Kryeministri Albin Kurti duhet të gjejë një zgjidhje për të parandaluar largimin e të rinjve nga Kosova pas liberalizimit të vizave më 1 janar. Është kjo thirrja që kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka bërë Albin Kurtit.
Në seancën e Kuvendit të kësaj të enjteje, Haradinaj ka kërkuar nga Kurti që të veprojë dhe të mos lejojë që të rinjtë të ikin nga Kosova pas 1 janarit, kohë në të cilën pritet të liberalizohen vizat.
“Nëse buxheti të është bartë nga viti në vit, fute një pako për të rinjtë që të mos e lëshojnë vendin me 1 janar. Pra, gjeje një mënyrë, një formulë dhe vepro”, ka propozuar kreu i AAK-së, Haradinaj.
Ndërsa, kryeministri Kurti duke iu përgjigjur këtyre deklaratave ka thënë se nuk ka zbrazje, por ka emigrim dhe pas 1 janarit nuk do të ketë zbrazje.
“Unë nuk mendoj që po zbrazet Kosova, ka emigrim, por nuk ka zbrazje të Kosovës dhe nuk do të ketë as pas 1 janarit. Ju e dini se ata që do të shkojnë tash pa viza në zonën Shengen duhet të kthehen”, është përgjigjur Kurti.
Kosova pret liberalizimin e vizave nga 1 janari 2024.
Lini një Përgjigje