Ambasada pranë dallgëve të Oqeanit

5 Shkurt 2026, 13:40Blog Nga Visar Zhiti

Diplomacia e kujtesës… në prag të festës së Kosovës

Lisbona është e bukur dhe në dimër, madje të pëlqen të endesh dhe nëpër shi mbi florën e gurëve rrugëve të gjera, kërkon të shohësh sa më shumë, t’u ngjitesh kodrave me tramin e verdhë, të shkosh në Kështjellë, në Panteon, në muzeume, në librarinë më të vjetër në botë, të futesh në kisha, atje ku ka lindur Shën Antoni, të dalësh në anën tjetër të lumit të madh, të mahnitesh në muzg me shtatoren madhështore të Krishtit Mbret, të ngjitesh me ashensor brenda piedestalit, të dalësh në taracën lart e të shohësh qytetin e pafund, çatitë e kuqe, po brenda piedestalit të futesh në Kapelë, në shitoret, te kisha poshtë, të vazhdosh me autobuzin e linjës mbi urat e gjata dhe të duash të shohësh oqeanin.
Portugalia është vend mesdhetar nga dielli dhe kultura, por dhe oqeanik nga dallgët dhe fryma…
Por unë doja të shkoja patjetër në Ambasadën e Republikës së Kosovës, e ndjeja, ishte më shumë se dëshirë, jo vetëm sepse Shqipëria nuk ka ambasadë në Portugali. Nuk ishte kureshtja, as mungesa e ambasadës tjetër dhe unë kam punuar në diplomaci, por një thirrje si nga larg, me mister dhe përmallim.

Po shkonim për atje, në Rostelo, hapësirave ku historia portugeze nuk e harron vetveten si perandori detare, pikërisht në Rua Gonçalo Velho Cabral dhe ndalim pranë një vile të bardhë. “Urdhëroni si në shtëpinë tuaj”, thonë malësorët tanë dhe kështu do të dëgjonim. Në anë të portës, mes blerimeve në mur, tabela e argjendtë “Embaixada da Republica do Kosovo”, Flamuri blu me hartën e Kosovës si një gjethe e brishtë a si zemër me 6 yjet sipër. Doja t’i ledhatoja.
Ambasadorja, Dr. Edona Maloku, me bashkëshortin, Artor Berdyna, na pritën me përzemërsi si bashkatdhetarë e kolegë, me protokoll miqësor, na nxorën pije nga Kosova, na dhuruan Hyjneshën e Kosovës në fron, shumë interesante, pra emblema e një gruaje, jo shpata e pirgje, por simbol i mëmësisë dhe i pjellorisë së tokës, Dardania nuk mbart vetëm histori konflikti, por dhe burim jete dhe kulture të lashtë, po mendoja. Prandaj dhe Kosova ka në krye si presidente një grua dhe shumë gra i ka dërguar si ambasadore nëpër përfaqësitë e saj. Ndërkaq znj. Edona i jep Edës sime një medalion me qendisma të grave të traumatizuara nga lufta e fundit me serbët, që tronditën botën me genocidin, masakrat dhe përdhunimet, UÇK-ja po i përgjigjej luftës me luftë, por u detyrua NATO me SHBA në krye të ndërhynte ushtarakisht, e para luftë morale, që të pushonin dëbimet masive dhe të vendosej armëpushimi. Kosova u çlirua dhe u shpall Republikë.
Portugalia e njohu herët, që në 2008 Kosovën si shtet të pavarur.

Teksa vizitojmë mjediset e ambasadës, shohim piktura dhe relike, ambasadorja na tregon për mbresat e saj në ceremoninë e shkëmbimit vjetor të urimeve të Vitit të Ri me Presidentin e Portugalisë Marcelo Rebelo de Sousa në Palacio Nacional da Ajuda. Ajo me Artorin e saj ishin veshur me petkat kombëtare. Gjatë bisedimeve riafirmohet përkushtimi i Kosovës në thellimin e marrëdhënieve diplomatike me shtetin mik të Portugalisë dhe të përparimit të prioriteteve të përbashkëta.

Kosova jonë është shtet i ri, ka nevojë parësore njohjet, pra diplomacinë legjitimuese, që të forcojë praninë në çdo shtet njohës të BE-së. Shqipëria nuk ka ambasadë në Lisbonë, shkaqet nuk janë politike, por financiare dhe praktike, besoj. Rrjeti diplomatik shqiptar është i kufizuar, prandaj Shqipëria zgjedh, vendet fqinje së pari, BE qendrore, Itali, Gjermani, Francë dhe SHBA patjetër, të parën.
Marrëdhëniet me Portugalinë janë miqësore, por jo intensive, mund të thonë specialistët e Ministrisë së Punëve të Jashtme, diaspora shqiptare aty është e pakët ashtu si dhe shkëmbimet ekonomike dhe zakonisht mbulohet nga përfaqësi jo rezidente, nga ambasadat tona pranë si ajo në Madrid dhe tani në Paris.
Marrëdhëniet ndërkombëtare nuk janë vetëm nota verbale, takime të nivelit të lartë e traktate, por ndjeshmëri popujsh, kulturore dhe vetëdije historike.
Kjo vizitë më vuri në mendime. Gëzueshëm. A duhet t’i them? Rrënjët e popullit shqiptar janë më të thella se mosha politike e tij.
Ambasadorja jonë e Prishtinës, përfaqësuesja e shtetit më të ri në Europë, flet me qetësi e pa komplekse. Sigurisht që ajo i di, por mua më lindi dëshira të hedh disa shënime.

Shtet i ri, popull i lashtë

Republika e Kosovës është e re në hartën politike, por e vjetër në kujtesën e Evropës dhe të Amerikës. Gjysmë e Shqipërisë, që na dhimbet vazhdimisht shkëputja, por shtet i pavarur dhe serioz, që na bën krenar, me një popull të lashtë dardan. Pra ilirë, arbër më pas dhe tani shqiptarë. Shteti i Kosovës nuk fillon me aktet e njohjes ndërkombëtare, por me historinë kombëtare të përbashkët, me emra që i paraprijnë shteteve moderne.
Pra, me të drejtë do të duhet përdorur diplomacia kulturore, morale, diplomacia e mirëkuptimit. Dhe ajo e kujtesës.
Bota Perëndimore euroatlantike, civilizimi dhe gjithë ai zhvillim i mrekullueshëm mbështeten në këto kolona kryesore: në Antikitetin Helen, në të Drejtën Romake dhe në Shpirtin Kristian. Me Krishtin bota mori doktrinën e dashurisë.
Por ka qenë një rrugëtim i vështirë mijëvjeçarësh, me luftëra pa mbarim, pushtime e perandori, plaçkitje, zhdukje popujsh e gjuhësh, skllevër dhe rrënoja, biblioteka të djegura, censurë, kryqëzim të Krishtit dhe përndjekje të të krishterëve.
Shqiptarët si popull i lashtë dhe si shtet janë në këtë vorbull që zien si gjenezë.

Si fqinjë me grekët kanë ndarë fat të përbashkët, legjenda e balada e gjuhë, edhe pse krejt të veçanta, i kanë dhënë dhe marrë njëri-tjetrit fjalë dhe heronj. Arvanitasit u shquan në revolucionin grek për pavarësi.
Perandoria romake njeh perandorë me origjinë ilire. Konstandini i Madh, shekulli IV pas Krishtit, figurë kyçe e antikitetit të vonë, lindi në Naissus, Nishi i sotëm, në Serbi, por atëherë ende nuk kishin ardhur sllavët në Ballkan. Babai i tij, Konstanci Klor, dhe nëna Helena ishin me origjinë ilire. Ai që ndryshoi përgjithmonë fytyrën shpirtërore të Evropës ishte dardan, nga Kosova e sotme. Ky fakt e vendos Kosovën historike jo në periferi, por në qendër të qytetërimit. Diplomacia shqiptare e Prishtinës nuk shpik identitet, por e rikujton atë.
Kur punoja në Romë, ambasada e Serbisë çdo vit përkujtonte Konstandinin e Madh si “i dalë nga toka serbe”, ndërsa ambasadat tona nuk bënin asgjë. Shqiptarët duhet ta thërrasin Konstandinin e Madh në akademi, konferenca e përvjetorë, në diplomaci, si të tjerët, në mos më shumë. Edhe Portugalia është e krishterë.

Iliria që flet në Lisbonë

Një tjetër urë lidhëse është Shën Jeronimi, përkthyesi i Biblës në latinisht, Vulgata. Në Lisbonë një nga monumentet më madhështore mban emrin e tij, Manastiri i Jerónimos-it. Edhe ai ishte ilir. Nëse Konstandini krijoi politikën e lirë të krishtërimit, Shën Jeronimi krijoi tekstin e ndërgjegjes së krishterë.
Guri flet. Arkitektura lutet. Emri i një shenjti ilir jeton në zemër të Portugalisë, në brigjet atlantike. Edhe Ambasada e Prishtinës në Lisbonë duket si një rikthim i kësaj kujtese.

Skënderbeu dhe Europa e përbashkët

Gjergj Kastrioti shfaqet si figurë europiane, mbrojtës i kufirit lindor të krishtërimit. Skënderbeu ishte aleat i Alfonsit V të Aragonës, mbretit të Napolit, i lidhur me dinastinë portugeze të Avis-it. Portugalia e njeh Skënderbeun përmes kronikave iberike si Principe da Albania, Defensor da Cristandade. Ai mbetet simbol i Evropës së përbashkët. Ambasada e Kosovës ka ç’të tregojë për Skënderbeun si hero evropian.

Nënë Tereza vjen edhe si shtatore

Në Lisbonë ndodhet shtatorja e Nënë Terezës, vepër e skulptorit shqiptar Butrint Morina, dhuratë nga Kosova. Në ceremoninë e përurimit morën pjesë Presidentja e Kosovës dhe Kryetari i Bashkisë së Lisbonës. Ekziston edhe një rrugë me emrin e saj. Nënë Tereza ka qenë në Portugali si themeluese e Misionareve të Bamirësisë dhe në Fatima ka folur për dashurinë dhe lutjen. Prindërit e saj janë nga Kosova.

Uliksi dhe aktori nga Kosova

Lisbonës i pëlqen miti i Uliksit dhe e lidh origjinën e emrit të saj me të. Uliksi më i bukur në kinematë e Europës është ai i aktorit kosovar Bekim Fehmiu. Ambasadat shqiptare mund ta shfaqin kudo.
Kosova dhe Shqipëria janë bashkë në rrugën e kthimit drejt familjes europiane, ku Portugalia ka rol të rëndësishëm si urë mes Europës, Afrikës dhe Amerikës Latine. Portugalia shquhet për rol paqësor dhe peshë morale.

Mësoj se Ambasada e Republikës së Kosovës në Lisbonë është hapësirë veprimtarish diplomatike, kulturore dhe akademike. Diaspora shqiptare është e pakët, por e ndjeshme. Takova Kristi Ndrion, asistent diplomatik, dhe poeten Erida Gjini, që ka përkthyer në shqip një roman të shkrimtarit portugez Lobo Antunes.
Ambasadorja Dr. Edona Maloku-Bërdyna është intelektuale, PhD në Psikologji dhe Shkencat Sociale, diplomuar në Universitetin Leiden, e kthyer për t’i shërbyer Kosovës. Ajo përfaqëson Kosovën e pasluftës dhe ëndrrën euroatlantike.

Dhe oqeani në fund

Vizituam Oqeanin Atlantik në Cascais dhe Boca do Inferno. Dallgë të mëdha përplaseshin me shkëmbinjtë. Dialogu mes ujit dhe gurit dukej i pafund. Ndjeva Kosovën si dallgë që kërkon hapësirë dhe nuk ndalet. Historia e saj nuk është vetëm tragjedi, por etikë qëndrese dhe diplomaci kujtese.
Ne do të iknim, oqeani do të vazhdonte të gjëmonte. Po mbyllej një ditë, një udhëtim dhe një ese, me mundësi vazhdimesh të gjithanshme.

 

Lini një Përgjigje