Një raport i publikuar nga Global Initiative Against Transnational Organized Crime (GI-TOC), mbi integritetin dhe pavarësinë e institucioneve të drejtësisë penale në Ballkanin Perëndimor, i kushton një kapitull të veçantë Shqipërisë. Ai vlerëson se vendi ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të forcuar sistemin e drejtësisë, por korrupsioni, ndikimet politike dhe mungesa e mekanizmave të fortë të mbikëqyrjes vijojnë të mbeten pengesa të mëdha.
Reforma në drejtësi, e nisur në vitin 2016, solli ndryshime rrënjësore në arkitekturën institucionale përmes krijimit të institucioneve të posaçme si Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) dhe gjykatave të posaçme. Megjithatë, raporti evidenton se korrupsioni vazhdon të cënojë seriozisht integritetin dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë. Lidhjet me rrjete kriminale, ndërhyrjet politike në hetime dhe praktikat e padrejta në gjykime mbeten shqetësime të theksuara.
Procesi i vettingut, i mbështetur nga Komisioni Europian dhe Komisioni i Venecias, është cilësuar si një instrument kyç për pastrimin e sistemit nga gjyqtarë dhe prokurorë që nuk plotësonin standardet e etikës dhe profesionalizmit. Sidoqoftë, ai ka sjellë edhe probleme të dukshme: ritmi i ngadaltë i procesit krijoi boshllëqe në sistem, mungoi ndjekja penale e atyre që u shkarkuan për shkelje të rënda, ndërsa në disa raste, individë me lidhje politike arritën t’i shpëtonin ndëshkimit.
Në raport kritikohet edhe funksionimi i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKPKI). Ky institucion, që ka për detyrë të verifikojë pasuritë dhe konfliktet e interesit të zyrtarëve, shpesh operon pa transparencë të plotë dhe konsiderohet i ekspozuar ndaj presioneve politike. Një problem i theksuar është se deklaratat e interesave private të zyrtarëve nuk publikohen rregullisht, duke lënë hapësirë për dyshime mbi pasuritë e pajustifikuara.
Raporti evidenton gjithashtu fragmentimin e institucioneve anti-korrupsion. Përveç SPAK dhe ILDKPKI-t, në vitet e fundit janë ngritur struktura të tjera si Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Anti-Korrupsion, Komisioni Parlamentar ad-hoc dhe Agjencia për Dialog e Bashkëqeverisje. Kjo ka sjellë mbivendosje kompetencash dhe mungesë koherence, duke e dobësuar efektivitetin e luftës kundër korrupsionit.
Megjithatë, përveç problemeve, raporti sjell edhe elementë pozitivë. SPAK ka rritur ndjeshëm numrin e hetimeve dhe procedimeve ndaj zyrtarëve të lartë gjatë viteve të fundit, ndërsa Këshilli i Lartë Gjyqësor ka fituar një rol më të fortë në ruajtjen e pavarësisë së sistemit. Po ashtu, projekte të mbështetura nga Bashkimi Europian janë duke ndihmuar modernizimin e drejtësisë, përmes dixhitalizimit të sistemeve dhe rritjes së transparencës publike.
Raporti i GI-TOC rekomandon një sërë masash për Shqipërinë: forcimin e mekanizmave të mbikëqyrjes pas vettingut, rritjen e transparencës së vendimeve gjyqësore, fuqizimin e ILDKPKI-t me më shumë burime dhe kompetenca, si dhe krijimin e kushteve që gjyqtarët dhe prokurorët të jenë më rezistentë ndaj presioneve politike. Pa këto hapa të mëtejshëm, paralajmëron raporti, ekziston rreziku që reformat të mbeten të cungura dhe besimi i publikut në drejtësi të mbetet i ulët.
Link i raportit të plotë: https://globalinitiative.net/analysis/integrity-and-independence-of-the-judiciary-and-anti-corruption-bodies-in-the-western-balkans/
E mer citjonezi,cjane kto gjona mer lanet....as per 15 a 20 vjet nuk ka shanc me hi m'evrop me ket korrupsion....!!! Madje nuk ka cudi qe te futet me pare m'evrop "bektosh state" i baba Rrahimondit me tanga,para Albaniston-it... gezuar Novruzin!
Je bere qesharak qeroso