Hill vendoset në Beograd, Vuçiç: Do e shohim si do i kalojmë diferencat për çështjen e Kosovës

31 Mars 2022, 00:00Rajoni TEMA

Hill vendoset në Beograd, Vuçiç: Do e shohim si do i

“Biseda ishte e mirë”, ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pasi është takuar me Christopher Hill, që rishtazi është emëruar ambasador i Shteteve të Bashkuara në Serbi.

Hill është një diplomat që e njeh si pak kush Ballkanin, prandaj, Vuçiç, duke folur për Radiotelevizionin e Serbisë, tha se “pres bashkëpunim të mirë”.

“Madje besoj se do ketë tentime edhe më të fuqishme për ta rritur bashkëpunimin”, deklaroi ai.

Vuçiç e di qëndrimin e Hill-it në raport me pavarësinë e Kosovës, prandaj e ka piketuar këtë element si një nga temat ku kanë dallime me ambasadorin e ri/e vjetër.

“Do e shohim si do i tejkalojmë diferencat, sidomos në raport me Kosovën”.

Presidenti serb u pyet nga gazetarët nëse ambasadori i ri amerikan sjell një politikë të re amerikane, apo e kthen atë të vjetër të viteve 90-ta, por refuzoi të komentojë drejtpërdrejtë mbi pyetjen.

“Duhet të punojmë për të dyja, duhet të kuptojmë dallimet”, tha shkurt.

Edhe Hill ka folur për mediat, por para takimit me Vuçiç.

Me të zbarkuar në Beograd, ka thënë se do të punojë të kuptojë brezin e ri të njerëzve në Serbi dhe perspektivat e reja të Serbisë, pasi, sipas tij, Serbia ka ndryshuar prej se e ka vizituar atë herën e fundit.

“Kam shumë për të mësuar për Serbinë, më duhet të dëgjoj shumë dhe do filloj sot kur të kem mundësinë t’i dorëzoj letrat kredenciale Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç”.

“Nuk jam marrë me situatën këtu për dekada, prandaj duhet të kuptoj një brez të ri njerëzish, disa prej të cilëve as nuk kishin lindur kur unë isha në Beograd për herë të fundit”, ka shtuar ai.

I pyetur për ardhjen në Beograd në fund të fushatës zgjedhore, Hill është përgjigjur se ka ardhur sa më shpejt që ka mundur, sepse procedura në Senat ka zgjatur gati tetë apo nëntë muaj, duke theksuar se nuk ka të bëjë me zgjedhjet në Serbi.

Hill, i cili nuk mund të fliste më në detaje për pasqyrimin e situatës së Ukrainës në raport me marrëdhëniet midis Serbisë dhe SHBA-së, ka bërë të ditur se rreth kësaj teme do të flas kur të akreditohet zyrtarisht si ambasador në Serbi.

Por, shkurt tha se “mezi pres vendosjen e paqes në Evropë”.

Hill mirëpritet nga intelektualët

Dekani i Fakultetit të Shkencave Politike në Universitetin e Beogradit, Dragan Simiç, pati mirëpritur emërimin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, për të cilin tha se janë të rrallë diplomatët si ai që e njohin dhe kanë përvojë në Ballkan.

“Dërgimi i zotit Hill është një prej indikatorëve se sa shumë i kushton rëndësi rajonit dhe Serbisë presidenti amerikan, Joe Biden. Sepse ka dërguar mikun e tij personal dhe një njeri të këtij formati. Nuk mendoj se kemi pasur një ambasador të tillë në Beograd që prej Lawrence Eagleburger”, ka thënë Dragan Simiç.

Lini një Përgjigje