Seancë plenare dhe kaos e protestë nga deputetët e Rithemelimit! Çfarë pritet të ndodhë sot në Parlament?

5 Shkurt 2024, 09:47Politika TEMA
Seancë plenare dhe kaos e protestë nga deputetët e Rithemelimit!

Pasditen e kësaj të hëne do të mbahet seanca e radhës plenare. Në rend të ditës, në seancat që vijnë pas javës së gjelbër është vetëm një çështje: diskutimi për problematikat e qytetarëve.


Megjithatë, edhe këtë javë pritet të mos ketë surpriza, deputetët do të shkojnë në seancë vetëm për disa minuta, pasi opozita do të vijojë bojkotin e bllokimin e seancave.

Në këtë sesion të ri deputetët e Rithemelimit kanë protestuar me pankarta e zhurmuese, por megjithatë foltoren  nuk e kanë lëshuar.

Në kushtet kur në radhët e grupit të deputetëve të Bardhit e Berishës është kërkuar edhe radikalizmi i aksionit, këta të fundit nuk kanë pritur kthimin nga vizita në SHBA e atij që e njohin si kryetar të grupit, Gazment Bardhit, por kanë njoftuar protestë përpara parlamentit teksa brenda mbahet seanca.

Protesta është thirrur në orën 17:00 dhe nga parlamenti do të zhvendoset aty ku prej javësh është përqendruar aksioni i Rithemelimit, poshtë banesës së ish kryeministrit Sali Berisha.

E teksa e hëna, pritet të mos prodhojë surpriza, seanca e ditës së enjte do të jetë edhe më e rëndësishme, pasi pritet të kalojnë një sërë projektligjesh, mes të cilëve më i rëndësishmi, ai që rikthen bastet sportive online, që nga opozita është kundërshtuar gjatë.

Për këtë ligj, mazhoranca i ka votat, pasi duhet shumicë e thjeshtë, por të tjera nisma kanë mbetur peng në Kuvend për shkak se PS-së për t’i kaluar i duhen edhe votat e opozitës, siç janë pagat e Gjyqtarëve të Kushtetueses, amnistia penale apo zgjedhja e avokatit të popullit.

Lini një Përgjigje