
Turqia, gjegjësisht Ministria e Mbrojtjes, përmes një komunikate për media këtë të shtunë, ka bërë të ditur se do të dërgojë një batalion komandosh si përforcim për Forcën Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR-in.
Trupat ushtarake turke, sipas komunikatës, do të arrijnë në kazermën ushtarake në Prizren më 4-5 qershor.
“Pas ngjarjeve që ndodhën në Kosovë, një batalion komando i lidhur me Komandën tonë të Brigadës së 65-të të Mekanizuar të Këmbësorisë (Kırklareli), u caktua si njësi rezervë me kërkesë të NATO-s”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes.
Më tej në komunikatë bëhet e ditur se Ministria e Mbrojtjes së Turqisë po ndjek me vëmendje zhvillimet në Ballkan, duke apeluar kështu te Kosova dhe Serbia të kenë një qëndrim konstruktiv e të përmbahen nga përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës.
Ndryshe ditë më parë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se Aleanca ka vendosur të dislokojë 700 trupa të tjera nga Forca Operacionale për Ballkanin Perëndimor në Kosovë dhe ka vendosur gjithashtu një batalion shtesë të forcave të NATO-s në gatishmëri të lartë.
Në anën tjetër presidenti i Francës, Emmanuel Macron, menjëherë pas takimit joformal 10-minutësh ndërmjet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe homologut të saj serb, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se Franca dhe Gjermania, u kanë kërkuar autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë që të mundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe.
Ndërsa Borrell, i cili ishte pjesë e këtij takimi, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Twitter”, do të tregonte tri kërkesat që ia kanë paraqitur të enjten Franca dhe Gjermania presidentes Osmani dhe të cilat, autoritetet kosovare duhet t’i përmbushin menjëherë ngase në të kundërtën “do të ketë pasoja serioze” për shtetin më të ri në Evropë.
“Zgjedhje të reja në veri menjëherë, garantimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës dhe nisja e punës për themelimin e Asocicionit të Komunave me Shumicë Serbe. Dështimi për të bërë këtë, do të ketë pasoja serioze për marrëdhëniet tona”, shkroi Borrell.
Ore po serbet nuk duan te marin pjese ne zgjedhje, se Kurti jua tha atyre hajde merni pjese ne zgjedhje dhe ata i bojkotuan. Kurti nuk ishte kundra mbajtes se zgjedhjeve normale ne ato zona .