"Shqipëria në krah të Kosovës kur flitet për kërcënime, por i këshillon liderët për rëndësinë e aleatëve

9 Shkurt 2024, 15:11Politika TEMA

"Shqipëria në krah të Kosovës kur flitet për

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme në Republikën e Shqipërisë, Igli Hasani, nëpërmjet një postimi në median sociale ka reaguar mbi seancën e mbajtur në Këshillin e Sigurimit mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka zgjedhur të sjellë në vëmendje deklaratën e përfaqësueses së Përhershme të SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, e cila vuri dje në dukje se ka “kërcënime akute ndaj sigurisë dhe stabilitetit që vijnë nga jashtë Kosovës”.

Ministri thekson se, Shqipëria qëndron në krah të Kosovës në parandalimin e çdo kërcënimi të jashtëm, por njëkohësisht Shqipëria do të vazhdojë të këshillojë liderët e Kosovës për rëndësinë e koordinimit të ngushtë me aleatët e saj kryesorë.

Më tej Hasani shkruan se nuk mjafton vetëm të dënojmë Banjskën.

“Ne duhet të sigurohemi që kjo të mos ndodhë më kurrë”.

Më herët për seancën reagoi edhe kryeministri i vendit, Edi Rama.

Ai tha se ishte një seancë pa kuptim.

Rama në median sociale Twitter – tashmë të njohur si X – shkruan se vetë Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk është vendi për asgjë që lidhet me Kosovën.

Sipas kryeministrit, Kosova dhe Serbia duhet të përqendrohen plotësisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të fokusohen në arritjen e marrëveshjeve për qarkullimin financiar, shërbimin postar, taksimin e dyfishtë dhe të gjitha çështjet e tjera që prekin jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm.

Kjo duke siguruar edhe një të ardhme paqësore për brezat e ardhshëm.

Numri një i Qeverisë shprehet se, Shqipëria qëndron pranë Kosovës në parandalimin e çdo kërcënimi të jashtëm, dhe sedo të vazhdojë t’i theksojë lidershipit kosovar rëndësinë e koordinimit të ngushtë me aleatët e saj kryesorë.

“Qëndrimi i palëkundur dhe i vazhdueshëm së bashku me ta tregon ndjenjën e vizionit dhe përgjegjësisë shtetërore, ndërkohë që çdo rast i qëndrimit të vetëm në rrugën e njohjes së plotë e zbeh pozitën e vendit në sferën publike të marrëdhënieve ndërkombëtare”, finalizon Rama komentin e tij.

Në një përballje të rrallë publike të enjten në Këshillin e Sigurimit të Organizatës Kombeve të Bashkuara (OKB), dy liderë ballkanikë që assesi të dalin nga situata parakonfliktuale, akuzuan njëri-tjetrin për gjendjen e tendosur në marrëdhëniet ndërshetërore, ndërsa shtetet anëtare të OKB-së shprehën drojën për potencialin destruktiv të veprimeve të papërgjegjshme.

Në hijën e retorikës së nxehtë dhe akuzave plot zemërim, në selinë e OKB-së në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç peshuan faktorët e alternimit të tensionit dhe krizës së mbrehtë në pjesën veriore të Kosovës të banuar nga serbët etnikë që përpiqen të mbajnë një sistem paralel.

Presidenti i Serbisë shpertheu në propagandë në nisje të seancës së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke thënë se vendimi i fundit i autoriteteve të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në territorin kosovar nuk ilustron vetëm “vazhdimësinë e sulmeve sistematike” ndaj serbëve të Kosovës, por është edhe “krim kundër njerëzimit”.

“Ndalimi i dinarit si mjet i ligjor pagese në territorin e Kosovës është vetëm një akt në vargun masave të planifikuara, të mirë organizuara dhe sistematike të Prishtinës, të cilat sulmojnë pupullatën serbe dhe qëllimi perfundimtar i së cilave është që në fund të krijojnë kushte të padurueshme jetese dhe të dëbojnë serbët nga territori i Kosovës”, tha ai.

“Nëpërmjet ndalimit të dinarit, regjimi i Prishtinës drejtpërdrejt pamundëson funksionimin e institucioneve shëndetësore, sociale, arsimore e kulturore që u mundësojnë serbëve për t’i siguruar vetes dhe familjeve të tyre kushte bazike për të pasur arsim, trajtim shëndetësor, medikamente”, shtoi Vuçiç.

E kryeministri i Kosovës gjatë adresimit para organit kryesor të OKB-së, deklaroi se pretendimet e Serbisë për shkelje të të drejtave të serbëve në Kosovë janë thjeshtë gënjeshtra të shpikura nga përkeqësimi i mendjes së një njeriu, instiktet politike të të cilit janë farkëtuar në epokën e ish-udhëheqësit fashist të Serbisë, Sllobodan Millosheviç, i cili kreu gjenocid në Kosovë.

Ai shtoi se Kosova nuk synon të hakmerret ndaj mizorive të pakrahasueshme të Serbisë të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, ndërsa ftoi presidentin serb ta nënshkruajë marrëveshjen e paqes së përkthyer në një dokument për të cilin Kosova dhe Serbia u pajtuan vitin e kaluar në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE).

Përfaqësuesja e SHBA-ve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Linda Thomas-Greenfield, nëpërmjet versioneve të larmishme e të nuancuara të neutralitetit dhe neutralizimit, përfshirë tonin alarmues-qortues ndaj autoriteteve të Kosovës, përsëriti kritikën rreth rregullores së BQK-së, duke e kualifikuar si veprim të pakoordinuar dhe të pakonsultuar paraprakisht.

Megjithatë, diplomatja amerikane qartësoi se dialogu i lehtësuar nga BE-ja dhe assesi Këshilli i Sigurimit i OKB-së, duhet të jetë kanali për zgjidhjen e çështjeve të hapura midis Kosovës dhe Serbisë, përfshirë mirëqenien e komunitetit serb në Kosovë.

Deklaratën e përfaqësues amerikane e mbështetën të gjitha vendet demokratike liberale, përveç Rusisë dhe Kinës.

 

Lini një Përgjigje