Reforma administrative-territoriale, e miratuar më shumë se një dekadë më parë, vazhdon të mbetet një nga ndërhyrjet më të debatueshme në arkitekturën e shtetit shqiptar. Për ekspertin e pushtetit vendor Agron Haxhimali, problemi nuk qëndron vetëm te modeli i zgjedhur, por te mënyra se si u zbatua dhe u deformua politikisht me kalimin e viteve.
Haxhimali e cilëson modelin e 36 bashkive–rrethe si variantin më të suksesshëm të organizimit territorial. Një model që, sipas tij, do të garantonte një shpërndarje më të drejtë të burimeve për çdo njësi vendore. Paradoksi, thotë ai, është se ky model u ndërtua në një kohë kur nuk ndikonin interesat partiake, sepse nuk kishte dy palë politike, por ishte vetëm një parti, që ishte parti-shtet.
Haxhimali flet për dështimin e reformës së miratuar më shumë se dhjetë vite më parë, e cila sipas tij nuk garantoi decentralizim. Përkundrazi, solli që Shqipëria u shndërrua në një rast unik në Evropë, ku kryeministri mbledh kryebashkiakët më shpesh sesa qeverinë e tij, ndërhyn drejtpërdrejt në administratat vendore dhe shkarkon stafe bashkish, duke shkelur paradoksalisht kompetencat e pushtetit vendor. Për Haxhimalin, kjo përbën dështimin e plotë të procesit të decentralizimit, duke e kthyer reformën në një mekanizëm formal pa autonomi reale.
Një kapitull më vete mbetet bojkoti i opozitës. Në vitin 2014, mospërfshirja e saj në procesin e reformës prodhoi kosto të larta politike dhe institucionale. Ndërsa bojkoti i zgjedhjeve lokale të vitit 2019, sipas Haxhimalit, është një “njollë turpi” për demokracinë lokale, me pasoja të rënda në përfaqësim dhe kontroll institucional. Një lojë e dobët politike, e shoqëruar me paqartësi të thellë për vizionin administrativ dhe debate të humbura në kohë.
Pas 12 vitesh zbatim, pasojat janë të prekshme: dështim në shërbime, boshatisje e zonave rurale dhe përqendrim ekstrem i burimeve. Haxhimali thekson se dështimi i decentralizimit nuk është vetëm pasojë e reformës territoriale, por e mënyrës se si pushteti qendror refuzoi t’i japë realisht kompetenca dhe financa pushtetit vendor.
Sot, politika duket se po ulet sërish në një tryezë të përbashkët. Reforma administrative po rikthehet në diskutim, sipas ekspertit, me dy kolona kryesore korrigjimi: riorganizimi territorial dhe rivendosja e funksionimit real të decentralizimit. Por çfarë kërkojnë realisht palët politike? Sipas Haxhimalit, mazhoranca synon kontrollin dhe stabilitetin, ndërsa opozita ende nuk ka një qëndrim të qartë dhe të artikuluar për modelin administrativ që propozon.
Alternativa e rikthimit te mbi 80 bashki mbetet në tryezë, por shoqërohet me kosto të larta financiare dhe administrative, pa garanci për përmirësim shërbimesh. Në këtë panoramë, modeli i 36 bashkive–rrethe mbetet, sipas Haxhimalit, opsioni më racional dhe më pak i politizuar. Por pa vullnet politik për të respektuar autonominë vendore, çdo reformë rrezikon të mbetet thjesht një rishpërndarje hartash, pa prekur thelbin e problemit: mungesën e demokracisë funksionale në nivel lokal.