Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë takimit me Presidenten e Komisionit të Bashkimit Evropian (BE), Ursula von der Leyen, ka thënë se NATO-ja dhe BE-ja kanë bërë shumë sivjet në përpjekje për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Ai ka falënderuar shefen e Komisionit Evropian që ka qenë “forcë shtytëse” në partneritetin midis NATO-s dhe BE-së, derisa ka shtuar se të dyja organizatat euro-atlantike kanë shumë të përbashkëta, ndajnë të njëjtat vlera dhe përballen me të njëjtat sfida gjeopolitike.
“Stoltenberg ka theksuar se NATO-ja dhe BE-ja kanë bërë më shumë së bashku këtë vit, duke përfshirë punën në stabilitetin permanent në Ballkanin Perëndimor, trajtimin e dezinformimit dhe avancimin e partneritetit të tyre strategjik në fusha sikurse lëvizshmëria ushtarake, kibernetike dhe hapësirore”, thuhet në njoftimin e NATO-s të mërkurën.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, të hënën ka pritur në kryqendrën evropiane ministrat e Jashtëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor, ku janë adresuar sfidat aktuale gjeopolitike, posaçërisht nën trysninë e ngjarjeve të fundit midis Kosovës dhe Serbisë që kanë dëshmuar se paqja në rajon është akoma e brishtë.
Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor kanë zhvilluar diskutime për ngjyrimet gjeopolitike në rajon, veçanërisht mbi agresionin rus kundër Ukrainës, duke përqëndruar fokusin në angazhimet e sigurisë dhe do të shkëmbejë mendime mbi zhvillimet politike në lidhje me Armeninë dhe Azerbajxhanin, por edhe për situatën në Lindjen e Mesme.
Kur do iki shefi i NATOs? Flitet....., per nje tjeter zevendesues.