Brnabiç, leje jo veç për Mitrovicën e Veriut, por edhe komuna të tjera në Kosovë

4 Shtator 2022, 19:40Rajoni TEMA

Brnabiç, leje jo veç për Mitrovicën e Veriut, por edhe

Lejet për zyrtarët e lartë të shtetit serb që ta vizitojnë Kosovën, Lëvizja Vetëvendosje në të kaluarën i kishte quajtur “të paligjshme, jo legjitime, të dëmshme dhe të rrezikshme”, por nën qeverinë e udhëhequr nga kjo Lëvizje, kryeministrja aktuale e Serbisë, Ana Brnabiç, vjen në Kosovë të hënën dhe me lejen e lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Sipas një shkrimi të vitit 2018, Vetëvendosje e kishte krahasuar një leje të tillë me mospranim të Kosovës, prandaj edhe kishte organizuar protesta në kundërshtim të ardhjes së presidentit serb atëherë, por për të hënë nuk është paralajmëruar ndonjë protestë nga e njëjta parti.


Komunikata e VV-se, viti 2018

Dhe Brnabiç vizitën do ta bëjë e papenguar në Kosovë. Është zbuluar edhe agjenda e vizitës së saj dhe në plan nuk është vetëm vizita në Mitrovicë të Veriut, por edhe në qytete të tjera.

“Gjatë vizitës, Brnabiç do të vizitojë Mitrovicën, Zveçanin dhe Leposaviqin”, thuhet në njoftimin e qeverisë serbe.

Bashkë me të, do jenë edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç dhe drejtori i Zyrës për IT dhe eQeverisje Mihailo Jovanoviç.

Ky i fundit vjen, pasi Brnabiç do të vizitojë qendrën e parë multimediale në veri të Kosovës dhe të ashtuquajtur Akademinë në Mitrovicë, pas së cilës është planifikuar një vizitë në manastirin e Banjskës në komunën e Zveçanit.

Më pas, në komunën e Leposaviqit, kryeministrja serbe do të vizitojë familje serbe që qeveria serbe u ka ndërtuar shtëpi.

Kjo është vizita e parë e Brnabiç qysh nga viti 2017, kur kishte vizituar Kosovën në cilësinë e njëjtë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të cilin Brnabiç nuk e njeh për homolog, e ka komentuar vizitën e saj, por vetëm për të thënë se pret që ajo “të mos bëjë deklarata përçarëse, si i ashtuquajturi drejtor për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç”.

1 Komente

  1. D
    Dajti

    Z.Kryeminister ne qofte se Petar PEtkovic ka bere deklarata percarese pse e lejon te hyje ne Kosove tani ne perberje te delegacionit dhe nuk e shpall nongrata.Kaq e thjeshte eshte.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje