VIDEO/ Marrëveshja Rama-Berisha? Alibeaj: Senati si një strehë për mëkatarët e dy palëve

31 Tetor 2025, 10:30Politika TEMA
VIDEO/ Marrëveshja Rama-Berisha? Alibeaj: Senati si një strehë

Një marrëveshje e re mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha ka nisur të projektohet, sipas ish-deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj. Në një intervistë për TemA, Alibeaj thotë se zhvillimet e fundit politike tregojnë rikthimin e një formule të vjetër bashkëpunimi, të ngjashme me atë të vitit 2008, me qëllim rikrijimin e kontrollit të përbashkët mbi sistemin politik dhe eliminimin e çdo alternative reale opozitare.

Sipas Alibeajt, propozimi për krijimin e një Senati, i artikuluar nga Berisha dhe i mbështetur nga mazhoranca, është prova më e qartë e këtij skenari. Ai e cilëson këtë institucion që mund të krijohet si një “strehë për mëkatarët e të dy palëve”, që do të ofrojë imunitet dhe vazhdimësi pushteti për elitën e vjetër politike, duke zhbërë frymën e reformës në drejtësi. Alibeaj paralajmëron se reforma kushtetuese po projektohet për të neutralizuar SPAK-un dhe hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, ndërsa reforma zgjedhore synon të mbyllë garën politike dhe të shuajë çdo alternativë tjetër opozitare, e cila mund të rrezikojë “opozitarizmin e përjetshëm të Berishës”.

Valëvitja e “flamurit të bardhë” çdo ditë, duke lënë pas akuzat për ngjarjet e 11 majit, lidhjet e mazhorancës me krimin, përdorimin e administratës në zgjedhje dhe çështje të tjera që më parë i konsideronte të pakalueshme, tregon se Berisha është më i interesuari për një marrëveshje të tillë. Duke bërë një paralelizëm me vitin 2008, Alibeaj kujton se atëherë Rama kërkonte që përmes reformës kushtetuese të arrinte dominimin e Partisë Socialiste – dhe e arriti – ndërsa Berisha ishte i kërcënuar nga çështja e Gërdecit. Sot, argumenton ai, Rama ndihet i kërcënuar nga drejtësia, ndërsa Berisha është në zgrip të humbjes së kontrollit mbi opozitën.

“Historia po përsëritet,” thotë Alibeaj. “Qëllimet i bashkojnë sërish dy ‘armiqtë’ e përbetuar”, pavarësisht ‘armiqësisë’ që përpiqen të shfaqin në publik.”

2 Komente

  1. G
    Go West

    Shume e drejte. Presidentet dhe kryeministrat tane, qe mendohet te jene pjese e senatoreve te perhershem jane personat me te urryer nga shqiptaret. Dhe jo pa arsye. Moren ne dore shtetin me te pasur bote ne vitin 1990 (Me qytetaret me te varfer ne bote) qe posedonte gjithçka dhe ne tre dekada ja nxoren e po ja nxjerrin themelin paturpesisht, duke i lene pensionistet shqiptare, pronaret reale te atyre pasurive, nga me te mjeruarit ne Europe. Do te veçoje vetem nje personalitet linear, zotin Moisiu. Ne keto kushte Senati dhe "senatoret tane" jane nje mbrapashpine e shemtuar e politikaneve, qe kenaq krejt ekuacionin: Berisha, Meta e kompani, qe shqiptaret i duan ne burg, behen senatore te perjetshem, Rama mbret!

    Përgjigjjuni
    1. J
      Jurist i moshës së Ngjelës

      Gjynah i madh që e flakën si leckë këtë deputetin e Fierit . Sa ishte me Salën i shërbeu me zell , tani që e ka armik flet ca të vërteta që nuk i pëlqejnë plakut , i cili po kërkon shtigje dhe brima për të fshehur krimin . Alibeu , si njohës i mirë i mentalitetit të tij , bën mirë që mundohet ti djegë etapat e realizimit të ëndrës . Krimineli duhet të përgjigjet për veprat e kryera .

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje