Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të nisë verifikimin e thelluar për Tonin Marinaj, kryebashkiakun socialist në Malësinë e Madhe të cilën PD e akuzon se ka fshehur të dhënat në formularin e vetëdeklarimit.
Sipas PD-së, në 2016 Prokuroria e Antimafias Italiane ka hetuar Marinaj si drejtues i një organizate kriminale e përbërë prej më shumë se dhjetë anëtarësh, me baza vepruese në Shqipëri dhe Itali, e angazhuar sistematikisht, profesionalisht dhe në vazhdimësi në eksportimin në territorin italian të sasive të mëdha të mariuanës për t’u shpërndarë me pakicë nga anëtarët e organizatës kriminale.
Vendimi u mor sot nga kryetari i KQZ-së Ilirjan Celibashi.
“Kryerjen e verifikimit të thelluar për Tonin Zef Marinaj, Kryetar në Bashkinë Malësi e Madhe, i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, dhe dërgimin e të dhënave përkatëse Prokurorisë së Përgjithshme për vlerësim të mëtejshëm. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”.
Kreu i Bashkisë së Malësisë së Madhe reagoi duke hedhur poshtë akuzat, ndërsa i konsideroi si një “skenar të dobët frymëzuar nga ndonjë pasdritare”.
Kujtojmë se në dokumentin që PD ka dërguar në Prokurori, shikon se aty janë gjeneralitete të tjera. Në shkresë(në foton bashkngjitur), thuhet se Marinaj i datëlindjes 05.12.1996 është në rolin e drejtuesit të një organizate kriminale.
Sipas këtyre gjeneraliteteve, del se Marinaj është 30 vjeç, kur në fakt, kryebashkiaku i Malësisë së Madhe është i datëlindjes 05.12.1966, pra 58 vjeç.
Ende nuk dihet, nësë ajo që është shkruar në shkresë është thjesht një lapsus i atij zyrtari të PD që e ka hartuar, apo i përkasin gjeneralitetet e një tjetër personi që ka emër të ngjashëm.

Bravo Celibash... keshtu eshte kur punon nje here ne 4 vjet e rrogen e merr perdite ... (dhe c'a rroge....)