“Profili ndryshe” që mund ta trazojë skenën politike: Vjosa Osmani në terren

16 Prill 2026, 20:11Rajoni TEMA

“Profili ndryshe” që mund ta trazojë skenën politike:

Nga Doruntina Baftiu REL

Brenda pak ditësh, javëve të fundit, në këto qytete të Kosovës, ish-presidentja Vjosa Osmani takoi dhjetëra - nëse jo qindra - qytetarë, duke ngjallur pyetjen: a po përgatitet ajo për një rikthim në garën politike?

E gjitha kjo po ndodh në një moment të ndjeshëm politik në Kosovë. Nëse brenda më pak se dy javëve nuk arrihet marrëveshje për postin e presidentit, vendi do të përballet me zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare - të tretat brenda rreth 16 muajve.

Ky kontekst e bën çdo lëvizje të aktorëve politikë, përfshirë Osmanin, që e synonte edhe një mandat të dytë si presidente, më domethënëse.

Sipas Donika Eminit, hulumtuese në Grupin Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë – BiEPAG, vizitat e Osmanit duhet të lexohen si pjesë e një strategjie të mirëmenduar.

Ajo beson se këto lëvizje tregojnë një përpjekje për të rikthyer dhe konsoliduar lidhjen me elektoratin pas një mandati të fokusuar kryesisht në politikën e jashtme.

“Për më tepër, këto vizita mund të shihen edhe si menaxhim i dëmeve nga ndarja e rrugëve me [kryeministrin] Albin Kurti, dhe si nevojë për të ritheksuar dhe forcuar narrativin e saj në këtë proces”, thotë Emini për Radion Evropa e Lirë.

Përçarja mes Osmanit dhe Kurtit është e lidhur, sipas njohësve të zhvillimeve politike, kryesisht me dallimet në raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mungesën e koordinimit institucional dhe konkurrencën për ndikim politik.

Këtë vit, Osmani nuk u propozua për një mandat të ri si presidente, pesë vjet pasi ishte zgjedhur në këtë post me propozim të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) të Kurtit.

Por, angazhimi politik i saj kishte nisur brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Osmani u zgjodh për herë të parë deputete në Kuvendin e Kosovës në vitin 2011, dhe u rizgjodh në disa mandate radhazi, duke u bërë një nga figurat më të spikatura të LDK-së.

Në vitin 2019, ajo udhëhoqi listën zgjedhore të partisë dhe ishte kandidatja e saj për kryeministre, duke përfaqësuar një përpjekje për reformim të brendshëm.

Ndarja nga LDK-ja në vitin 2020 shënoi një kthesë të rëndësishme në karrierën e saj. Më pas, ajo ndërtoi një aleancë me Kurtin dhe LVV-në, përmes iniciativës GUXO, një format politik që, sipas Eminit, nuk u konsolidua plotësisht si subjekt i mirëfilltë.

Në vitin 2021, Osmani u zgjodh presidente e Kosovës, duke kaluar në një rol të ri, në të cilin, si përfaqësuese institucionale, ajo supozohej të qëndronte mbi ndarjet partiake. Në këtë post, ajo është kritikuar shpeshherë nga opozita, që e akuzonte se po ia mban anën LVV-së.

E, tani, sipas Eminit, Osmani po hyn në një fazë të re të karrierës së saj, qoftë përmes një subjekti të ri apo një ripozicionimi strategjik brenda një partie.

Koha e zgjedhjeve të ardhshme do të jetë vendimtare për mënyrën se si do të mund të bëhej ky rikthim i Osmanit.

Emini argumenton se nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme nga moszgjedhja e presidentit - në fund të majit ose në fillim të qershorit - hapësira për ndërtim të një subjekti të ri do të ishte e kufizuar dhe Osmani do të mund të detyrohej të mbështetej në një strukturë ekzistuese.

Në një cikël të rregullt të zgjedhjeve, ajo do të kishte më shumë kohë për të formuar një projekt politik, por me rrezik të humbjes së vrullit dhe rëndësisë.

“Në të dyja rastet, ndikimi i saj në skenën politike mbetet i rëndësishëm, por mënyra e shfaqjes së këtij ndikimi ndryshon ndjeshëm sipas kohës së zgjedhjeve”, beson Emini.

Diskutimet për të ardhmen e Osmanit janë intensifikuar edhe pas deklaratave nga LDK-ja, sekretari organizativ i së cilës, Visar Azemi, ka lënë të hapur mundësinë e rikthimit të Osmanit në parti.

Vetë Osmani, megjithatë, ka shmangur çdo deklarim të prerë. REL-i ka kontaktuar ekipin e saj për një qëndrim, por nuk ka arritur të marrë përgjigje.

Rikthimi i Osmanit në garën politike mund të ndodhë në një moment kur, sipas Eminit, opozita në Kosovë po përballet me mungesë udhëheqjeje dhe narrativash bindës.

Në këtë kontekst, Osmani përfaqëson një “profil ndryshe”, thotë ajo.

Sipas Eminit, ish-presidentja është një nga të paktat figura që mund të sfidojë ekuilibrat dhe të rrisë nivelin e konkurrencës politike.

“Ajo mund të tërheqë votues të pakënaqur nga parti të ndryshme, përfshirë Vetëvendosjen dhe parti të opozitës. Kjo e bën atë potencialisht një faktor që ‘rrëmben’ vota më shumë sesa një aktor që mobilizon vetëm një kamp të caktuar”, thotë Emini.

“Hyrja e saj në politikën aktive nuk do të ishte vetëm një shtesë në skenë, por potencialisht një faktor që mund të ‘tronditë’ balancat ekzistuese”, përfundon ajo.

4 Komente

  1. F
    Flamur Struga

    Pasi kushtetuta ia lejon edhe nje mandat tjeter,Ajo gjate ketyre pese viteve ishte shume e sukseseshme,atehere : perse kareristet,halucinalistet,te deshtuarit nuk ulen ta diskutojne dhe ti aprovohet edhe nje mandat tjeter i (dyte).Presidentja i ka te gjitha vetite e mira,prandaj te mos hezitoj pozite dhe opozite ,por te shohi personin e duhur,ajo eshte Presidentja Vjosa Osmani.Po te jeni ju per zvarritje ,humbje te imazhit te Republikes se Kosoves,beni "tregeti" se keshtu ka shkuar gati gjithmone me lirine ,pavaresine e Kosoves martire.Armik nuk eshte vetem vucici,punes te vucicit i ndihmoni edhe ju qe e deshironi Kosoven neper labirinthe.Turp ,dhe turpi qe po e krijoni ju faqezijt karierista eshte shume tragjike...

    Përgjigjjuni
    1. N
      Një reputacion i mirë, nuk kthehet më kurrë.

      Një emër i mirë kërkon vite punë, sjellje të qëndrueshme, korrektësi dhe integritet. Por mjafton një gabim i rëndë, një veprim i pamenduar, ose një sjellje e padrejtë që njerëzit të fillojnë të dyshojnë. Dhe kur dyshimi hyn, besimi nuk rikthehet më në të njëjtën formë.

      Përgjigjjuni
      1. D
        Duan skllevër

        Faji është i atij gojështrembërit, Albin Kurtit, që kur qesh shëmtohet. Ai nuk e donte Osmanin për presidente se ajo e kishte mirë me Amerikën dhe nuk i bindej atij. Kurti kërkon një skllav ose skllave për president, që ta shohë atë si perëndi. punë shqiptarësh. Njëlloj si Kurti, si Rama. nuk i duan njerëzit me dinjitet dhe aftësi. Kërkojnë shërbëtorë të përunjur.

        Përgjigjjuni
        1. L
          LUM PËR TA E MJERË PËR NE

          Skena politike është trazuar dhe traumatizuar duke ua mundësuar të kapin pushtetin dhe tash bëjnë politik karkaleci, ndërrojnë karakterin sipas vullnetit personal e jo shtetëror e kombëtar. Nuk dimë se nga tandemi presidente - kryeministër ka pas politik më të trazuar se këto 5 vite. Përplot skandale; shkelje të vazhdueshme të kushtetutës, Izolim, nepotizëm, nuk ka më institucione të pavarura por ka dhunë politike dhe ka varfëri të skajshme etj. Si duket NE kemi tru peshku dhe si të traumatizuar i kontribuojmë “trazimit të skenës politike" duke ua vazhduar veprimtarinë për ti kënaqur ambiciet për pushtet e jo për popull e shtet.

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje