
Nga Gerta Zaimi
Kur flasim për masonerinë menjëherë lind kurioziteti, intrigimi dhe pyetje të cilave nuk dimë t’i përgjigjemi.
Herë herë mendohet se nuk ekziston dhe herë herë mendohet se është fajtor i shumë fenomeneve negative.
Mund të themi fare thjesht që ndoshta dyshimi, frika, gjykimi lindin kryesisht nga karakteri i fshehtësisë që vetë masonët bartin.
Shpesh flitet për shoqëri sekrete, kur në realitet më shumë se e tillë është një shoqëri që bart sekrete.
Është e lehtë të gjesh adresat, apo faqet web të Llozhave të ndryshme masonike.
Por sigurisht nuk është e lehtë të bëhesh pjesë e riteve, diskutimeve, mbledhjeve mes anëtarëve të saj.
Disa teori e lidhin origjinën e Masonerisë me ndikimin e Kalorësve Templarë, një grup murgjish luftëtarësh të krishterë të formuar në 1118 për të ndihmuar dhe mbrojtur pelegrinët që udhëtonin në Tokën e Shenjtë.
Të tjerë e lidhin atë me arkitektët dhe punëtorët e përfshirë në ndërtimin e piramidave egjiptiane. Por këto teza nuk gjejnë asnjë konfirmim.
Por çfarë është frimasoneria?
Përgjigja sigurisht që nuk është unike.
Teknikisht është një urdhër iniciatik, ose më mirë një institucion i cili, nëpërmjet një riti inicues, pranon njohjen dhe praktikën e misterit ose të kulteve dhe doktrinave fetare.
I lindur zyrtarisht me Lozhën e Londrës në 1717, Frimasoneria është një organizatë ezoterike që ka origjinën që në mesjetë në vëllazëritë e ndërtuesve të katedraleve që ruanin sekretet arkitekturore dhe simbolike të kishave nga brenda.
Lozha e Madhe e Londrës është organi administrativ përgjegjës për Masonerinë në zona të ndryshme gjeografike të botës.
Mjeshtrit e muratorëve dhe gurgdhendësit, të cilët ndërtonin kështjella, pallate, ndërtesa të mëdha dhe katedrale, ua zbuluan gradualisht sekretet e punës së tyre aspirantëve për zanat, apo çirakëve.
Në këtë mënyrë, ata do të rriteshin për t’u bërë edhe muratorë ekspertë.
Mbi bazën e kësaj hierarkie dhe ritualiteti në përcjelljen e traditës së muraturës, lindi Frimasoneria.
Simbolet e saj janë të njëjta si në ndërtim: niveli, vizorja, katrori, busulla. Secila do të nënkuptojë një virtyt.
Anëtarët e masonerisë brenda vëllazërisë duhet të ndajnë të njëjtat ideale të natyrës morale, etike dhe shpirtërore.
Në fillim të historisë së tyre, masonët mblidheshin për të diskutuar sekretet e tregtisë së tyre.
Prej këtu lindën bërthamat e para të masonëve dhe u zhvillua filozofia, simbolika dhe ritualiteti i tyre.
Ata shpejt u përhapën fillimisht në të gjithë Anglinë dhe më pas u vendosën pothuajse në të gjithë botën.
Tradita masonike përshkruan besimin në një entitet suprem, i cili tradicionalisht quhet “Arkitekti i Madh i Universit” dhe njohin tre fetë monoteiste (Krishterizmin, Judaizmin dhe Islamin), duke mbrojtur, megjithatë, sekularizmin si një parim themelor të shteteve dhe gjithashtu të kulturës dhe shkencës.
Është përshkruar nga Kushtetuta e Frimasonëve të vitit 1728 që gjatë punimeve të lozhës njëri nga librat e shenjtë duhet të jetë i ekspozuar.
Në vendet e traditës kristiane ekspozohet Bibla e Reformuar, në Izrael Bibla Hebraike, në ato myslimane Kurani.
Gjurmët masonike nuk është vështirë t’i gjesh, por shpesh anashkalohen ose lihen të pavëzhguara. Iluminizmi evropian udhëhiqet nga parime masonike. Vetë Revolucioni Francez u frymëzua nga ato.
Eksportuesi i parë i madh i vlerave dhe riteve masonike në botë ishte sigurisht Napoleon Bonaparti, i cili i përhapi ato paralelisht me perandorinë e tij.
Statuja e Lirisë, një dhuratë nga Masoneria Franceze për Shtetet e Bashkuara të Amerikës së sapolindur, qëndron atje për të dëshmuar për kontributin e dhënë nga lozhat franceze (lozhat janë qelizat në bazën e organizatës masonike, secila e udhëhequr nga një mjeshtër) për Pavarësinë.
Kushtetuta amerikane është një dokument mason, presidentët amerikanë ishin pothuajse të gjithë masonë, simboli i Arkitektit të Madh bie në sy në dollar.
Një pjesë e madhe e asaj që vjen nga tradita liberale u atribuohet vëllezërve (siç quhen pasuesit) duke filluar nga Deklarata e të Drejtave të Njeriut, lindja e Kombeve të Bashkuara, si dhe shumë lëvizje republikane dhe demokratike.
Me lozhë nënkuptojmë celulën dhe tempullin ku një grup Frimasonësh takohen rregullisht.
Ndërtesat masonike quhen “tempull” sepse ato u ndërtuan brenda një simbolike rituale që rrjedh dhe u zhvillua me kalimin e kohës nga Frimasoneria historike.
Kjo simbolikë, sipas shumë njerëzve, rrjedh nga ndërtimi i Tempullit të Mbretit Solomon në Tokën e Shenjtë.
Çdo tempull ka një altar, një foltore me një tekst të shenjtë, dyshemenë me kuadrate dhe tavanin e afreskuar me qemerin qiellor.
Hierarkia e masonëve tregon nivelin e të mësuarit dhe përkatësinë brenda vëllazërisë të aspirantit.
Ekzistojnë tre shkallë të anëtarësimit: praktikant murator, shok dhe mjeshtër Mason.
Duke qenë një vëllazëri iniciatike kushdo që hyn brenda kalon nëpërmjet një ceremonie anëtarësimi.
Një lloj pagëzimi në të cilin një individ fillon rrugën e tij të dijes masonike e cila ndahet në faza, të quajtura gradë.
Në Shqipëri, prania e Masonerisë në histori nuk është e dokumentuar.
Por supozohet që prania e saj në trevat shqiptare e ka zanafillën gjatë perandorisë osmane.
Gjatë periudhës së komunizmit aktiviteti i masonerisë, ashtu si i çdo shoqate tjetër, u ndalua.
Mendohet që kontaktet e para rifilluan menjëherë në vitet 90’.
Influenca më e madhe do të vinte nga masoneria italiane.
Shpesh ka konfuzion dhe nuk dihet saktësisht nëse duhet të flitet për grupe të ndryshme masonike, apo për masoneri.
Në Shqipëri sot dy janë grupimet kryesore.
Lozha e Madhe e Shqipërisë lindur më 14 tetor 2011 në Tiranë, e pagëzuar nga Mjeshtrat e Mëdhenj të Orientit të Madh të Italisë, sekretari i Konferencës së Lozhave të Mëdha dhe Mjeshtrat e Mëdhenj të Greqisë dhe Serbisë.
Dhe Lozha e Madhe Shqiptare Iliria, e krijuar në vitin 2017 si një lozhë e pavarur shqiptare, por që fillimet e së ciles datojnë rreth vitit 2013 me themelimin e lozhës së parë te saj me emrin “Epidamnus” në qytetin e Durrësit.
Diferenca themelore mes dy lozhave qëndron në faktin se ndërsa e para i përket rrymës konservatore e cila pranon vetem anëtarësine mashkullore, tipike e masonerise anglosaksone, kjo e dyta është e përbërë në mënyrë të përzierë nga burra dhe gra dhe përqafon rrymën masonike liberale e cila e ka patur gjenezën e saj në Evropën kontinentale dhe pikërisht në Francë nëpërmjet Orientit të Madh të Francës.
Më 24 shkurt 2015, në Selanik, Lozha e Madhe Mikse e Greqisë dhe Lozha e Madhe Liberale e Turqisë themeluan Unionin Masonik të Ballkanit.
Ai bashkon Lozhën e Madhe të Femrave të Rumanisë, Lozhën e Madhe Kombëtare të Rumanisë, Orientin e Madh të Rumanisë, Lozhën e Madhe Universale të Bullgarisë, Lozhën e Madhe të Rregullt të Malit të Zi, Grand Orientin e Sllovenisë, Lozhën e Madhe të Femrave të Greqisë dhe Lozhat që veprojnë në vendet e Ballkanit nën juridiksionin e Lozhës së Madhe të Italisë të A.L.A.M., e Orientit të Madh të Francës dhe Lozhës së Madhe Femërore të Francës.
Shqipëria është anëtare e këtij Unioni Ballkanik nëpërmjet Lozhës së Madhe Shqiptare Iliria. Këto ditë po zhvillohet në Shqipëri takimi i rradhës i përvitshem i Unionit Masonik Ballkanik ku marrin pjesë Lozhat anëtare të të gjitha vendeve të Ballkanit si dhe përfaqësues të ftuar nga shtete të ndryshme evropiane, por edhe nga SHBA-të.
Pas një të kaluare historike që e ka bërë Frimasonerinë një motor themelor të përparimit civil në nivel global, flitet se në dekadat e fundit, Frimasoneria ka pësuar, si shumë institucione historike në këto kohë moderne, një rënie të reputacionit të saj të trashëguar, duke parë shpesh herë pjesë të masonerisë të përfshirë në ngjarje të errëta ose komplote politike.
Por nuk ka dyshim se, edhe sot, shumë qarqe masonike bashkojnë personazhe të aftë për të ndikuar në jetën politike, sociale dhe ekonomike të shumë vendeve dhe shumë lozha janë ndër qendrat më të rëndësishme të pushtetit.
Albanian Post për herë të parë në Shqipëri depërton në mënyrë ekskluzive në punimet e Unionit Masonik të Ballkanit dhe do të sjellë në vijim pjesë nga intervista eskluzive të realizuara në mbledhjen që ky Union Masonik po kryen këtë fundjave në Shqipëri.(Albaniapost)
Tashme ka shume libra te perkthyera edhe ne shqip per Masonerine edhe per fillesat ne vendin tone. Mund te mesoni edhe per Arkitekt Albanin kush ka qene dhe ne cfare shekulli ka jetuar. Shume antare Masone i perkasin edhe Lozhave jashte Shqiperise deri ne Amerike, Australi, Argjentine dhe Europe. Libri me i sakte i perkthyer edhe ne shqip eshte i nje masoni Laurence Gardner me titull Te fshehtat e Masonerise, botuar nga Bota Shqiptare. Nqs do ta kishit lexuar do te ishit me te sakte. Flm.