Sipas traditës së lavdishme të Vaclav Havelit...

30 Nëntor 2022, 19:08Rajoni TEMA

Sipas traditës së lavdishme të Vaclav Havelit...

Angazhimi i Republikës së Çekisë për heqjen e regjimit diskriminues të vizave ndaj qytetarëve të Kosovës meriton mirënjohje e falënderim të sinqertë nga qytetaret dhe qytetarët e Kosovës. Gjatë presidencës çeke të BE-së diplomatët dhe politikanët qeverisës në Pragë punuan me përkushtim e këmbëngulje për t’i ndihmuar Kosovës.

Duhet veçuar këtu kryeministrin Petr Fiala, politikan liberal-konservator dhe historian me diapazon të gjerë kulturor dhe gjuhësor, dhe ministrin e jashtëm Jan Lipavský, një menaxher i IT-së, ekspert i sistemit bankar dhe politikan i Partisë së Piratëve.

Me mbështetjen e sinqertë ndaj Kosovës politikanët nga Praga vazhduan traditën e lavdishme të Vaclav Havelit, i cili si president i Çekisë përkrahu çlirimin e Kosovës dhe më 28 qershor 1999 ishte i pari president i një shteti anëtar të NATO-s që vizitoi Kosovën. Havel qëndroi atëbotë në Prizrenin e kontrolluar nga trupat gjermane.

Një ditë para vizitës në Kosovë, Havel qëndroi në Kavajë ku vizitoi refugjatët kosovarë të shtrirë aty dhe për të cilët po kujdeseshin mjekët nga Çekia.

Në vitin 2010, në përvjetorin e katërt të vdekjes së presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, pasardhësi i tij në post Fatmir Sejdiu e dekoroi Vaclav Havelin me medaljen e artë për «Paqe, Demokraci dhe Humanizëm – Ibrahim Rugova».

Dekoratën e pranoi atëbotë ambasadorja e Republikës Çeke në Prishtinë, Janina Hrebickova. Vaclav Havel vdiq më 18 dhjetor 2011. (Enver Robelli)

1 Komente

  1. T
    Te reagojne dhe politika dhe te mos dhjamosen si d

    Sakte dhe drejte, shkrim qe meriton rrespekt…

    Lini një Përgjigje