Ambasadori shqiptar në Kosovë apel për kujdes, Malaj: Udhëtoni drejt Kosovës vetëm me pajisje dimërore

8 Janar 2026, 14:15Rajoni TEMA
Ambasadori shqiptar në Kosovë apel për kujdes, Malaj:

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka përcjellë një mesazh sensibilizues për qytetarët shqiptarë që po udhëtojnë drejt Kosovës gjatë sezonit dimëror.

Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Malaj thekson se Kosova është aktualisht e mbuluar nga bora, ndërsa fluksi i vizitorëve nga Shqipëria është rritur ndjeshëm, veçanërisht për arsye turistike dhe për sportet dimërore në zonat malore.

“Bëni shumë mirë që zgjidhni Kosovën”, shkruan ambasadori, duke vlerësuar interesin e qytetarëve për të vizituar vendin fqinj. Megjithatë, ai lëshon një thirrje për kujdes maksimal në qarkullim.

Sipas Malajt, është e domosdoshme që automjetet të jenë të pajisura me goma dimri dhe zinxhirë, pasi mungesa e tyre jo vetëm rrezikon jetën e udhëtarëve dhe familjeve të tyre, por edhe pengon qarkullimin e mjeteve të tjera në rrugë.

“Shpeshherë, për shkak të mungesës së pajisjeve të duhura, mbetja në rrugë krijon probleme serioze për qarkullimin”, thekson ambasadori.

Në fund të mesazhit, Petrit Malaj u bën thirrje qytetarëve që të planifikojnë udhëtimin me përgjegjësi, duke shijuar bukuritë dimërore të Kosovës në mënyrë të sigurt.

“Mirë se vini dhe udhëtim të mbarë!”, përfundon apeli i ambasadorit.

Lini një Përgjigje