Një ngjarje – dy histori

4 Gusht 2022, 20:59Rajoni TEMA

Një ngjarje – dy histori

Nga Armat Matoshi, Albanian Post

Të enjten e 4 gushtit është shënuar 27 vjetori i operacionit ushtarako-policor “Stuhia”.

Përderisa për kroatët “Stuhia” është arsye për festë, për serbët është gjenocidi më mizor që ka ndodhur gjatë luftërave në ish-Republikat Federale të Jugosllavisë.

Në Kroaci kjo ditë shënohet si festë – Dita e fitores dhe mirënjohjes ndaj atdheut dhe njëkohësisht edhe dita e veteranëve – ndërsa në Serbi kjo ngjarje shënohet me tubime përkujtimore në qytetin e Novi Sadit.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviç shënimin e kësaj dite e ka vlerësuar si “ditë zie për Serbinë dhe Republikën Srpska”, transmeton mediumi serb Danas.

Sipas vlerësimit të ministrit serb, nuk ka gjasa që ndonjëherë të pajtohen dy vizionet e “Stuhisë” dhe disa ngjarjeve të tjera historike, “ashtu siç nuk mund të pajtohen xhelati dhe viktima ose gëzimi dhe pikëllimi”.

Ngjashëm edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Aleksandër Vulin theksoi se Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të turpërohen.

“Stuhia nuk është vetëm një krim dhe turp i Kroacisë, por turp i OKB-së sepse serbët e dëbuar jetonin në zona nën mbrojtjen e OKB-së, pa armë dhe mbrojtje”.

“Ky është turp për BE-në, sepse ajo kurrë nuk ka thënë asnjë fjalë për të dënuar Kroacinë”, tha Vulin.

Gjithashtu, kryetari i qytetit të Novi Sadit, Millosh Vuçeviç tha se “nuk do t’i kuptoj kurrë serbët që sot janë me pushime në Dalmaci dhe Istri”, transmeton mediumi serb N1.

Nga ana tjetër ish ministrja e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Vesna Pusiç ka thënë se nuk sheh asgjë të çuditshme në faktin se njerëzit në Kroaci u gëzuan kur panë se lufta po përfundonte dhe se Kroacia do të ekzistonte si shtet me tërë territorin e saj.

“Për sa i përket Kroacisë, ‘Stuhia’ ishte një operacion ushtarak që de facto i dha fund luftës në Kroaci dhe çliroi pjesën më të madhe të territorit të pushtuar përkohësisht dhe kështu parandaloi formimin e një destabilizuesi të përhershëm, një lloj ‘Republika Srpska’ në Kroaci”, theksoi Pusiç, transmeton mediumi kroat IndexHr.

Operacioni “Stuhia” (4 gusht – 7 gusht 1995) ishte një operacion i madh ushtarako-policor në të cilin ushtria dhe policia kroate çliruan zonat e pushtuara të Republikës së Kroacisë nën kontrollin e serbëve rebelë, pasi që u krijua parashteti Republika Srpska Krajina me qendër në Knin por që nuk u njoh nga askush.

Operacioni i ktheu të gjithë territorin e pushtuar nën rendin kushtetues dhe ligjor kroat, me përjashtim të Sllavonisë Lindore; megjithatë, kjo dhe disa fitore të mëpasshme të ushtrisë kroate do të krijojnë kushtet në të cilat procesi i riintegrimit paqësor të rajonit të Danubit kroat filloi në janar 1996.

Në këtë operacion komandant ishte Ante Gotovina i cili u dënua me 24 vite burg nga Tribunali i Hagës e më pas u lirua në nëntor të vitit 2012. Pjesë e këtij operacioni ishte edhe Gjeneral Rrahim Ademi, me origjinë nga Kosova.

Në këtë betejë morën pjesë 130.000 ushtarë kroatë së bashku me 25.000 ushtarë nga Bosnja e Hercegovina kundër 50.000 ushtarëve të Krajinës serbe dhe serbëve të Bosnjes.

1 Komente

  1. I
    Igor

    Edhe Boshnjaket Muslimane ne Srebrenice nuk ishin te armatosur por ndodhi gjenocidi nga Serbet,pse nuk flisni per Vukovarin,pse nuk flisni per Gjenocidin e juaj ne Kosove ,ju duhet te keni turp kur nji gjeneral i denuar per Gjenocide ne Kosove u zgjodh si kryetare i kuvendit ne Serbi kjo esht turp.

    Lini një Përgjigje