Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu deklaroi se është realizuar një marrëveshje binjakëzimi me qendrën spitalore “Sheba” në Izrael, për të adresuar problematikat e shfaqura së fundi në spitalin onkologjik.
Në mbledhjen e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Koçiu tha se kjo qendër shëndetësore do të mbështesë për një vit spitalin onkologjik me stafe të dedikuara.
“Aktualisht, Ministria e Shëndetësisë por edhe Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza janë duke kryer edhe një rivlerësim të mënyrës së organizimit dhe funksionimit aty [spitali onkologjik]. Ndërkohë, nga ana tjetër një lajm i mirë është që ne kemi realizuar një marrëveshje binjakëzimi me qendrën spitalore “Sheba” në Izrael, që është një nga qendrat spitalore më të mëdha në botë, e cila do të asistojë dhe do të mbështesë spitalin onkologjik për një vit me stafe të dedikuara, duke vlerësuar të gjithë protokollet mjekësore aty,” u shpreh Ministrja Koçiu.
Lini një Përgjigje