Ministri i Jashtëm italian: Evropa duhet të rrisë prezencën e saj në Ballkan, të kufizojë ndikimin rus

30 Nëntor 2022, 09:35Rajoni TEMA

Ministri i Jashtëm italian: Evropa duhet të rrisë prezencën

“Evropa duhet të rrisë prezencën e saj në Ballkanin Perëndimor për të kufizuar ndikimin e Rusisë”. Kështu është shprehur ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, para nisjes së takimeve të organizuara nga NATO-ja në Bukuresht.

“Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është i rëndësishëm për paqe. Neve na duhet të ndalim rusët në Ballkanin Perëndimor, na duhet më shumë Evropë. Ne duhet të mbrojmë këto shtete në Ballkanin Perëndimor, sepse është e rëndësishme që në këtë moment të punojmë së bashku, uniteti është i rëndësishëm dhe çon mesazh të fuqishëm te Rusia”, tha ai.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s takohen të mërkurën – për të dytën ditë me radhë – për të rikonfirmuar mbështetjen për shtetet e brishta në kufi me Rusinë, pas shqetësimeve për destabilizimin e tyre, prej nisjes së luftës së Moskës në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm holandez, Wopke Hoekstra tha se “arsyeja pse jemi duke u mbledhur është për të dërguar sinjal sesa i rëndësishëm është stabiliteti jo vetëm për NATO-n, por edhe për shtetet përtej saj”.

Aleatët e NATO-s janë zotuar të martën për të vazhduar ndihmën ndaj Ukrainës dhe për të riparuar infrastrukturën e saj të energjisë, e cila është dëmtuar rëndë si pasojë e bombardimeve ruse.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Moska është duke e përdorur dimrin si “armë lufte”, pasi si pasojë e dëmeve në rrjet, miliona njerëz kanë mbetur pa rrymë dhe ujë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

 

Lini një Përgjigje