Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, priti sot (8 qershor) në një vizitë zyrtare Kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviç, me të cilin zhvilloi një takim të përqendruar në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve.
Gjatë takimit, dy homologët vlerësuan nivelin shumë të lartë të marrëdhënieve shqiptaro-kroate, të mbështetura në partneritetin strategjik, vlerat e përbashkëta euroatlantike dhe vizionin e përbashkët për stabilitetin, sigurinë dhe integrimin europian të Ballkanit Perëndimor.
Kryetari Peleshi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke e cilësuar Zagrebin një partner të rëndësishëm politik dhe teknik në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ai ndau me homologun kroat progresin e Shqipërisë në negociatat me BE-në dhe vlerësoi hapjen e të gjithë grupkapitujve si një arritje historike për vendin.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe dimensioni parlamentar i bashkëpunimit, ku të dy kryetarët theksuan rëndësinë e diplomacisë parlamentare në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. Ata shprehën gatishmërinë për të intensifikuar bashkëpunimin ndërmjet komisioneve parlamentare, grupeve të miqësisë dhe delegacioneve përkatëse, veçanërisht në fushat e integrimit europian, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik.
Kryeparlamentari kroat Jandrokoviç vlerësoi avancimin e shpejtë, arritjet, qartësinë dhe vendosmërinë e Shqipërisë si vend pararojë mes vendeve kandidate drejt integrimit europian, rikonfirmoi mbështetjen e Kroacise si edhe nënvizoi gadishmërinë e Parlamentit kroat për të mbështetur Kuvendin në aspektet politike e teknike të anëtarësimit.
Peleshi dhe Jandrokoviç ritheksuan gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke vlerësuar nismën trilaterale Shqipëri-Kroaci-Kosovë si një kontribut konkret për forcimin e sigurisë rajonale dhe rritjen e bashkëpunimit ndërmjet aleatëve.
Gjatë takimit u diskutua edhe për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, lidhshmërinë rajonale, projektet infrastrukturore dhe energjetike, si dhe potencialin për bashkëpunim më të madh në sektorin e turizmit. Palët ndanë bindjen se këto fusha përbëjnë shtylla të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm dhe integrimin e mëtejshëm rajonal.
Vizita e Kryetarit të Parlamentit të Kroacisë në Tiranë konfirmoi edhe një herë marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe angazhimin e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit politik, parlamentar dhe strategjik në shërbim të paqes, sigurisë dhe perspektivës europiane të rajonit.
Lini një Përgjigje