Gjysmë viti pas sulmit terrorist të Radoiçiqit: Pse ende vetëm “po zhvillohen hetime”?

1 Mars 2024, 18:05Rajoni TEMA
Gjysmë viti pas sulmit terrorist të Radoiçiqit: Pse ende

Presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë u shtua pak javëve të fundit, por në Beograd nuk ka gatishmëri për ta dënuar Millan Radoiçiqin për krim e terrorizëm. Duket se më shumë po përgatitet terreni që ai të dënohet sa për sy e faqe - thua se e parkoi veturën keq në Mitrovicën e Veriut.

Nga Enver Robelli

Kaloi gjysmë viti nga sulmi i grupit të Millan Radoiçiqit kundër policisë së Kosovës në fshatin Banjskë. Një polic i Kosovës u vra nga sulmuesit serbë; tre serbë të armatosur u vranë nga policia e Kosovës. Drejtësia në Kosovë “po zhvillon hetime”. Edhe drejtësia në Serbi thuhet se “po zhvillon hetime”. Interpoli ka shpallur fletarrest kundër Millan Radoiçiqit. Paralajmërime për ngritje të aktakuzës nuk ka.

Javëve të fundit është shtuar pak presioni ndaj Serbisë për të ndriçuar rrethanat e sulmit kundër policisë së Kosovës më 24 shtator të vitit që shkoi. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, senatorja amerikane Jeanne Shaheen kanë kërkuar që Radoiçiq të nxirret para gjyqit.

Duket se presidenti serb Aleksandar Vuçiq më shumë po e përgatit terrenin që Radoiçiqi të dalë para gjyqit sa për sy e faqe - si një kundërvajtës që duhet të gjobitet pak pse ka parkuar veturën keq në Mitrovicën e Veriut dhe jo të dënohet si terrorist.

Së fundi gazeta “Danas” e Beogradit, ndër të paktat në Serbi që mund të merret seriozisht si burim informacioni, shkroi se Vuçiq po i jep këshilla drejtësisë serbe lidhur me Millan Radoiçiqin, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin në fshatin Banjskë. Ndonëse nuk ka ndonjë dilemë mbi natyrën e sulmit - ishte sulm terrorist dhe për këtë vepër penale do të duhej të akuzohej Radoiçiqi, Vuçiq ka deklaruar se autoritetet përkatëse do t’i akuzojnë njerëzit mbi Banjskën “për shembull për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.

“Si t’i akuzojmë për ndonjë vepër tjetër penale kur ata do të shfaqen dhe do të thonë ‘po ne vetëm punën tonë kemi kryer, sepse sipas rezolutës 1244 ajo i takon Serbisë, e sipas asaj rezolute do të duhej të ishin 1000 ushtarë e policë të cilët nuk i pranuan, andaj ne qemë të shtyrë të mbrojmë tokën tonë’. E çfarë të themi ne? Për këtë do të gjykoheni?”, shtoi Vuçiq.

Pas sulmit në Banjskë, Serbia ka kaluar shumë lehtë: sanksione ndaj Beogradit nuk kanë vendosur as BE, as SHBA-të, ndërsa Radoiçiqi vazhdon të jetojë siç ka jetuar deri më 24 shtator 2023. Ai është njeri i lirë dhe këtë e ilustrojnë edhe pamjet nga kremtimi i ditëlindjes së tij të 46-të para disa ditësh në Kopaonik. Me atë rast u shkrepën fishekzjarre dhe u brohoritën parulla “Me fat ditëlindja, komandant”. Kjo retorikë përputhet me gjuhën e regjimit të Vuçiqit, i cili përpiqet ta prezantojë Radoiçiqin si ekuivalent të luftëtarëve shqiptarë, të cilët në fund të viteve 1990-të me të drejtë luftuan regjimin e terrorit të Sllobodan Millosheviqit.

Ditë më parë Radio-Televizioni i Kosovës (RTK) emitoi një incizim ku thuhej se shihet Millan Radoiçiqi duke grushtuar Aleksandar Spiriqin, ish-kryetar i komunës “Kosovska Mitrovica”, të instaluar nga Beogradi. Spiriq, i cili demantoi lajmin se është rrahur nga Radoiçiqi, është hequr nga funksioni gushtin që shkoi dhe është zhdukur nga opinioni.

Me shfaqjen e Radoçiqit në opinion - si festues i ditëlindjes së tij - regjimi duket se po i dërgon sinjale Perëndimit se ai (Radoiçiqi) qenkësh shumë i fuqishëm në Serbi, andaj edhe i paprekshëm, rrjedhimisht edhe i rrezikshëm për pushtetin.

Kur u pyet nga “Zëri Amerikës” nëse Beogradi qëndron prapa sulmit në Banjskë, ndihmës sekretari amerikan i shtetit James O’Brien tha se Serbia zëvendësoi shefin e shërbimit të zbulimit, i cili ishte i përfshirë në të, tërhoqi trupat afër kufirit me Kosovën dhe se Washingtoni pret që Serbia të ndjekë penalisht personat përgjegjës. Shefi i shërbimit sekret serb Aleksandar Vulin u vendos në listën e zezë të SHBA-ve disa muaj para sulmit në Banjskë për shkak të lidhjeve me Rusinë dhe rolit të tij destabilizues në rajon. Largimi i tij në fillim të nëntorit duket si lëvizje taktike e Vuçiqit për t’ia bërë me dije SHBA-ve se Vulin ishte organizatori i Banjskës dhe ai u largua, andaj Radoiçiqi në gjithë këtë ngjarje na qenkësh vetëm figurë sporadike. Krejt kjo bëhet me qëllim të blerjes së kohës.

Kur në janar të vitit 2018 u vra në Mitrovicë politikani Oliver Ivanoviq dhe me atë rast u përmend se pas këtij krimi qëndron banda e Millan Radoiçiqit, Vuçiqi tha se nuk e njihte Radoiçiqin. Pas sulmit në Banjskë Vuçiq tha: “E njoh Millan Radoiçiqin, si nuk e njoh. Bashkëpunëtorë jemi”. Kur u pyet se përse Serbia nuk po ia dorëzon Radoiçiqin Kosovës, Vuçiq u përgjigj me kundërpyetje: “Po talleni me mua a si?” Ky është një paralajmërim i qartë se autoritetet serbe nuk janë të gatshme të bashkëpunojnë me Kosovën për të hetuar këtë sulmin terrorist në Banjskë.

Deri në vitin 2013 Radoiçiq ishte shef i nëntokës në veri të Kosovës. Me nënshkrimin e të ashtuquajturës “Marrëveshje e Brukselit” mes Serbisë dhe Kosovës, u themelua partia “Lista Serbe”, një degë e partisë së Vuçiqit në Kosovë - dhe Radoiçiq doli në sipërfaqe edhe si lider politik duke u bërë nënkryetar i “Listës Serbe”. I lindur e rritur në Gjakovë, njohës i gjuhës shqipe dhe mentalitetit kosovar, Radoiçiq nuk e kishte vështirë të krijonte lidhje edhe me grupe mafioze kosovare dhe me politikanë të Prishtinës, sidomos kur hyri edhe zyrtarisht në politikë.

Radoiçiq ishte “projekt” i pushtetit të Vuçiqit për të kontrolluar serbët e Kosovës. Ai vazhdon të trajtohet si i tillë nga autoritetet shtetërore. Po të trajtohej si terrorist, ky do të ishte një pranim i hapur se Serbia si shtet merret me aktivitete terroriste në rajon.

Një politikan opozitar serb tha këto ditë se nuk do të befasohej nëse vitin e ardhshëm, në përvjetorin e radhës të shtetit serb, do të nderoheshin me dekorata nga Vuçiqi “biznesmenët” Millan Radoiçiqi dhe Zvonko Veselinoviq, të dy figura me ndikim jo vetëm në vendbanimet serbe në Kosovë, por edhe në Serbi.

Lini një Përgjigje