“Protesta është rikthim te vetja”/ Bardhoshi: Shqiptarët po rimarrin politikën nga partitë e zaptuara (VIDEO)

12 Qershor 2026, 15:06Politika TEMA
“Protesta është rikthim te vetja”/ Bardhoshi:

Antropologu Nebi Bardhoshi e sheh protestën e ditëve të fundit jo vetëm si një reagim ndaj projektit në Zvërnec dhe Sazan, por edhe si një moment ku shoqëria shqiptare po rizbulon veten si komunitet politik.

Gjatë një bashkëbisedimi në “Apostrof” me Bjorn Runën, Bardhoshi u ndal te mënyra se si protesta ka krijuar një ndjesi të re solidariteti mes qytetarëve.

“Ne kemi një fjalë të mirë dhe koncept që e kemi përdorur keq edhe këtë, si shok dhe shoqe gjatë socializmit, por që i paraprin kësaj, që është koncepti i shokut. Çfarë dua të them me këtë? Kënaqësia e të paturit të tjetrit në krah”, tha Bardhoshi.

Sipas tij, ajo që po ndodh në protestë përmban njëkohësisht elementin e rikthimit dhe të shkëputjes.

“Ajo çfarë po ndodh këto ditë ka aspektin edhe të rikthimit dhe shkëputjes, që e mbart revolucioni. Pra edhe të rikthimit në kuptimin klasik, përmes ciklit të rikthimit ku ishim, por edhe të shkëputjes”, u shpreh ai.

Bardhoshi tha se ky rikthim duhet kuptuar si kthim te njeriu që kemi pranë dhe si një moment reflektimi për vendin ku shoqëria shqiptare ka çeduar.

“Është rikthimi tek njeriu që ke në krah. Dhe për mua të dyja këto lëvizje janë, si të thuash, rikalkulim ku kemi çeduar si shoqëri”, tha antropologu.

Duke folur për raportin e shqiptarëve me politikën pas viteve ’90, Bardhoshi tha se partitë politike u zaptuan dhe pjesëmarrja në politikë nisi të shihej si diçka e diskredituar.

“Partitë u zaptuan në Shqipëri. Nuk është se u pyetëm. Gradualisht u zaptuan dhe u bë e vështirë karriera brenda partive politike dhe u bë e pamodës më. Pra, nuk është më trendi të ishe në politikë”, tha ai.

Sipas Bardhoshit, kjo krijoi një humbje të madhe për shoqërinë, pasi politika nisi të shihej jo si veprim civil, por si antipolitikë.

“Politika u pa gradualisht si antipolitikë, pra në sensin që po qe se merreshe me politikë, do ishe gënjeshtar, do ishe një njeri pa prestigj. Dhe kjo ishte humbje e madhe për shoqërinë tonë, që të marrurit me politikë filloi të shihej si diçka që nuk është civile, nuk është e duhur”, u shpreh Bardhoshi.

Ai tha se protestat e 12-13 ditëve të fundit mund të lexohen edhe si një rikthim tek vetja dhe tek shoqëria.

“Këto 12-13 ditë janë celebrim edhe i kësaj. Janë celebrim i rikthimit tek vetja, janë njëfarë celebrimi i shoqërisë dhe është aspiratë për me e ndryshu”, tha Bardhoshi.

I pyetur nëse kjo energji mund të prodhojë ndryshim real, ai u shpreh se kjo mbetet për t’u parë, por shtoi se shpresa është detyrim.

“A do t’ia dalim? Do ta shohim gradualisht. Kemi si obligim për me e besu, si të thuash, për me pas shpresë që po”, përfundoi ai.