E hëna, zi kombëtare: Homazhe për heroin në Kosovë, ndizen qirinj për Afrim Bunjakun

24 Shtator 2023, 22:30Rajoni TEMA

E hëna, zi kombëtare: Homazhe për heroin në Kosovë,

E hëna është shpallur ditë zie në Kosovë, me flamujt që do të ulen gjysmë shtizë, në nderim të policit Afrim Bunjaku, që mbeti i vrarë në krye të detyrës në veri të vendit.

Dhimbja për humbjen e rreshterit nuk është sot vetëm në familjen e të ndjerit, por te çdo qytetar që dëshmoi humbjen e një tjetër bashkatdhetari në mision për të ruajtur integritetin territorial të vendit.

Në trotuaret e qytetit dhe në institucione të ndryshme, këtë mbrëmje u ndezën qirinj për 50-vjeçarin nga Samadrexha e Vushtrrisë.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, ambasadori amerikan, kryetari i Komunës së Prishtinës, e policë të tjerë i mbajtën homazhet para Stacionit Policor Qendër në Prishtinë.

Ngjarja e paprecedentë ndodhi në orët e para të mëngjesit në fshatin Banjska të Leposaviçit. Persona të armatosur i bllokuan rrugën makinës së policisë me dy kamionë në aksin Mitrovicë-Leposaviç. Më pas, qëlluan në drejtim të makinës së policisë, ku për pasojë humbi jetën efektivi Afrim Bunjaku.

Me pozicion rreshter, prej vitesh Bunjaku shërbeu në uniformat blu të vendit të tij. Babai i dy djemve dhe një vajze ishte transferuar në Zveçan që pas dorëheqjes së bujshme të serbëve nga strukturat policore. Vetëm para një jave Afrim Bunjaku mori mirënjohje për shërbimin e kryer në Policinë e Kosovës.

Bunjaku e kreu me nder e krenari deri në frymën e fundit detyrën e tij, janë shprehur mes dhimbjes familjarët e heroit.

Të vdesësh për atdhe është sikur të rilindësh përsëri”, tha një prej të afërmve, frazë që u vendos sot në hyrje të qytetit të Prishtinës.

Lini një Përgjigje