Nga kërkesa për heqjen e ligjit të luftës te trajtimi i pronave historike të shqiptarëve, mesazhet e Spiropalit në Athinë

16 Dhjetor 2025, 16:56Politika TEMA
Nga kërkesa për heqjen e ligjit të luftës te trajtimi i

Nga Athina, në një deklaratë të përbashkët për shtyp me homologun e saj grek, Ministrja Spiropali kërkoi nga Greqia heqjen e ligjit të luftës, të cilin e cilësoi si referencë ligjore atavike nga Lufta e dytë Botërore.

"Duke qenë partnerë në NATO, të lidhur nga një Traktat Miqësie dhe me perspektivë të përbashkët europiane, Shqipëria mbështet përfundimin sa më parë të çdo reference ligjore atavike nga Lufta e dytë Botërore, me pasoja në marrëdhëniet aktuale, e cila nuk pasqyron realitetin e marrëdhënieve tona si aleatë dhe si miq. Dua ta falenderoj posaçërisht Ministrin për lidershipin dhe vizionin për të ndërtuar një marrëdhënie me sytë nga e ardhmja", tha Spiropali.

Ministrja Spiropali konfirmoi se "Shqipëria mbetet po ashtu e përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të lidhura me kufirin (përfshirë edhe delimitimin e hapësirave detare)".

Kjo sipas saj, do të ndodhë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, ku palët janë plotësisht të hapura për dialog konstruktiv.

"Ne do të vijojmë të udhëhiqemi nga vlerat thelbësore të BE-së, nga respekti për normat e të drejtës ndërkombëtare për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe promovimin e stabilitetit në rajon", tha Spiropali.

Ministrja u ndal edhe te aspektet historike ligjore dhe pronësore të qytetarëve dhe subjekteve shqiptare në Greqi, që sipas saj, u trajtuan hapur në kuadër të dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit dypalësh.

"Palët theksuan rëndësinë e një qasjeje graduale dhe realiste, në përputhje me kuadrin ligjor përkatës dhe me frymën europiane, me qëllim forcimin e besimit reciprok dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve tona", tha Spiropali.

Ajo kërkoi gjithashtu, vazhdimin e negociatave teknike për marrëveshjen bilaterale për mbrojtjen sociale.

"Kjo marrëveshje përbën një hap të rëndësishëm përpara në mbrojtjen e të drejtave të sigurimeve shoqërore dhe në garantimin e trajtimit të barabartë për punëtorët dhe personat e vetëpunësuar, si për shqiptarët në Greqi apo qyetetarët grekë qëpunojnë në Shqipëri. Një shembull pozitiv dhe inkurajues është përvoja e suksesshme me firmosjen e marrëveshjeve të ngjashme me shumë vende partnere të Bashkimit Europian, përfshi Italinë në vitin 2024, apo edhe vende të tjera", tha Spiropali.

Ministrja e jashtme njoftoi se "e informova kolegun tim që Qeveria e Shqipërisë ka ndërmarrë një reformë të plotë të pronësisë, që synon rikthimin e ligjshmërisë në çështjen shumë komplekse të të drejtave të pronës në Shqipëri për shtetasit pa dallim etnie, pra edhe pjesëtarët e minoritetit grek në Shqipëri."

"Ne e çmojmë pozitivisht, këmbënguljen e Kryeministrit Mitsotakis e të qeverisë së tij për respektimin e të drejtave të minoritetit, sepse është një vëmendje dhe një shtysë që na mban të angazhuar deri në detaje, ashtu sikundër bashkëpunimin tonë duam ta shtrijmë deri në detaje me interes zhvillimor të përbashkët, si për shembull, bashkëpunimi mes dy agjencive tona kadastrale për digjitalizimin dhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale në trajtimin e titujve të pronësisë - një territor ku Greqia ka bërë progres mbresëlënës", përfundoi Spiropali.

3 Komente

  1. D
    Dashi

    Të lumtë goja zonja ministre . Askush nuk ja ka kërkuar Greqisë kaq hapur e kaq çkoqur problemet midis dy vendeve .

    Përgjigjjuni
    1. a
      astrit

      Kujtesë historike Vorio-Epiri sipas mendësisë greke shtrihet deri te lumi Shkumbin në Shqipërinë e Mesme. Sipas tyre fuqitë e mëdha i kanë bërë dëm të madh Greqisë duke ja marë këto teritore greke e dhënë Shqipërisë. Grekët ngrenë e financojnë lëvizjen Vorio-Epirote që kërkonin me vullnet paqësor ose me luftë ta mernin Vorio-Epirin nga Shqipëria. "Komiteti Ushtarak i Vorio Epirit" mobilizon një forcë ushtarake vullnetare të përbërë nga vorio-epirot të Shqipërisë e Greqisë dhe që drejtoheshin nga ish ushtarak të ushtrisë Greke me origjinë Vorio-Epirot si përgjigje të fuqive të mëdha që nuk pranuan që Vorio-Epiri ti jepej Greqisë. Mbas luftës së Dytë Botërore në Paris në Konferencën e Paqes, Greqia kërkoi teritoret e Shqipërisë që ti bashkëngjiteshin asaj. Më 30 gusht 1946, seanca plenare e Konferencës së Paqes në Paris, me 11 vota pro, 7 kundër dhe 2 abstenime vendos që të fusë në rend të ditës propozimin e Greqisë për kufirin jugor të Shqipërisë. Bashkimi Sovjetik vuri veton për të penguar këtë projekt. Mbas luftës civili Greke në vitet 1950-1960 mer hov pretendimi për tokat e shqiptarëve. Në kongresin e I-rë të Vorio-Epirotëve Pandeli ( Pandelimon) Kotoko u betua si kryetar i saj dhe mori titullin “ Kryetar i Frontit të Kryengritjes Vorio-Epirote” Pandelimon Kotoka ishte me origjinë shqiptare nga fshatrat e Korçës dhe ka qenë Episkopi i Gjirokastrës, e braktis postin e Episkopit dhe largohet së bashku me trupat greke që u mundën nga ushtria fashiste Italiane. Kisha Autoqefale Shqiptare e ka larguar nga posti i Episkopit me arsyen se ka braktisur besimtarët orthodoks të Gjirokastrës Nuk u kthye kurrë në Shqipëri.Sologjet (Bashkësitë) Vorio-Epirote përbëheshin nga njerëz që ishin me origjinë nga Korça, Kolonja, Përmeti, Gjinokastra, Delvina, Saranda, Himara. Në prag të prishjeve të mardhënje të BRSS e Shqipërisë në Greqi shkon për vizitë Ministri i jashtëm i BRSS për nder të tij në Bashkinë e Athinës u shtrua një drekë ku krerët e Vorio-Epirit, Peshkopi Pandelimon Kotoko, Theodhor Veniqellis, Vasil Xango, Nikolla Pango dhe Vasil Muçi i dorëzuan një letër ku i kërkonin Bashkimit Sovjetik ta urdhëronte Shqipërinë që kjo e fundit t’ja jap Vorio-Epirin Greqisë me paqe e pa luftë. Në pranverë të vitit 1960 Vorio-Epirotët me ndihmën e ushtrisë Greke kishin vendosur të fillonin kryengritjen në Shqipërinë e Jugut dhe mbas fillimit të kryengritjes do ndërhynte ushtria Greke. Bashkimi Sovjetik i Traktatit të Varshavës në konfliktin që kishin me Enver Hoxhën nuk kishte kundërshtim që Greqisë t’i plotësohej kërkesa për autonomi të Vorio-Epirit. Në mesi i vitit 1960 Italia si antare e NATOS është kundër pretendimeve Greke për Vorio-Epirin. Në maj 1960 Italia, në një raport që i drejtonte komandës së NATO-s, përshkruante si territor shqiptar atë pjesë të Greqisë veriore nga kufiri i sotëm jugor shtetëror deri në gjirin e Artës. Kemi një konflikt midis dy antarëve të Natos, Italisë e Greqisë. Nato nuk pranon të mbështesë Greqinë për Vorio-Epirin. Në këtë kohë Shqipëri Komuniste e Enver Hoxhës me pushkatime, burgosje, internime shuajnë me dhunë e persdekutim të egër lëvizjet e brëndëshme Vorio-Epirote që kishin nisur të zhvillonin një pjesë e grekëve të Shqipërisë në përgjithësi krahu anti komunist. Në vitin 1978 Greqia deklaron se nuk ka pretendime kufish nga fqinjët e saj.

      Përgjigjjuni
      1. M
        Maro

        Cte tha per ligjin e luftes?

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje