Borrell fton në takim në Bruksel Kurtin dhe Vuçiç

8 Dhjetor 2022, 15:30Rajoni TEMA

Borrell fton në takim në Bruksel Kurtin dhe Vuçiç

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për takim në Bruksel.

Këtë e bëri të ditur Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Peter Stano, në një konferencë për media teksa tha se data e takimit ende nuk dihet.

“Disa herë kemi thënë se do të ketë takim mes presidentit Vuçiç dhe kryeministrit Kurti. Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, i ka ftuar ata të vinë në Bruksel. Do të japim datën e saktë kur të jetë e caktuar”, tha Stano.

Situata në veri të Kosovës është përshkallëzuar më 6 dhjetor pasi disa grupe të qytetarëve serbë penguan hyrjen e zyrtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor në zyrat e këtij institucioni në veri, me qëllim të përgatitjes për zgjedhje, dhe kështu kanë shkaktuar incidente me armë zjarri.

Për incidente të tilla është raportuar në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Një ditë më vonë, në Mitrovicë të Veriut është raportuar për dy shpërthime lëndë piroteknike.

Zgjedhjet për komunat veriore  Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan janë caktuar për 18 dhjetor.

Lini një Përgjigje