Me rastin e vdekjes së historianes dhe politikanes liberale serbe Latinka Peroviq

13 Dhjetor 2022, 10:02Rajoni TEMA

Me rastin e vdekjes së historianes dhe politikanes liberale serbe Latinka

Nga Enver Robelli

Një historiane, një grua, një politikane, një aktiviste që luftoi për të drejtat e njeriut dhe për një Serbi properëndimore, për një Serbi që duhet të pajtohet me realitetin e Kosovës së pavarur. Latinka Peroviqi, e cila vdiq sot në moshën 89-vjeçare, mund të prezantohet në mënyra të ndryshme dhe me epitetet më të larta. Nuk është e tepërt të thuhet se personalitete si ajo zor se do të ketë në Ballkan edhe shumë dekada. Latinka Peroviqi ishte fytyra e Serbisë tjetër, Serbisë fatkeqësisht të margjinalizuar dhe të shtypur nga regjimi autokratik, nga Serbia rusofile dhe antiperëndimore, e cila ende ka ëndrra të pushtojë popuj të tjerë dhe të grabis territore.

Latinka Peroviqi u lind më 4 tetor 1933. Atë vit në Gjermani pushtetin e mori Adolf Hitleri. Si 27-vjeçare ajo u bë kryetare e Frontit të Grave Antifashiste të Serbisë. Më 1975 kjo historiane mendjehapur dhe pafundësisht kureshtare doktoroi në Universitetin e Beogradit. Është autore e dhjetëra librave dhe shumë punimeve shkencore ku dominon akribia shkencore, dituria e gjerë, sinqeriteti intelektual dhe humanizmi njerëzor.

Jeta e saj ishte betejë kundër nacionalizmit serb. Për këtë u mallkua dhe u përbuz nga Serbia regresive. Historinë e Serbisë Latinka Peroviqi e shihte si histori të modernizmit të dështuar. Ishte sekretare e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë. Më 1972 Josip Broz Tito e largoi nga posti nga frika se pikëpamjet e saj ishin tepër liberale për shoqërinë jugosllave. Është konsideruar në atë kohë si gruaja më me ndikim në politikën jugosllave. Përkundër dështimit në politikë (pa fajin e saj), ajo nuk harxhoi energji për beteja personale dhe egoiste.

Betejën e saj e zhvilloi kundër klasës politike serbe që po e çonte vendin drejt humnerës. Në një intervistë me revistën “Vreme” Peroviq tha: “Nuk mund ta quani armik çdokënd që mendon ndryshe! Përveç kësaj, qëmoti kemi hequr dorë nga zhvillimi i polemikave serioze pa marrë parasysh për çka. Në vend të argumenteve, keni diskreditim, ofendime ad hominem... Pse? Kujt i shërben përhapja e atij helmi në letër dhe nëpër ekrane? Pse duhet t’i lajmë hesapet në atë mënyrë? Për zotin, nuk mund t’ia zhdukni dinjitetin njeriut vetëm pse nuk pajtoheni me të!”

Për dallim nga shumë serbë, Latinka Peroviqi e njihte mirë Kosovën dhe historinë e saj. Jo vetëm nga literatura që kishte lexuar, por edhe nga vizitat në Kosovë, që nga vitet 60-të. Njihte dhe shumë personalitete të Kosovës. Ruante me ta miqësi të sinqerta dhe pa paragjykime.

Në njërën nga intervistat e fundit në qershor të këtij viti bëri thirrje që Serbia sa më parë të heq nga qafa konfliktin e ngrirë në Kosovë. Sepse, sipas saj, për shkak të Kosovës Serbia s’po mund të lëvizë nga vendi. Serbët, thoshte ajo, besojnë se në Kosovë nuk ka ndryshuar asgjë dhe se gjendja është e njëjtë si para 30 apo 50 viteve. “Nuk është e njëjtë, shumëçka ka ndryshuar”.

Në pyetjen se çfarë do të bënte me Kosovën, ajo u përgjigj: “Prej se mendoj politikisht, konsideroj se Serbia duhet të koncentrohet te vetvetja, te zhvillimi ekonomik, arsimimi, te ngritja e kulturës shëndetësore, te hapja ndaj botës. Është me rëndësi që Serbia të vendosë marrëdhënie normale me fqinjët, edhe me Kosovën. Prandaj janë aq të rëndësishme të drejtat e njeriut”.

Kosova i ka borxh Latinka Peroviqit më shumë se respekt e kujtim. Vepra e saj meriton vëmendje, lexim e kujdes edhe në mesin e shqiptarëve. Ajo renditet në mesin e humanistëve serbë si Dimitrije Tucoviqi e Kosta Novakoviqi, të cilët jo vetëm kritikuan krimet e llahtarshme të Serbisë ndaj shqiptarëve para më shumë se një shekulli, por u angazhuan edhe për fqinjësi të mirë mes serbëve dhe shqiptarëve. Kësaj tradite i përket edhe Latinka Peroviqi. Pak është nëse një rrugë do ta bart emrin e saj në Prishtinë apo Prizren. Sidomos në kohërat e zymta personalitetet si Latinka Peroviqi na kujtojnë se në Ballkan urrejtja nuk është e thënë të jetë ushqim i përhershëm ditor që servohet nga politikanët primitivë dhe me ambicie megalomane.

2 Komente

  1. F
    Fisnik

    Mendoj se kemi nevoj për disa libra për t'i njoftuar gjeneratat e reja të intelektualëve, të politikanëve, gazetarëve dhe të interesuarve të tjerë, me personalitete të rëndësishme të popullit tonë dhe të fqinjëve. Poashtu të njoftohen me ngjarje jo aq të largëta. Kam vërejtur se shumë gazetarë dhe analistë politikë nuk kanë ndëgjuar kurrë për disa personalitete dhe ngjarje të rëndësishme! Kështu, duke intervistuar Luljeta Pulën para pak kohësh, Berat Buzhala e pyeti se kend e kishte idol (idhull), apo shembull ajo. Luljeta iu përgjigj se idhull e kishte Latinka Peroviqin. Berati i hutuar pyeti: "kend? Kush është ajo?" Berat Buzhala nuk kishte ndëgjuar kurrë për te! Rasti tjetër: një "analist", mbas zgjedhjeve kur thanë se "Gani Bobi" parashikon këto rezultate, ai zotëria nuk kishte ndëgjuar kurrë për sociologun e kulturës Gani Bobi. Dhe shumë shembuj tjerë.

    Përgjigjjuni
    1. S
      Shmil Gostivari

      Sa keqardhje, sa mosmirënjohës që jemi! Jam brezi i pas 40 - tave dhe kam pasur ndër mend, pasi kaloj herë-herë përskaj Beogradit, të ktheheja i ta përqafoja këtë Engjull NJERËZOR, ose NJERI ENGJULLOR - humaniste. Sa merita, sa luftë kundër shovenizmit serb, duke na dalë zot, e duke qenë në mbështetjen tonë, për të qenë të trajtuar të barabartë me sllavët, në federatën e hegjemonise shoveniste serbe. Kujtoj me mall teta MILLKËN, bibliotekiste në Bibliotekën e Fakultetit Filologji - Filosofi që më furnizonte me literaturë "irredentiste" (një pjesë e edukatës sime kombëtare i përket edhe asaj). Pasi përfundova studimet, para se të kthehesha në Dardani, më tha, buzëqeshur, kujdes atje poshtë... Sekretari i Fakultetit të Filologjisë, zoti Jovanovic...nuk më kujtohet emri, engjull me pamje të rëndë burrërore... dhe më kujtohet prof i literaturës jugosllave (serbe) Milincevic, shovenist që i xixillonin sytë nga energjia shoveniste, prof Pucarevic, serb Bosnje - shpirtkatran Gjithë këto ngjarje i kujtoj me sfond - Latinka Perovicin, teta Milkën, zotëri Jovanovic mes ulërimave shoveniste serbe. I NDRICOFTË SHPIRTI ! Iu ndricoftë shpirti dhe u prehshin në paqë!

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje