Serbi-Rusi: Ja pse zgjatja e luftës në Ukrainë do të sjellë fundin e raportit special  

15 Qershor 2022, 20:20Rajoni TEMA

Serbi-Rusi: Ja pse zgjatja e luftës në Ukrainë do të

Nga Yulia Petrovskaya “Riddle

Në mesin e mosmarrëveshjeve të forta midis elitës politike serbe rreth sanksioneve kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, Beogradi ra dakord me Kremlinin në fundin e muajit majit për të pasur një çmim të favorshëm të blerjes së gazit rus për 3 vitet e ardhshme.

Duke e zgjatur kontratën e saj me Serbinë për një periudhë relativisht të shkurtër, Moska po përpiqet që ta mbajë Beogradin të lidhur pas vetes. Për Kremlinin është e rëndësishme të ruajë një partneritet strategjik me këtë vend, që mbetet një trampolinë për ndikimin rus në Ballkan.

Por ndërsa lufta po zgjat, po rriten gjasat që Beogradi t’i bashkohet embargos perëndimore ndaj Rusisë. Njëkohësisht, do të ketë gjithnjë e më shumë pengesa për zhvillimin e marrëdhënieve ruso-serbe. Ndërprerja e vizitës së Ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov,

në Beograd në datat 6-7 qershor për shkak të vendimit të Malit të Zi, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për të mbyllur hapësirën ajrore, vetëm sa konfirmoi limitet e mekanizmave që ka Kremlini në Ballkan në kohë lufte.

Teksa po zgjat lufta në Ukrainë, çështja e gazit është bërë një nga temat kryesore në marrëdhëniet ruso-serbe, duke pasur parasysh varësinë prej gati 100 për qind të Beogradit nga produktet ruse, si dhe presionin ndërkombëtar në rritje ndaj udhëheqjes serbe, për të vendosur sanksione kundër Moskës.

Marrëveshja e fundit midis presidentëve Vladimir Putin dhe Aleksandar Vucic për një marrëveshje të re 3-vjeçare me Gazprom, është më pak të favorshme për Beogradin sesa ajo e mëparshme. Serbia tani do të paguajë rreth 400 dollarë për 1000 metër kub gaz, ose 130 dollarë më shumë se në 10 vitet e mëparshme.

Edhe pse autoritetet serbe e quajnë këtë çmim si më të favorshmin në Evropë, nuk është sekret fakti që Moska ka partnerë që e blejnë gazin me çmime edhe më të lira. Për shembull, Bjellorusia paguan vetëm 128.5 dollarë për 1000 metra kub.

Sipas vetë Putinit, Rusia i bëri një ofertë shumë bujare vitin e kaluar Hungarisë, e cila e blen gazin me 1/5 e çmimit të tregut në Evropë. Ndonëse nuk dihet çmimi i saktë, kryeministri hungarez Victor Orban arriti të nënshkruajë një marrëveshje fitimprurëse deri në vitin 2036. Nëse Serbia si “aleate” e Rusisë, duhet të presë bonuse të reja për gazin pas skadimit të marrëveshjes 3-vjeçare, është ende shumë herët të thuhet. Kjo sepse politika mbetet një nga faktorët kryesorë që dikton çmimet në këtë fushë, dhe lufta në Ukrainë e ka shtuar pasigurinë në marrëdhëniet e Moskës me aleatin e saj të vetëm të mundshëm në perëndim të vijës së frontit.

Ekspertët mendojnë se për sa kohë që funksionon modeli i partneritetit strategjik, dhe Beogradi nuk i bashkohet sanksioneve perëndimore, serbët mund të presin një çmim relativisht të favorshëm të gazit rus. Por ndërsa lufta po zgjat, do të intensifikohen faktorët që kontribuojnë në shkëputjen e Serbisë nga Rusia.

Sipas deklaratës së lëshuar nga Kremlini pas bisedës telefonike Putin-Vucic më 29 maj, palët konfirmuan angazhimin e tyre për “vazhdimin e forcimit të partneritetit të tyre strategjik”. Për Rusinë, ajo që ka rëndësi në këtë kontekst është kryesisht neutraliteti ushtarak i Serbisë, dhe mos-respektimi i sanksioneve perëndimore nga ana e Beogradit.

Sa i përket neutralitetit, Vucic deklaroi më 31 maj se nuk ka plan për t’iu bashkuar ndonjë aleance ushtarake. Dhe ky pozicion nuk ka gjasa të ndryshojë gjatë viteve të ardhshme. Nga ana tjetër, çështja e sanksioneve është më komplekse. Pavarësisht presionit në rritje nga SHBA dhe BE, Serbia mbetet i vetmi vend evropian që nuk i është bashkuar masave anti-ruse.

Megjithatë, nuk ka siguri se kjo qasje nuk do të ndryshojë. Në çdo rast, Vucic ka deklaruar se do të kundërshtojë sanksionet anti-ruse derisa “Serbia të detyrohet të sillet ndryshe”. Kreu serb i vendos këto fjalë në kontekstin e procesit të integrimit të vendit në BE, që mbetet edhe synimi strategjik i Beogradit.

Serbia është ndër vendet që nuk mund të ndikojë në zgjidhjen e tensioneve mes Rusisë dhe kundërshtarëve të saj kryesorë, ndërsa është e varur nga bashkëpunimi mes Lindjes dhe Perëndimit. Si një kandidate për në BE, ajo përballet me një presion të vazhdueshëm për ta përshtatur politikën e saj të jashtme në një politikë të përbashkët evropiane.

Njëherazi duhet të përballet me “kështjellën e rrethuar” në Lindje, e cila i ofron mbështetje diplomatike për çështjen e Kosovës dhe i vendos çmimet e gazit. Sektori serb i naftës dhe gazit ka qenë prej vitesh në duart pro-ruse. Në fillim të vitit 2021, kompania ruse “Gazprom” nisi furnizimin e Serbisë përmes linjës “TurkStream”.

Për ta arritur këtë, u ndërtua një linjë shtesë 403 kilometra e gjatë. Sipas disa ekspertëve evropianë, ndërtimi i gazsjellësit të ri e ka forcuar më tej pozitën monopol të këtyre kompanive në tregun serb për të paktën 20 vitet e ardhshme. “Srbijagas” është partneri kryesor i “Gazprom” në Serbi.

Ato zotërojnë së bashku depozitën Banatski Dvor (Gazprom 51 për qind; Srbijagas, 49 për qind), që është ndër më të mëdhatë në Evropën Juglindore. Por në të njëjtën kohë, Serbia po përpiqet të zvogëlojë varësinë e saj nga furnizimet ruse, kryesisht përmes ndërtimit të një linje që e lidh atë me Bullgarinë.

Ajo do të përfundojë së ndërtuari vitin e ardhshëm, dhe do t’i japë mundësi të marrë gaz nga Azerbajxhani. Pasi Vucic arriti një marrëveshje të re 3-vjeçare me Putinin, Ministrja serbe e Energjisë, Zorana Mihajlovic shkoi në Azerbajxhan ku u takua me presidentin azer Ilham Aliyev.

Beogradi ka toleruar prej vitesh ambiciet e politikës së jashtme të Kremlinit, dhe nuk e ka penguar zgjerimin e ndikimit të tij në Ballkan. Por tani është në pikëpyetje afrimi i mëtejshëm. Pas pushtimit të Ukrainës nga trupat ruse në shkurt 2022 dhe akuzave se Moska është përgjegjëse për krimet masive të luftës, autoritetet serbe filluan të ndryshojnë tonin e tyre.

Për shembull, Serbia ka votuar tashmë 3 herë në favor të rezolutave anti-ruse në OKB, duke përfshirë pezullimin e anëtarësimit të Rusisë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut. Ndërkohë edhe zërat anti-rusë në elitën politike serbe po bëhen gjithnjë e më të fortë.

Për shembull, Dragan Sormaz, një nga liderët e Partisë Progresiste Serbe, pro-presidentit Vucic, i mbështeti sanksionet duke thënë: “Serbia duhet të jetë pjesë e një bote euroatlantike moderne, të lirë, demokratike, teknologjikisht të përparuar. Çdo gjë tjetër është gënjeshtër dhe mashtrim. Serbia ka bërë shumë gabime në vitet 1990, dhe sot nuk ka të drejtë ta bëjë këtë. Ne po zgjedhim mes të qenit pjesë e Evropës, apo e despotizmit aziatik me prapambetjen dhe varfërinë e tij të gjithë-pranishme”- tha Sormaz.

Opsioni më i përshtatshëm për Beogradin është përfundimi i hershëm i konfliktit në Ukrainë, dhe stabilizimi i marrëdhënieve Rusi-Perëndim. Por ky është skenari më pak i mundshëm. Nëse konflikti zgjatet, Beogradi do të duhet të ri-mendojë marrëdhëniet e tij me Moskën.

Autoritetet serbe nuk ka gjasa të rrezikojnë lidhjet me donatorët e tyre kryesorë financiarë dhe garantuesit e sigurisë në Ballkan – aq më tepër që biznesi serb (me përjashtim të sektorit të energjisë) ka kohë që është i orientuar drejt Evropës. 70 për qind e investimeve direkte në Serbi vijnë nga Bashkimi Evropian.

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Lini një Përgjigje