Italia: Koha për dialog dhe normalizim të plotë mes Kosovës dhe Serbisë

24 Nëntor 2022, 14:53Rajoni TEMA

Italia: Koha për dialog dhe normalizim të plotë mes Kosovës

Ministri italian i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani kërkoi të enjten nga Kosova dhe Serbia normalizim të plotë të marrëdhënieve, pasi një ditë më parë u arrit një marrëveshje mes dy vendeve për targat.

Pas telefonatave me liderët nga Kosova dhe Serbia, Tajani tha se “tani është e nevojshme të vazhdohet në rrugën e dialogut dhe normalizimit të plotë të marrëdhënieve”.

Tajani, i cili i vizitoi kryeqytetet e dy vendeve, Prishtinën dhe Beogradin, të martën, bashkë me ministrin italian të Mbrojtjes, Guido Crosetto, shtoi se “e ardhmja e Ballkanit është në Evropë dhe Italia është e gatshme të luajë rol udhëheqës në këtë rajon”.

Italia aktualisht e drejton misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR-in, dhe është shteti me kontributin më të madh sa i përket numrit të trupave në Kosovë.

Para takimit të së mërkurës në Bruksel mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, aleatët perëndimorë kishin paralajmëruar se mosmarrëveshja mund të përshkallëzohet në dhunë ndëretnike.

Mirëpo, një gjë e tillë u parandalua gjatë negociatave në Bruksel, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kosova është pajtuar të mos vazhdojë tutje me zbatimin e vendimit për riregjistrimin e automjeteve me targa ilegale serbe në RKS, kurse Serbia që të mos lëshojë targa të reja serbe, sikurse ato KM (Kosovska Mitrovica, Mitrovica e Kosovës).

Më 22 nëntor, me kërkesë të SHBA-s, Kurti e kishte shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS, Republika e Kosovës, për t’u dhënë mundësi bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa ilegale serbe në RKS, Republika e Kosovës, ka pasur tri faza.

Faza e parë e qortimit është zbatuar deri më 22 nëntor. Faza e dytë parashihte gjobën prej 150 eurosh për shoferët e makinave me targa të tilla dhe më pas prezantimin e targave të përkohshme deri më 21 prill, datë pas së cilës ishte planifikuar që të mos kishte më makina me targa serbe.

Serbia, e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës./ REL

3 Komente

  1. V
    VU-ÇIÇI alias Vu-shurra

    Më palaço se janë këta zë BE nuk ka. Normalizim thotë. Favorizojnë përherë Serbinë. Dhe shtyjnë përherë proçeset. Akoma nuk i kanë liberalizuar vizat Kosovës. BE di vetëm fjalën normalizim dhe stabilitet, por ndërkohë favorizohen auzokratët, diktatorucët, kriminelët. Në emër zë stabilitetit.

    1. S
      Stop Injorances

      Uh! Europë, ti kurva e motit, Qi i rae mohit besës e Zotit, Po a ky â shêji i gjytetnís: Me dá tokën e Shqypnís Për me mbajtë klysht e Rusís?

      1. S
        Shqip...

        Eshte Skandaloze qe ne Europe s'ka asnji shenje dalje ne skene .Politikanesh te rinje ,me ide te Reja te berit Politike duke vendosur ne plan te pare Vlerat Njerezore qe propagandojne prej shekujsh e rrespektuar Njeriun -Kombet ashtu ne ato Nivele qe ato jane ,jo ti shikojn te tjeret Impozant nen ate Arrogance prej Te Forti te Diktatori qe xhonglon Boten me bythet e tij seksi , duke mbetur Peng i politikave te baballareve . Boll me Kriminelet e Kontinentit

        Lini një Përgjigje