Lista Serbe kundërshton kryetarët e veriut, i jep ultimatum Kosovës: Të ndalohet sulmi ndaj serbëve

19 Maj 2023, 13:20Rajoni TEMA

Lista Serbe kundërshton kryetarët e veriut, i jep ultimatum

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, në një konferencë për media të premten, ka thënë se me dhënien e betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, “filloi zyrtarisht pushtimi i veriut e do të përfundojë kur të vendosin serbët”.

Simiq i ka dhënë afat kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, deri më 1 qershor për të “ndaluar represionin, shpronësimin, arrestimin, persekutimin dhe sulmet ndaj serbëve”.Ai shtoi se nëse kjo vazhdon, “përgjigjja e popullit serb do të pasojë më 1 qershor, ata do ta mbrojnë veten me të gjitha mjetet", tha Simiq duke mos cekur se cilat janë këto mjete.

Simiq ka thënë se si parti, kanë arritur të ruajnë qetësinë dhe të frenojnë njerëzit që të mos reagojnë ndaj emërimit të një "kryetari të rremë".Reagimi i Listës Serbe vjen pasi Atiq, më 19 maj u betua para Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, procedurë kjo solemne për të marrë detyrën si kryetar. Atiq fitoi rreth 550 vota ose 66 për qind të votave.

Ai në këtë seancë betimi e ka emëruar edhe nënkryetaren e Komunës, që është Katarina Axhançiq nga radhët e komunitetit serb.Pas betimit, Atiq para mediave ka thënë se do të punojë me të gjithë qytetarët, pa dallim.

“Ne me gjithë ekipin, do të punojmë për të gjithë qytetarët pa dallim dhe pa diskriminim. Angazhimin më të madh do ta bëjmë për ta normalizuar këtë pjesë të komunës. I bëj ftesë të gjithë qytetarëve që të na takojnë, të na vizitojnë dhe të bashkëpunojmë sa më mirë për të mirën e qytetarëve”, ka deklaruar Atiq në një deklaratë për media pas betimit.

Por, tre kryetarët e tjerë të rinj të tri komunave në veri nuk do ta bëjnë betimin të premten.

Në Komunën e Leposaviqit, kryetar i ri është zgjedhur Lulzim Hetemi nga Vetëvendosje, në atë të Zveçanit, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa Zubin Potokun do ta udhëheqë Izmir Zeqiri, po ashtu nga PDK-ja.

Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale në Kosovë, janë 30 ditë afat pasi që certifikohen zgjedhjet për kryetarë të komunave, deri kur kryetarët duhet ta bëjnë betimin para Kuvendit Komunal për të marrë detyrën.Përndryshe humbasin mandatin.

Megjithatë, sipas ministrit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në ato komuna ku kuvendi komunal nuk është konstituuar ende, ekzistojnë edhe disa afate ligjore dhe procedura deri të nisë rrjedhja e afatit ligjor prej 30 ditësh për kryetarin.Pjesëtarët e komunitetit serb gjerësisht bojkotuan zgjedhjet e prillit dhe thanë se nuk i pranojnë rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar. Pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte 3.47 për qind.

Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – u mbajtën pasi kryetarët paraprakë nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, dhanë dorëheqje nëntorin e kaluar.

Ata u larguan nga institucionet në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës që obligonte shoferët me makina me targa ilegale të lëshuara nga Serbia, t’i riregjistronin ato në targat legale RKS – Republika e Kosovës.

Shtetet e QUINT-it të enjten vonë kanë shprehur shqetësimin e tyre për situatën e krijuar në veri të Kosovës, duke thënë se zgjedhjet e 23 prillit nuk përbëjnë zgjidhje politike të qëndrueshme afatgjatë për komunat e përfshira, për shkak të bojkotit nga komuniteti serb.

Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, ky grup shtetesh i përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve “që urgjentisht të punojnë së bashku mes vete të gjitha palët e interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme, përfaqësuese dhe pjesëmarrëse në këto komuna”.REL

Lini një Përgjigje