lista të mbyllura, pazare të hapura, marrëveshje në letër të padukshme – dhe sigurisht, një mandat që si duket, pavarësisht gjithçkaje, vlen gjithmonë./VNA.AL

3 Komente

  1. H
    Haka Tekizoti

    Po çfarë pandehni? Në këtë Shqipërinë tonë të tërë ata që hyjnë në politikë hyjnë për të vjedhur ose për të mbrojtur e shtuar ato që kanë vjedhur. Të paktën shumica e tyre këtë tregon. Edhe ata që futen në organet e rendit, të hetimit apo të gjykimit të njëjtin qëllim kanë. Edhe kjo dëshmohet nga shumë raste, ndërsa shumica e rasteve që duhej të ishin bërë publike mbyllen brenda llojit të hajdutëve, mes të cilëve qarkullon paraja e vjedhur për të mbyllur çështjet pa i nisur fare. Vodhe, dua pjesën që të mos ndihem, kjo është marrëveshja e bërë zakon. Idealistët ose kanë vdekur ose i kanë futur në karantinë.

    Përgjigjjuni
    1. T
      Tik Llapa si Ver Llapa

      Llapa Llapa Llapa Llapa , Ver Llapa , Tiku Llapa ky eshte specie e rreziksheme . Ka punuar per familjen kriminale Berrisha si assistent i Argida Berrishes

      Përgjigjjuni
      1. M
        Me ne fund e nxorri koken Tiku .

        Poshte Berishizmi !

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje