VIDEO/ Dhjetori i braktisur

15 Dhjetor 2025, 17:15Politika TEMA
VIDEO/ Dhjetori i braktisur

“Raporti me lirinë ka mbetur i pazgjidhur”, thotë Elsa Ballauri, protagoniste e zhvillimeve të vrullshme të Dhjetorit ’90. Në një intervistë për Tema, Ballauri thekson ndër të tjera se liria që erdhi si premtim në atë fund të diktaturës dhe nisje të historisë së pluralizmit, u trajtua si pronë nga një elitë që nuk u shkëput kurrë realisht nga diktatura, një elitë që u riciklua, u adaptua dhe më pas përvetësoi kauza që nuk i përkisnin.

Fotografia e jashtëzakonshme e Dhjetorit ’90, studentë, intelektualë, punëtorë, shumica e shqiptarëve, mbushin sheshet në kërkim të lirisë. Sot duket si një dëshmi e largët e një besimi të madh, besimi se e keqja kishte mbaruar, se frika ishte thyer, se historia kishte ndërruar kah. Por shpejt u pa se ndryshimi politik nuk do të thoshte domosdoshmërisht ndryshim elitar. Elita komuniste nuk u largua. Ajo ndryshoi formë. U integrua në strukturat e reja, dominoi hapësirat politike dhe, paradoksalisht, përvetësoi edhe kauzën e të përndjekurve politikë. Një kauzë që duhej të ishte themeli moral i demokracisë, u shndërrua në dekor.

Ballauri thekson se raporti ynë me lirinë mbeti i sëmurë, sepse nuk u përballëm kurrë seriozisht me të shkuarën. Ajo rrëfen detaje të asaj kohe, momentin e parë kur u lajmërua në BBC Forumi i të Drejtave të Njeriut, ku do të ishte drejtuese dhe që kishte si qëllim kryesor të drejtat e njeriut, që zëri i viktimave të diktaturës të dilte përtej kufijve të Shqipërisë. Ishte një thirrje për drejtësi, jo për hakmarrje.

Ballauri vëren se ata që e kishin paguar më shtrenjtë diktaturën nuk u bënë kurrë bashkë për të ndërtuar një rezistencë të fortë ndaj elitës që vinte prej diktaturës. Të përçarë, të lodhur, të manipuluar, ata mbetën dëshmitarë të dhimbjes së tyre, jo arkitektë të së ardhmes.

Ballauri rrëfen detaje të vizitës së parë në burgjet komuniste; përballja me qelitë, me historitë e pathëna, ishte një tronditje që nuk u shndërrua kurrë në politikë shtetërore kujtese. Historia e persekutimit të gjyshit dhe familjes, torturat në “Shtëpinë me Gjethe”, kalvari nëpër burgje, nuk janë rrëfime individuale, janë plagë kolektive që nuk u shëruan, sepse nuk u njohën kurrë plotësisht.

Ajo vëren gjithashtu se, ironikisht, pas ’90-ës, u vetëshpallën antikonformistë edhe ata që nuk e kishin vuajtur diktaturën. Zëri i tyre u bë më i fortë se ai i viktimave reale. Narrativa u përmbys.

Sot, antikonformistët e rinj janë ndryshe. Janë të rinj pa shpresë, pa besim, të lodhur nga një tranzicion i stërzgjatur. Rinia e sotme, thekson Ballauri, është pasqyra më e qartë e dështimit tonë për të ndërtuar një elitë të re.

Ballauri flet për situatën e sotme të Partisë Demokratike, duke u kthyer në kohën kur kjo parti ishte shpresa, dhe shtron pyetjen: a mund të parashikohej kjo e sotmja pas 35 vitesh? “Ndoshta po, nëse do të kishim lexuar shenjat e hershme të autoritarizmit, përjashtimit dhe mungesës së reflektimit”. Dilema ku sot gjenden demokratët e vërtetë lidhet me pyetjen: a ka përfunduar cikli historik i Partisë Demokratike apo është deformuar nga brenda, duke humbur misionin fillestar?

Elsa Ballauri flet për festimet e këtij 8 Dhjetori, 35 vite pas. Gjithnjë e më pak protagonistë, më pak spektatorë, një përvjetor që nuk festohet më me entuziazëm, sepse ndoshta nuk dihet më çfarë të festohet: lindja e lirisë apo zhgënjimi i saj.