Sveçla për rastin në Prishtinë: Dështim i drejtësisë, palët e përfshira në konflikt kanë dhjetëra vepra penale

5 Gusht 2023, 16:00Rajoni TEMA

Sveçla për rastin në Prishtinë: Dështim i

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla pas rastit tragjik që ndodhi në orët e vona të së premtes në “Bon Vivant”, ku një person ka vdekur dhe disa të tjerë janë lënduar, ka thënë se rastet e tilla po ndodhin si pasojë e “dështimit të drejtësisë”, duke shtuar se palët e përfshira në konflikt “kanë dhjetëra vepra penale”.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla fillimisht tha se “dje, dy kriminelë morën dënimet e merituara, njëri ndër ta me burgim të përjetshëm”, duke shtuar se “megjithë dënimin kapital, nuk mund të themi se drejtësia është shërbyer”, duke iu referuar dënimit me burgim të përjetshëm që gjykata e Ferizajt e mori të premten ndaj Dardan Krivaqës për vrasjen e Marigona Osmanit.

 

"Dje, dy kriminelë morën dënimet e merituara, njëri ndër ta me burgim të përjetshëm. Megjithë dënimin kapital, nuk mund të themi se drejtësia është shërbyer.
Ndëshkimi erdhi vetëm pasi humbëm një jetë të re, atë të Marigonës.

Duhet të humbte jetën e saj një nëntëmbëdhjetë vjeçare, dhe në mënyrën me te dhunshme, që sistemi i drejtësisë të ndjente peshën e krimit. Nuk pati ndëshkim për 135 veprat penale të mëhershme të Dardan Krivaqës. Nëse drejtësia do të kishte reaguar në kohën e duhur, Marigona do të ishte gjallë.


Edhe sot humbëm një jetë nga dora e kriminelëve të cilët, për arsye të dështimeve të drejtësisë, kanë qenë të lirë.


Në qendër të kryeqytetit, shtetasit tanë janë të rrezikuar për shkak të kriminelëve që nuk po ndëshkohen nga drejtësia. Ata duke u ndjerë të plotfuqishëm përballë ligjit nuk hezitojnë që hesapet e tyre kriminale t'i zgjidhin me armë e atë në lokale publike në prezencë dhe duke rrezikuar dhjetra të rinj të tjerë.


Palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetra vepra të mëhershme penale. Kur lëngon drejtësia, situatat e ngjashme janë të pashmangshme!


Drejtësia është punë e policisë, e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Drejtësia është një sistem i plotë kur të gjithë institucionet përmbushin funksionin e tyre.


Është koha e fundit që efikasiteti i Policisë në këtë segment të rritet, por mbi të gjitha përgjegjshmëria dhe vendosmëria e Prokurorisë dhe guximi i gjykatësve për dënime drakonike për këtë kontigjent kriminal.


Drejtësia është virtyt që duhet mbrojtur nga e tërë shoqëria, përfshirë aktivistët e shoqërisë civile dhe gazetarët. Ndjenja e të drejtës duhet të jetë shqetësim për të gjithë ne. Shembujt e ndëshkimit të krimit shërbejnë edhe si mbështetje për rolin e policisë sonë.


Ministria e Brendshme në kuadër të strategjisë kundër krimit të organizuar do të inicojë themelimin e një taskforce për hetimin e thellë, jo vetëm të këtij rasti, por edhe të rasteve të tjera të ngjashme!'' shkruan Sveçla.

 

1 Komente

  1. U
    UÇK

    CFEKULL ASHTU QYSH PO TENTONI TI MERRNI MERITAT PA AS NJI MËRITË MERRI EDHE PERGJEGJSITË QE JANË PERGJEGJSI TUAT DIREKTE JEP DORHEQJE NUK JE PER KETË PUNË TI JE RRUGAQ DIL GJUAJ MË GURË POLICINË MUNDOHU MË E DJEGË PARLAMENTIN QEVERINË DHE KREJT KOSOVEN

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje